E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat "heqin dorë" nga euribori te kreditë

Gjatë gjithë dekadës së fundit, shqiptarët janë mësuar të marrin kredi që kanë për interes referencë liborin apo euriborin, plus një marzh interesi të caktuar nga banka përkatëse. Por gjatë muajve të fundit, kredi të tilla janë rralluar dhe po shkojnë drejt zhdukjes. Shkaku qëndron thjesht në faktin se interesat në tregjet ndërkombëtare janë pothuajse zero, ndërsa bankat kanë marrë pak ose aspak kredi në tregun ndërkombëtar dhe nuk kanë leverdi të japin kredi të tilla. Interesi i euriborit aktualisht varion në 1-2 për qind, ndërsa interesi i liborit 0.24 deri në 1.2 për qind.

Interesi mesatar i kredive me afat mbi pesë vjet, këtë vit ka qenë 7.4 për qind, me një ulje prej 0.6 për qind në krahasim me një vit më parë. Por ulja e kostos së euros në tregun ndërkombëtar ka qenë 3-4 pikë përqindjeje, ulje që është pasqyruar vetëm në mënyrë margjinale në tregun shqiptar.

Treg i vogël dhe i izoluar

Shkaku i mosuljes së interesave të kredive të reja lidhet thjesht me faktin se sistemi bankar shqiptar krediton në shumicën dërrmuese të rasteve vetëm paratë e mbledhura përmes depozitave. Vetëm një pjesë e vogël e kredive janë para të tërhequra në tregun ndërkombëtar. Ky fakt është konsideruar gjithmonë si ana e fortë e sistemit bankar shqiptar, por tani rezulton se fortësia ka një kosto. Gjatë viteve të fundit, një pjesë e bankave kanë preferuar të dominojnë në tregun e kredive duke përdorur para të huajtura nga bankat mëmë, gjë që në vitet 2006 dhe 2007 solli një konkurrencë në rritje në tregun e kredive dhe rrjedhimisht rënien e interesave.

Por gjatë vitit të fundit, shumë banka perëndimore kanë menduar të reduktojnë ekspozimin e vet nga rreziqet që u shfaqën në tregjet e Lindjes dhe tani vlerësohet se ka pak gjasa që interesat e kredive në këto vende të zbuten, siç ka ndodhur në Europën Perëndimore.

Në varësi të depozitave

Sot për sot, interesat e kredive në Shqipëri varen veçanërisht nga interesat e depozitave dhe këto të fundit kanë pasur tendencë rritjeje gjatë të gjithë vitit, për shkak se bankat nuk kanë pasur akses për kredi më të lira në tregun ndërkombëtar. Interesat e kredive 12-mujore në euro kanë qenë mesatarisht 4.45 për qind, me rënie të papërfillshme në krahasim me një vit më parë. Në Shqipëri rreth 60 për qind e depozitave janë kredituar për biznesin dhe individët në vend, ndërsa pjesa tjetër është investuar te borxhi publik dhe në instrumente financiare jashtë vendit.

Në fillim të kësaj dekade, problemi në Shqipëri ishte që pjesa më e madhe e depozitave të shqiptarëve investoheshin jashtë vendit për shkak të tregut të vogël të kreditimit këtu. Kjo tendencë u përmbys pas vitit 2005, por sërish, vetëm një pjesë e vogël e bankave kanë sjellë para nga tregjet ndërkombëtare në ekonominë tonë. Në mungesë të burimeve të financimeve në euro, Banka e Shqipërisë u sugjeroi në fillim të krizës bankave të nivelit të dytë të përqendrohen te kredia në lekë. Por kjo e fundit është gati dy herë më e shtrenjtë se sa kredia në euro dhe ndonjë ndryshim i fortë në këtë drejtim nuk u pa. Për 8-mujorin e këtij viti, rreth 50 për qind e kredisë së re qe në euro, ndërkohë që një vit më parë në euro qe dhënë 57 për qind e kredisë së re.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›