E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuneli nuk hapet për 50-vjetorin e radio "Kukësit"

Galeria jugore, e cila ende nuk është e përfunduar, ka pasur dje pasdite një shembje në tavanin e frontit ende të pabetonuar, pikërisht në vendin e cilësuar si problematik për nga përbërja shkëmbore. Sipas burimeve nga ky tunel, mësohet se shembja është rreth 50 m linear, ndërsa nuk ka pasur të dëmtuar nga punëtorët që punojnë aty. Një burim konfidencial tha se një shembje e tillë ishte parashikuar pak a shumë, prandaj, duke vlerësuar shenjat që zakonisht jep një shembje, punëtorët janë shmangur. Pas ndodhjes së shembjes, punëtorët janë tërhequr të gjithë nga galeria për t‘u ruajtur nga ndonjë shpërthim i mundshëm i gazrave apo ujit. Specialistët kanë bërë vlerësimin dhe shkaqet e shembjes, ku rezulton se në këtë pjesë ka masive dherash dhe balte, aty mund të ketë edhe ndonjë degëzim uji i paparashikuar në këtë masiv. Prej disa muajsh ky segment ka sjellë probleme në ecurinë e punimeve në tunel.

Ishte parashikuar që dje, në orën 19:00, një nga portat e tunelit të hapej 15 minuta për të kaluar manifestuesit e 50-vjetorit të radio "Kukësit", por për shkak të avarisë në tunelin jugor, kjo nuk u bë. Edhe gjatë ditës së djeshme, të dyja portat e galerisë së krahut verior kanë qenë të mbyllura dhe në to për turnin e pasdites janë futur vetëm specialistët e tunelit, por puna nuk ka nisur në pritje të vlerësimit të situatës së krijuar. Galeria ende e pavënë në punë ka pasur herë pas here probleme teknike dhe gjeologjike, më shumë se sa galeria veriore që funksionoi deri para një muaji. Burime zyrtare nga firma "Bechel-Enka", të cilat nuk japin hollësi, pohojnë shembjen, ndërsa inxhinierët thonë se edhe herë të tjera ka pasur shembje dhe kjo është një gjë pothuajse normale në punime të tilla. Duhet përmendur fakti që në këtë vepër gjigande ende nuk ka ndodhur aksident me pasojë jetën e personit. Ndërsa rreth një vit më parë, në punë e sipër aty pati ndodhur aksidentimi i një punëtori shqiptar nga Kukësi, një saldator 35 vjeç, ndërsa u lënduan edhe tre punëtorë turq që punonin me të.

S. Dida

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›