E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rekord, 8 orë për transportin e dy motogjeneratorëve

16/02/2005  Motorët elektrik peshon 136 tonë secili

DURRËS – Tre motogjeneratorë gjigand, janë transportuar dje nga Durrësi drejt Fushë Krujës. Transporti i tyre ka regjistruar edhe rekordin e transportit në rrugë automobilistike.

Tre gjeneratorët me peshë 136 tonë secili janë transportuar nga porti i Durrësit në drejtim të Fushë-Krujës, rrugë e cila është 40 km e gjatë. Motogjeneratorët janë transportuar për llogari të fabrikës së çimentos. Tre motorët elektrik të fuqishëm janë transportuar nga Finlanda përmes rrugës detare, ndërkohë që dërgimin në Fushë Krujë e kanë marrë përsipër specialistë të firmës shqiptaro-italiane të “Diamant Heavy Lift”.

Transporti rrugor ka paraqitur problem në disa nyje, si në atë të urës së Erzenit dhe të Gjolës dhe kjo ka shtyrë specialistët që gjeneratorët e fuqishëm me një lartësi 5.6 m të ngarkohen në një kamion të posaçëm me 12 akse. Kamioni rrugën në 40 km e ka përshkuar për 8 orë, ndërkohë që në Vorë motogjeneratorët kanë kaluar me ndihmën e një ure të lëvizshme. Presidenti i firmës “Diamant”, Igli Goga, si dhe inxhinieri, që ka bërë studimin e rrugës, Petraq Çerepi, kanë projektuar deri në detaje të imta të gjithë procesin e transportit, i cili ka rezultuar me sukses. Fabrika e Fushë-Krujës ka marrë nga BERZH dhe IFC një kredi prej 60 milionë dollarë, ndërkohë që transportimi i pajisjeve për fabrikën e çimentos ka qenë një problem më vete.

Që nga tetori i vitit të kaluar janë transportuar dy mullinj silosë me peshë 100 tonë secili, ndërsa në dhjetor edhe 10 pajisje të tjera të ndryshme me nga 100 tonë secili. Transporti i motogjeneratorit me peshë 136 tonë ka regjistruar një rekord më vete. Deri më tani transporti më i vështirë është cilësuar transportimi drejt Fierzës në vitin 2000 i një transformatori me peshë 117 tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›