Borxhet rrezikojnë ujësjellësit
Pothuajse në çdo vit, qeveria paguan faturat e papaguara të ujësjellësit ndaj ndërmarrjeve të furnizimit me energji elektrike. Shkaku është mungesa e aftësisë financiare që ujësjellësit kanë për të paguar faturat, si pasojë e nivelit të ulët të arkëtimeve dhe numrit të lartë të individëve që abuzojnë me lidhjet e paligjshme. Vetëm për këtë shkak, shtatë ndërmarrje të mëdha ujësjellësi u bllokuan, duke mos furnizuar publikun, për shkak se OSSH-ja i ndërpreu energjinë elektrike. Borxhet kishin kapërcyer nivelin e 500 milionë lekëve të reja dhe ndërmarrjet nuk respektuan afatet për pagesën e detyrimit. U desh ndërhyrja e qeverisë për të zhbllokuar situatën, pasi gjysma e vendit rrezikonte furnizimin me ujë të pijshëm.