Rama: Gabuam me ndryshimin e Kushtetutës, ja kursi i ri politik
Intervistoi: Sokol Balla
A e menduat se do të shkonte kështu procesi i Tiranës, zoti Rama?
Gjasat që ajo që ndodhi të ndodhte nuk ishin të vogla, por përkundrazi ishin brenda asaj që ne mund të parashihnim për shkak të një investimi të pazakontë dhe stërfuqie njerëzish e parash që e vunë makinerinë shtetërore në funksion të deformimit të vullnetit të zgjedhjeve të kryeqytetit.
A kishin lidhje dilemat tuaja të atëhershme për kandidimin me këtë që ndodhi?
Nëse do ishte një ambient normal, unë nuk do të kisha arsye të kandidoja për Bashkinë Tiranës. Pikërisht se beteja do të ishte, dhe siç ndodhi, krejt e veçantë në pazakonshmërinë e saj, për shkak të një koalicioni të gjerë të pushtetshmish në skenë e pas saj për të marrë me çdo çmim Bashkinë e Tiranës. Nga ana tjetër, duke i vlerësuar të gjitha nxitjet, kërkesat e të gjitha ndjenjat e shprehura të shumë e shumë njerëzve për të qenë unë në krye të kësaj beteje, unë zgjodha të bëja atë që bëra. Unë nuk pendohem, por jam krenar dhe përfitoj nga rasti t’u shpreh falenderimin tim më të thellë dhe mirënjohjen më të madhe të gjithë atyre qytetarëve të Tiranës që, duke dalë masivisht në votim më 8 Maj, e frenuan me votë stërfuqinë e ngritur në këmbë për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve. Ne i fituam zgjedhjet në Tiranë.
Berisha thotë se koalicioni i tij mori 10 909 vota më shumë në Tiranë…
E kemi me vendim gjykate se për këtë pushtet aritmetika s’është më shkencë ekzakte tanimë. Rezultati i Tiranës, ai i numërimit që e pa i madh dhe i vogël, brenda dhe jashtë vendit, është rezultati që na nxori fitues me 10 vota, por që nuk tregon atë që fshihet pas atij rezultati, që është një manipulim i vullnetit të zgjedhësve me instrumente të jashtëligjshme. Ne i fituam zgjedhjet me numërim, Saliu i grabiti në tavolinë dhe pastaj i certifikoi nën tavolinë.
Përveç efektit të LSI-së, ju më 8 Maj keni diferencë më të thellë në avantazh të mazhorancës edhe me minibashkitë…
Kjo është aritmetike që s’na ndihmon të kuptojmë çfarë ka ndodhur në Tiranë. Katër vite më parë ishim në koalicion me atë parti dhe ishim tërësisht të varur nga rezultati i përbashkët. Sot 4 vite më vonë ne kemi fituar shumë më tepër se 4 vite më parë, kemi arritur fitore në gjithë Shqipërinë, si asnjë herë më parë në historinë e PS-së. Kontrollojmë si asnjëherë më parë në kuptimin e mandatit për të qeverisur 2/3 e vendit. Nga ana tjetër e përsëris që rezultati i ashtuquajtur zyrtar i Tiranës është veçse një vjedhje e vulosur me vendim gjykate.
Zoti Islami ju tha në fushatë se rrezikonit humbjen. A mos nuk e morët seriozisht betejën e Tiranës?
Seriozisht e kemi marrë jo vetëm ne, por edhe qytetarët që rrëzuan me votë këto parashikime. Rezultati i zgjedhjeve në demokraci është kush fiton një votë më shumë është fitues, kush merr një votë më pak është humbës. Diferencat janë për historinë dhe analizat e mëtejme në funksion të organizimit të forcave.
Ju e quanit kështjellë Tiranën. Mendoni se me 10 vota ishte fitore e bukur?
Ishte fitorja më e bukur ndër të katër fitoret e Tiranës, sepse ishte fitorja e qytetarëve përballë një makinerie të ngritur në këmbë për të rrëmbyer me çdo mjet politik dhe çmim financiar Bashkinë e Tiranës. Sot ajo çka ka më tepër rëndësi dhe që është më shumë tronditëse është fakti se Shqipëria jeton kohën e një fashizmi oriental, që tanimë është shpërfaqur. Ndërkohë që dy vite me radhë ne ishim dëshmitarët e vetëm të një grabitjeje zgjedhjesh në errësirë, sot çdo shqiptar që do të shikojë e dëgjojë, çdo partner ndërkombëtar është dëshmitar i një grabitjeje në ditën me diell. Kësisoj grabitje të votës, pronës, parave të popullit, haptazi dhe ditën për diell ndodhin vetëm në regjime që s’kanë të bëjnë me demokracinë.
