E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekord papunesie ne Eurozone

Papunësia në Eurozonë për muajin korrik ka qëndruar në nivelin e 11,3% që krahasuar me muajin e mëparshëm ka mbetur e pandryshuar ndërkohë që ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë është rritur me 2 milionë të papunë. Sipas të dhënave të Zyrës Europianë të Statistikave numri i të papunëve regjistrohet në total në 18 milionë persona. Shqetësuese janë shifrat e raportuara nga Spanja ku numri i personave pa një vend pune ka arritur një nivel të ri rekordi në 25,1% në muajin korrik krahasuar me qershorin. Më dramatike situata shfaqet për të rinjtë spanjoll në kërkim të një vendi pune norma e të cilëve ka arritur në 52,9%. Po kështu edhe në Italia është shënuar një rritje e numrit të të papunëve në tremujorin e dytë të vitit në 10,5% apo 2,7% më shumë se një vit më parë. Sipas Istat bëhet fjalë për normën më të lartë të papunësisë që nga viti 1999. Edhe në Francë ka patur një numër më të lartë të të papunëve dhe norma e papunësisë ka shkuar në 10,3%. Ndërsa në ekonominë më të madhe të Eurozonës, Gjermaninë, norma e papunësisë ka mbetur e pandryshuar.
Por në një situatë të tillë të rënduar të rritjes së numrit të personave në kërkim të një vendi pune në vendet e monedhës euro, në Shqipëri të dhënat e zyrës kombëtare të statistikave raportojnë një stabilitet të forcës së punës në tremujorin e dytë të 2012 me një normë papunësie në 13,3% disi më e ulët se norma e regjistruar në tremujorin e parë të vitit. Sipas INSTAT gjatë kësaj periudhe vihet re një rritje e numrit mesatar të të punësuarve në sektori privat jobujqësor me 1,6% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Ndërkohë që në sektorin shtetëror dhe në atë privat bujqësor numri i individëve të punësuar ka mbetur i pandryshuar deri në fund të shtatëmujorit të parë të vitit. Referuar të ardhurave paga mesatare në sektorin shtetëror ka ardhur në rritje krahasuar me vitin e kaluar duke arritur në 48,800 lekë, po kështu edhe pagesa e papunësisë e cila ka arritur në 6.850 lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›