E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekord me shitjen e të drejtës TV

• Federata Shqiptare e Futbollit e ka shitur të drejtën televizive të ndeshjeve të Kombëtares shqiptare deri në maj të vitit 2010.Të drejtën e transmetimit TV e ka blerë kompania “RTL Group”, për një shumë që i kalon tre milionë euro në edicion, çka është një rekord më vete në historinë e Federatës Shqiptare të Futbollit. Lajmin e kanë bërë të ditur burime zyrtare pranë FSHF-së, që kanë pohuar se e drejta e transmetimit të ndeshjeve të përfaqësueses është shitur. Drejtuesit e institucionit të futbollit kanë dashur ta mbajnë të fshehtë këtë, pasi kanë thënë se “RTL Group” është kompania që do të bëjë vetëm rolin e menaxherit për të siguruar blerës, që janë gati të ofrojnë shuma sa më të mëdha parash. Në fakt, kjo kompani televizive e ka blerë të drejtën TV të ndeshjeve të Kombëtares për edicionin e ardhshëm, megjithëse Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka publikuar asnjë shifër konkrete. E drejta e transmetimit TV të ndeshjeve të Kombëtares shqiptare për dy edicionet e kaluara iu shit 3.2 milionë euro në total si paketë kompanisë televizive “Sport Five”, ndërsa tani për një edicion të vetëm, e drejta TV është shitur për një shumë mbi tre milionë euro. Ky është një rekord më vete dhe sigurisht që një shumë e tillë ka dalë jashtë parashikimeve që u bënë pasi u hodh shorti për eliminatoret e Botërorit “Afrika 2010”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›