Në rang vendi Aleanca për Qytetarin mori 140 mijë vota më shumë sesa koalicioni juaj. Këtë koalicion po e mbajnë në këmbë partitë ose të majta ose me drejtues nga e majta. Zërat kundër jush thonë se e majta me Edi Ramën nuk bashkohet?
Nuk ka ndarje e majtë dhe e djathtë. Ka një ndarje opozitë dhe regjim. Që të thuash që, nëse nuk bashkohet, e majta nuk fiton, dhe me këtë t’i referohesh atyre që dikur kanë qenë majtas, që mund të thonë sot e kësaj dite që janë majtas, por janë bërë pjesë e kularit të regjimit, do të thotë të bësh diversion. Sot ka opozitë dhe regjim. Cilido që është i gatshëm të përballet me regjimin dhe të japë gjithçka mundet që opozita të fitojë, është i mirëseardhur, qoftë i majtë apo i djathtë.
A jeni kthyer në problem për të majtën?
Unë ashtu sikurse PS-ja dhe opozita jemi problem për regjimin. Një problem i madh të cilin pavarësisht të gjitha këtyre përpjekjeve dhe dhunës së ushtruar brutalisht si në KQZ dhe Kolegj, regjimi nuk do ta zgjidhë, por do jetë i detyruar të largohet me votë.
Do ta vazhdoni betejën ligjore edhe pas marrjes së Bashkisë nga zoti Basha?
Të gjitha gjykatat në regjimet që sot quhen regjime të natyrave të ndryshme, por që nuk kanë asgjë të përbashkët me demokracitë funksionale, vulosin ligjërimin e grabitjeve. Gjykatat janë një instrument për të legjitimuar kapjen e shtetit në një vend ku nuk ka demokraci.
Do të vazhdoni ankimet në gjykata, siç ka thënë zoti Ruçi?
Do t’i bëjmë të gjitha hapat e nevojshëm.
Zoti Rama, edhe më kritikët ndaj zotit Berisha thonë se koalicioni i tij gjithsesi mori shumë vota. Mos qytetarët votojnë regjimin, siç thoni ju?
Ajo çka ndodhi në Tiranë ishte vënia në jetë e një operacioni manipulimi industrial me mijëra dublime që duhet t’i hetojë prokuroria. Karta të dhëna në qarkullim për të materializuar votimin përmes dublimeve. Sigurisht me një lumë parash të pista. Ajo që ndodhi në jetën tjetër të territorit ka dy aspekte. Njëri aspekt është vota e kandidatëve dhe ne kemi marrë më shumë vota sesa koalicioni i regjimit. Në aspektin e votave për këshillat e bashkive dhe komunave nuk e pasqyron vullnetin politik të zgjedhësve. Ne kemi arritur në këto zgjedhje të fitojmë bindshëm kudo ku kemi mundur të garantojmë plotësisht votën. Në territore tjera na mbetet ende shumë punë për të bërë për ta garantuar votën dhe do t’ia dalim.
Pse fitorja juaj përmban shijen e humbjes. Po perifrazoj zotin Braçe, që është një bashkëpunëtor i juaji. Apo nuk e keni më bashkëpunëtor?
Ajo as nuk mund të vihet në dyshim.
E keni fjalën për Braçen?
Po, patjetër. Por duke iu referuar pyetjes, nëse pushteti do na kishte fituar Bashkinë e Tiranës me votë, nuk do kishte as tronditje e as trishtim në opinionin publik. Ajo që ka ndodhur nuk ka të bëjë thjesht me zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, por me sinjalin e qartë që të gjithë qytetarët kanë marrë nga ajo që kanë parë. Ka ndodhur në televizor, në sytë e tyre, me javë me radhë dhe praktikisht në këtë telenovelë pambarim qytetarët kanë parë se në çfarë vendi jetojnë e cili është shteti që supozohet se duhet t’u shërbejë atyre bazuar mbi Kushtetutën dhe ligjin.
Zoti Arben Malaj në platformën e tij ju akuzon se keni mbyllur partinë, nuk thërrisni në grupe pune sekretarë të partisë dhe nuk mblidhni strukturat?
Këto janë çështje për mbledhje partie. Në forumet tona i diskutojmë këto dhe nuk mendoj se janë çështje me interes publik. Ne në PS dëgjojmë jo vetëm zërin, por edhe mendimin e gjithkujt. Jo vetëm secili është i lirë, por edhe i detyruar që në funksion të qëllimit të përbashkët të japë atë që mundet, duke thënë atë që mundët.
