Topi inkurajon anëtarët e Gjykatës së Lartë: “Merrni pjesë në debate për reformimin e Gjyqësorit”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u ka kërkuar dje anëtarëve të Gjykatës së Lartë që të jenë pjesë e debateve për reformën në Gjyqësor. Gjatë një takimi të zhvilluar dje me anëtarë të Gjykatës së Lartë, Topi vuri theksin se reformën në Drejtësi nuk mund ta bëjë askush me mirë se protagonistët e këtij sistemi. Ai kërkoi nga anëtarët e Gjykatës së Lartë se pa u futur në debate politike ato mund të japin kontributin e tyre duke treguar se ku çalon ky sistem. “Pjesëmarrja juaj në debate, natyrisht pa interferuar fare me çështjet e debatit politik, por aty ku ju kërkohet, patjetër duhet të thoni me zë të hapur, me një zë të fortë profesional, në tryezat institucionale mendimin tuaj. Kjo pasi do të ishte jo e këndshme që anëtarët e Gjykatës së Lartë, qoftë dhe anëtarët e gjykatave të tjera, që të rrinë indiferentë kur diskutohen pikërisht çështje shumë të rëndësishme të reformimit të pushtetit gjyqësor. Duhet një lloj motivimi, duhet një lloj ndërgjegjësimi, për të qenë pjesë e problemeve që ju keni, sepse askush nuk mund të ngrejë zërin më pas për të thënë: ‘Shiko se kemi defekte në ligj’”,- është shprehur kreu i shtetit. Ai gjithashtu ka kërkuar nga anëtarët e Gjykatës së Lartë që të luftojnë korrupsionin në radhët e sistemit gjyqësor dhe të largojnë sa më shumë imazhin që ka krijuar pushteti gjyqësor si i korruptuar. “Pushteti gjyqësor t’i largohet sa më shumë dhe përfundimisht aferave korruptive, t’i largohet në mënyrë definitive edhe atij imazhi i cili e ka veshur pushtetin gjyqësor prej vitesh dhe jeni ju pa dyshim që do ta përballni këtë sfidë”,- është shprehur Topi. Presidenti është ndalur në mënyrë të veçantë në zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës së Lartë. Sipas kreut të shtetit, ekziston një nevojë domethënëse, që kryetari i Gjykatës së Lartë të vendoset sa më shpejt. Sipas presidentit, kryetari i Gjykatës së Lartë duhet të jetë një individ me shumë dinjitet institucional, me karakter të fortë dhe me përvojë në fushën e Drejtësisë. “Ai jo vetëm duhet të ruajë me shumë dinjitet institucionin, duhet të jetë një njeri me një karakter shumë të fortë, pa diskutim me përvojë, ai duhet të garantojë institucionin dhe në emër të institucionit të Gjykatës së Lartë, të gjithë imazhin e pushtetit gjyqësor, që të jetë i ekuilibruar, të jetë i painfluencuar. Jemi mësuar të themi thjesht i painfluencuar nga politika, por nuk është vetëm politika që influencon por dhe aferat ekonomike”, - është shprehur kreu i shtetit.
17 Shtator 2008