Kriza greke, ngrijnë bondet shqiptare
Qeveria shqiptare duket se i ka braktisur tani për tani përpjekjet për të emetuar bondet e para në euro të vendit tonë, pasi u pa që edhe pas arritjes së marrëveshjes së ndihmës mes Greqisë dhe FMN-së, situata në tregjet financiare ndërkombëtare vijon të mbetet e pasigurt. Sipas një burimi pranë qeverisë, i cili nuk dëshiron të identifikohet për shkak të sensitivitetit të problemit, plani për emetimin e bondeve është efektivisht “i ngrirë”. Duket se kjo është një mënyrë e zgjedhur nga qeveria për të pranuar në heshtje dhe pa zhurmë se përpjekja e tretë në tre vjet për emetimin e eurobondeve dështoi. Ende nuk është vendosur se si do të veprojë qeveria për të mbuluar gropën e krijuar nga mosemetimi i eurobondeve. Ministria e Financave pati planifikuar të shpenzonte gjysmën e huasë së marrë përmes eurobondeve për të mbuluar shpenzimet e buxhetit të shtetit të këtij viti.
GreqiaShqipëria pati planifikuar të emetojë eurobondet të enjten e kaluar, por asnjë investitor nuk u afrua për të blerë, për shkak se investimet në bondet e qeverisë greke japin aktualisht interes më të lartë se sa ofronte Shqipëria, ndërkohë që bondet greke janë më cilësore se ato të vendit tonë, sipas klasifikimit të “Standard & Poor’s”. Të dielën, Athina nënshkroi një marrëveshje ndihme me FMN-në dhe Bashkimin Europian me vlerë 120 miliardë euro, gjë që mendohej se do t’i qetësonte investitorët dhe do të ulte interesat stratosferike që kërkohen sot për blerjen e bondeve greke. Të hënën, interesat e borxhit të Greqisë u reduktuan me 1-1.5 për qind, por kjo nuk qe e mjaftueshme. Dje, bursat në të gjithë botën ranë, së bashku me euron, ndërsa interesat e borxhit grek pësuan rritje. Bondet dhjetëvjeçare të Greqisë u rritën me 36 pikë bazë dhe u shkëmbyen për 8.8 për qind. Euro humbi 1 për qind kundrejt dollarit, duke u këmbyer për 1.3 USD, nga 1.31 USD që vlente të hënën.
Investitorët mendojnë se shpëtimi i Greqisë sipas stilit të FMN-së, përmes shkurtimit drastik të shpenzimeve, mund të kthehet në një skemë vetërrënuese, pasi me uljen e shpenzimeve qeveritare, Greqia ka gjasa të hyjë në një recesion që mund të zgjasë për shumë vite.
Qeveria shqiptare dëshironte të tërhiqte 300-400 milionë euro borxhe në tregun ndërkombëtar, duke emetuar bonde me vlerë minimale 50 mijë euro dhe me vlerë maksimale 99 mijë euro. Nga këto, 200 milionë euro do të përdoreshin për të shlyer para kohe dhe rrjedhimisht për të riskeduluar një kredi sindikale me vlerë 200 milionë euro, që u tërhoq në maj 2009, me interesin katastrofal prej euribor plus 9.65 për qind. Tani qeverisë do t’i duhet të marrë hua në tregun e brendshëm për të mbuluar shpenzimet e programuara të këtij viti. Nga ana tjetër, eurobondet synonin të zgjidhnin edhe një problem që mund të dalë në vitin 2012, kur qeverisë do t’i duhet të shlyejë interesa borxhi publik dhe principal me vlerë të përgjithshme prej 90 miliardë lekësh, ose 900 milionë dollarë. Edhe pasiguria për lekun shqiptar mund të rritet si pasojë e dështimit me eurobondet.
#