Çfarë do bëni me zotin Islami a do ta përjashtoni?
Pyetja se a do ta përjashtoni nga partia Kastriot Islamin nuk bën sens. Pyetja që do bënte është se a do ta ripranonit në parti Kastriot Islamin, pasi ai praktikisht ka kohë që ka ikur me dëshirën e tij dhe është vendosur jashtë kampit opozitar. Sa i takon aspektit formal, PS-ja ka forume të cilat bëjnë vendimmarrjen e tyre në kohën e duhur, kur gjykohet e arsyeshme. Nuk bëhet fjalë për përjashtim.
Tani që mbani vetëm karrigen e thjeshtë dhe modeste të kreut të PS-së, a druheni se mund të ketë aksion për t’ua marrë edhe atë?
Karrigen… Së pari, nuk dua të them diçka banale, por lidershipi nuk është karrigia. Së dyti, ju siguroj se nuk kam asnjë sekondë për t’u shqetësuar për një hipotezë të tillë, pasi jam i gjithi i fokusuar me mish e shpirt për të ndërtuar në mënyrë sa më efektive kursin tonë të ri politik, që do na çojë në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme dhe do bëjë të mundur rrëzimin me votë të këtij fashizmi dhe vendosjen e Shqipërisë në binarët e Evropës.
Zoti Ruçi deklaroi se janë përdorur në Tiranë rreth 40 milionë euro dhe se në dy prej tre vendimeve janë shpenzuar rreth 500 mijë euro për çdo anëtar të Kolegjit Zgjedhor. E mbështesni këtë pretendim dhe a keni prova?
Jo vetëm një akuzë e rëndë, por e shqiptuar nga një burrë që nuk di të gënjejë.
Ndërkombëtarët ju kanë bërë thirrje ta njihni vendimin e Kolegjit. Bashkinë do ia dorëzoni Lul Bashës?
Nuk di të ekzistojë ndonjë njeri i arsyeshëm që mund të pohojë se gjëja e vjedhur të dorëzohet me procesverbal. Di të them se për ne dhe gjithë shqiptarët rezultati është i grabitur në tavolinë dhe vulosur nën tavolinë. Si i tillë është rezultat që ka vlerën juridike si në çdo fashizëm oriental, që çon kanakarin e Saliut në bashki, por që, sa na takon ne, nuk na shkon ndërmend ta pranojmë.
Si ish-kryetar i Bashkisë dhe njeri pa imunitet, a i druheni hapjes së dosjeve nga pasardhësi juaj?
Nuk kam pasur asnjëherë imunitet. Jo që t’i druhem, por befasohem në rast se nuk do fillojë një tjetër fushatë përbaltjeje e ngritur mbi shpifje dhe e argumentuar -në thonjëza- te dosje ku gjendet veprimtaria kriminale e bashkisë.
Do të hyni në shtator në Kuvend?
Patjetër.
Po protestat?
Patjetër … të gjitha mjetet demokratike me radhë, por ajo që është më e rëndësishme është ndërtimi dhe komunikimi i një kursi të ri politik. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme si alternativë qeverisëse, për një model europian të shtetit të institucionit të qeverisjes...
Parlamenti i ri tek ish-Piramida mund t’ju prijë... mund të keni fat...?
Së pari, kur përfytyroj se në këtë gropë dhe shumë e shumë gropa që Saliu ka hapur me ekonominë, që ndihen në lëkundjet e çdo shtëpie, në kuptimin ekonomik dhe financiar, do të hapen me dhjetëra miliona euro borxhe, për të ndërtuar një tjetër kompleks parlamentar dhe ka një projekt edhe për stadium, dhe të dyja këto për 100-vjetorin e pavarësisë, në vend që të shkonim në këtë 100- vjetor me një shtet demokratik, me Kushtetutë të respektuar, u dashka të shkojmë me dy stërgodina, me paratë e të cilave për të ndërtuar, mund të ndërtoheshin jo një, as dy, por tre a katër kampuse universitare të standardeve ndërkombëtare, që më në fund pas kaq e kaq vitesh, të rinjtë të mos shkojnë në stalla, që nuk kanë lidhje me fjalën universitet, të mos jenë të detyruar të rrinë në këmbë, kur marrin leksionet, e të shkëputur nga të gjithë zhvillimet e botës së sotme… por të kenë të gjitha kushtet që i duhen këtij brezi, që po shkatërrohet me politikën arsimore të këtij pushteti të vjedhur.
