Skadon afati 30 ditor, pesë partitë s’kthejnë lekët në KQZ
Pesë parti politike që nuk fituan vende në Parlament nuk kthejnë mbrapsht paratë e fushatës elektorale. Sipas burime pranë KQZ-së, asnjë prej partive politike nuk ka dorëzuar fondet e marra për përballimin e fushatës elektorale të votime të 28 qershorit. Neni 87 parashikon që brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, partitë duhet të kthenin këto fonde, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Partia Demokristiane, Partia Agrare, Partia Aleanca Demokratike, Partia Socialdemokrate dhe Partia Demokracia Sociale duhet të rikthehen në arkën e KQZ-së shumën prej 12.7 milionë lekësh deri në fund të muajit gusht. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur prej kohësh projektvendimin, mbi të cilën partitë politike duhet të kthejnë mbrapsht paratë e marra. Projekti i hartuar nga Drejtoria e Financës së KQZ-së ka parashikuar në të njëjtën kohë edhe skemën e shpërndarjes së fondit që do të rikthejnë subjektet politike, për t’ia dhënë partive parlamentare. Vendimi i KQZ-së ka shkaktuar reagime të drejtuesve të këtyre partive politike, të cilat i kanë cilësuar si të padrejtë një sanksionim të tillë në nenin 86 të Kodit Zgjedhor duke deklaruar se nuk do ta pranojnë zbatimin e tyre, edhe pse rrezikojnë të nga gara për 5 vjet në rast të mos përmbushjes së këtij detyrimi. Kreu i PAD-së, Neritan Ceka e pati cilësuar si antikushtetuese një nen të tillë, duke u shprehur se nuk do të pranojë që të rikthejë lekët.