E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tragetet e Sarandës bllokohen në Korfuz

16/02/2005  Moti i keq, probleme edhe në Jug të vendit

SARANDË - Moti i keq ka bllokuar në ishullin e Korfuzit, tragetet e Sarandës, që funksionojnë në linjën e transportit detar Sadandë-Korfuz. Trageti “Kaliopi”, i shoqërisë “Finikas”, qëndron në portin e shtetit fqinj që prej dy ditësh, në pamundësi për të lundruar drejt qytetit bregdetar jonian. Ndërkohë dhe trageti “Sotiraqi” qëndron në portin helen, në pritje të përmirësimit të kushteve atmosferike të përkeqësuara që prej tri ditësh, situatë, e cila sipas meteorologëve pritet të jetë e pranishme mbi vendin tonë dhe në ditët në vazhdim. Transporti i udhëtarëve në linjën Sarandë–Korfuz është paralizuar që prej ditës së hënë. Në këtë linjë lëvizin çdo ditë në drejtim të ishullit grek më shumë se 70 persona nga rrethe të ndryshme të vendit, të cilët punojnë në shtetin fqinj, ku mendohet të jenë, sipas statistikave të shtetit grek, rreth 20 mijë emigrantë shqiptarë. Dje, paradite, rreth 30 emigrantë nga Fieri, Lushnja, Dibra dhe Pogradeci kanë pritur në portin e Sarandës për të kaluar në shtetin fqinj, por janë detyruar të kthehen mbrapsht, pasi në port mungonin tragetet të bllokuar nga kushtet e përkeqësuara atmosferike në Korfuz. Disa prej tyre janë nisur për të kaluar në Greqi nga pika e kalimit kufitar të Qafë Botës.

Nga njoftimet e para mësohet se ata janë kthyer prapë në tokën shqiptare, për arsyen se tragetet që lidhin Igumenicën me Korfuzin nuk funksiononin për të njëjtën arsye që lidhej me përkeqësimin e motit. Të interesuarit për të kaluar në shtetin fqinj po qëndrojnë në qytetin e Sarandës, në pritje të përmirësimit të kohës për t’u rikthyer në vendet e tyre të punës në shtetin grek.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›