Do t’i votoni ligjet me 84 vota?
Siç është thënë, po e përsëris. Në kursin tonë të ri, kemi në konsideratë si prioritet të prioriteteve, domosdoshmërinë për ta kthyer Shqipërinë në binarët e Europës…rekomandimet e BE-së do të jenë pikat tona të referimit dhe padyshim të gjitha vlerat e euro-atlantizmit
Nëse ndërkombëtarët nuk kanë asnjë reagim tjetër, ju çfarë do të bëni?
Nuk mund të ketë asnjë lloj dialogu me Saliun, në rast se nuk ka një angazhim të komunitetit për të gjitha ato ndryshime që sot kanë dalë si domosdoshmëri jetike, për ta shpëtuar aspiratën e demokracisë, që do të thotë se ashtu sikundër ka një angazhim konkret publik dhe, jam i bindur, konstant të sekretarit të përgjithshëm të KiE-së, që flet si zëdhënës i gjithë komunitetit ndërkombëtar të shqetësuar për t’ju adresuar Venecias do të thotë që ka një hapje të mirë, por që ka nevojë për një zgjerim sepse këtu duhet të adresohen një sërë problemesh të tjera kushtetuese, ligjore dhe institucionale...
Folët për garancinë kushtetuese, ç’ka nënkupton ndryshime kushtetuese... A jeni penduar për ndryshimet kushtetuese... Keni reflektuar se ndoshta keni bërë një gabim për ndryshimet e kushtetuese?
Nuk është e lehtë dhe e thjeshtë, por duke u kthyer tek ajo që thashë se mendoj që sa më shumë reflektojmë pasojat që ka sjellë gjithë procesi i pas-vjedhjeve të zgjedhjeve të 2009-ës, më shumë mund të pranojnë në përfundimin se për ndryshimet kushtetuese jo gjithçka është bërë ashtu siç do të duhej të bëhej, duke konsideruar se sa larg është pala tjetër për shkak të Saliut në radhë të parë nga çdo parim dhe vlerë etike dhe sesa larg jemi edhe ne si shtet, si vend nga aftësia për t’u vetëkontrolluar në raport me balancat.
Çfarë mendoni se keni bërë gabim?
Kjo është një çështje që i përket një analize të hapur serioze dhe të thellë. Ne kemi planifikuar ta bëjmë jo thjesht me njëri- tjetrin, por me një grup të konsiderueshëm konstitucianalistësh dhe ekspertësh, që do t’i dëgjojmë me shumë vëmendje dhe gatishmëri, për të pranuar edhe gabimin që në rastin konkret mund të konstatohet si i tillë. Por thënë kjo...mbetet për t’u parë ajo që vjen më pas.. Sepse ne na duhet që të shkojmë përpara, jo më me një tjetër fazë të stërzgjatur, me thirrjet e zakonshme të radhës për dialog, por me një plan konkret të qartë, të mirëpërcaktuar, ku duhet të synojnë riafrimin e Shqipërisë me BE-në dhe realizimin e prioriteteve të vendosura nga BE; një shtet funksional, një demokraci funksionale, institucione që funksionojnë.
Ambasadori amerikan ka hedhur indirekt tezën se dialogu që ju thoni, duhet të nisë me zgjedhjen e një presidenti konsensual. A do të keni ju një ofertë në këtë drejtim. Ose t’ju bëj një pyetje më direkte. Do ta merrni në konsideratë që Presidenti të jetë Nano, Jozefina… Sali Berisha
Nanon ta marrë në konsideratë Saliu, si kandidat të tijin. Kampet janë të ndara. Opozitë dhe regjim. Nuk ka këtu asgjë tjetër...përveç këtyre të dyjave, sepse gjërat që po ndodhin këtu janë kaq të rënda...
Topi President?
Topi është President.
Për një mandat të dytë?
Nuk jemi në ditën se duhet të diskutojmë se kush duhet të jetë Presidenti, sipas nesh. Sot jemi në ditën që ne të bëjmë gjithçka na takon, që Saliu të mos zaptojë edhe atë ishull që ka mbetur jashtë regjimit të tij.
Kam një pyetje për raportin tuaj me Ambasadorin Arvizu. Si e keni raportin sot me të dhe kam dashur t’ju pyes lidhur me këmbënguljen e tij, për të mos organizuar mitingun një javë pas 21 janarit dhe këmbënguljes që të mos shkonit atë ditë?
… Sot unë mund të them me plot gojën që e konfirmoj atë që ai tha. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera.