Letra; Ministri Basha: Të shtyhet gjyqi, dua të jem i pranishëm në seancë
Një letër e dërguar nga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ku shpjegonte arsyet e mospranisë së tij në Gjykatën e Lartë, detyroi kolegjin penal të shtyjë seancën e radhës për në fund të muajit shkurt. Dje ka qenë seanca e parë për procesin gjyqësor për çështjen e rrugës “Durrës-Kukës”, ku si të pandehur janë marrë dy persona, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha dhe drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Andi Toma. Por, kjo seancë e drejtuar nga gjyqtari Spiro Spiro u shty, pasi ministri Basha i ka dërguar një letër me arsyet e mosparaqitjes së tij sipas njoftimit të bërë nga gjykata. “I nderuar kryesues i kolegjit. Mora njoftim nga ju për ditën dhe orën kur do zhvillohet gjyqi, por për shkak të një takimi të rëndësishëm ndërkombëtar që zhvillohet nga data 27-31 janar, data të paracaktuara kohë më parë, unë nuk mund të jem i pranishëm në gjykatë”, - shkruan ministri Basha në letrën me shkrim dërguar gjykatës, duke shtuar se “përveç disa datave të muajit shkurt (3, 12, 19, 20, 26, 27 shkurt) nuk kam impenjime, të cilat do më pengonin të vija në seancë gjyqësore. Kërkoj që seanca të shtyhet, pasi dëshiroj të jem vetë i pranishëm në gjyq. Me respekt, Lulzim Basha”. Pasi ka lexuar tekstin e letrës së dërguar nga ministri, gjyqtari Spiro ia dha fjalën dy prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, Artur Selmani e Arben Kraja, të cilët e konsideruan mjaft korrekt qëndrimin e z. Basha. Pasi u verifikua dhe prezenca e të pandehurit Andi Toma dhe avokatit të tij, Genc Gjokutaj, kolegji penal vendosi të shtyjë seancën e radhës për në datën 27 shkurt ora 10:00, duke pasur parasysh edhe datat kur zoti ministër ishte i impenjuar jashtë vendit në takime të rëndësishme ndërkombëtare. Çelja e këtij procesi, data e të cilit u njoftua në fund të 2008-s, u lejua të zhvillohej me praninë e gazetarëve, por pa kamera dhe aparate fotografike. I pranishëm ishte gjatë seancës edhe një përfaqësues i OSBE-së, Frenk Dalton, i cili do të monitorojë këtë proces. Dosja për rrugën “Durrës-Kukës” ka mbërritur në fund të vitit të kaluar në Gjykatën e Lartë, duke sjellë si të pandehur ministrin e Transporteve, Lulzim Basha dhe drejtorin e Përgjithshëm të Rrugëve, Andi Toma, si të akuzuar për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Por, komunikimi i akuzës për ministrin Basha është konsideruar si shkelje nga Gjykata e Tiranës, e cila dy aktet procedurale i ka konsideruar si të pavlefshme, duke qenë se një vendim i mëparshëm i gjyqtarit Sokol Tona, kishte urdhëruar Prokurorinë e Përgjithshme të ndalonte veprimet e mëtejshme hetimore. Madje, një vendim i tillë është lënë në fuqi një muaj më pas edhe nga Gjykata e Apelit. Ndaj dhe dy aktet, ai i njoftimit të akuzës dhe fletëthirrjes janë konsideruar të pavlefshme nga ministri Basha e avokati i tij, Nikaj, duke i quajtur me prapavijë politike. Kjo i detyroi t’i drejtoheshin Gjykatës së Tiranës për t’i konsideruar si akte të pavlefshme dhe si të tilla u quajtën me vendim edhe nga kjo gjykatë.
Letra
“I nderuar kryesues i kolegjit. Mora njoftim nga ju për ditën dhe orën kur do zhvillohet gjyqi, por për shkak të një takimi të rëndësishëm ndërkombëtar që zhvillohet nga data 27-31 janar, data të paracaktuara kohë më parë, unë nuk mund të jem i pranishëm në gjykatë. Përveç disa datave të muajit shkurt (3, 12, 19, 20, 26, 27 shkurt), nuk kam impenjime, të cilat do më pengonin të vija në seancë gjyqësore. Kërkoj që seanca të shtyhet, pasi dëshiroj të jem vetë i pranishëm në gjyq. Me respekt, Lulzim Basha”.
Prokurorët e Ina Ramës, autorizimi pa asnjë element zyrtar
Kryeprokurorja Ina Rama dërgon në Gjykatën e Lartë dy prokurorët, Artur Selami dhe Arben Kraja, për të përfaqësuar organin qendror të akuzës, me një autorizim që nuk përmbante asnjë nga elementët që këtë autorizim e bën zyrtar, përkatësisht pa datë dhe pa numër protokolli. Ky defekt është konstatuar menjëherë nga drejtuesi i Kolegjit Penal, Spiro Spiro, duke i evidentuar si mangësi dhe duke ua vënë në dispozicion për ta parë edhe avokatit Gjokutaj dhe klientit të tij, Toma. Ky autorizim u administrua siç ishte në dosje.