E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekorderët e humbjeve

Skuadra e Mitrovicës ka lënë gjurmë në basketbollin kosovar. Si asnjëherë më parë, ky ekip ka pësuar 28 humbje nga po aq ndeshje të zhvilluara, në pjesën e rregullt të Superligës. Trajneri Eroll Pepiqi thotë se e ka pritur një bilanc të tillë, pasi që mitrovicasit ishin të papjekur dhe jo të barabartë me lojtarët e ekipeve të tjera. Nga Moral Pozhegu më 02 maj 2011 në ora 12:13

Edhe pse pati një sezon katastrofal në BKT Superligën e Kosovës, klubi i basketbollit Mitrovica do të mbahet në mend gjithmonë.

Ky ekip pati bilanc të qindpërqindtë, natyrisht në aspektin negativ, duke pësuar 28 humbje në po aq ndeshje, duke e përfunduar pjesën e rregullt të sezonit në pozitën e fundit të tabelës.

Mitrovica e nisi sezonin 2010/11 me lojtarë të rinj dhe të papërvojë. Trajneri Eroll Pepiqi thotë se nuk kishte pritur më shumë nga basketbollistët e tij, ngase kualiteti i tyre me lojtarët e ekipeve të tjera dallon si nata me ditën.

“E kam pritur një rrjedhë të tillë të kampionatit. Nuk kemi qenë të denjë asnjëherë, sepse nuk kishim kualitet të mjaftueshëm. Por, për hir të ligës, vendosëm të marrim pjesë në Superligë. Nuk kemi pasur buxhet, nuk kemi pasur kushte për të stërvitur, kushtet në përgjithësi ishin të rënda”, deklaroi trajneri mitrovicas për Express.

Ish-basketbollisti mitrovicas, para fillimit të sezonit kishte në dispozicion disa lojtarë më cilësorë, të cilët kishin shkuar në Turqi. Më pas, çdo shpresë për të bërë diçka këtë sezon, ishte shuar.

“Lojtarët ishin të papjekur, larg për nga cilësia nga lojtarët e ekipeve të tjera, kështu që nuk kishim forcë për të bërë diçka. Do të ishte mrekulli për ne po ta shënonim ndonjë fitore”, shtoi ai.

Sidoqoftë, Pepiqi nuk e ka ndërmend në asnjë mënyrë që ta hedhë poshtë djersën që e derdhën djelmoshat mitrovicas gjatë tërë sezonit.

“Dëshiroj të cek se nuk dua t’ua humb mundin dhe vullnetin që e kishin lojtarët. Ata e kanë dhënë maksimumin dhe i kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë e tyre. Por, realiteti i Superligës ishte ndryshe”, thotë ai.

Pepiqi nuk ka vendosur ende nëse do ta udhëheqë ekipin e Mitrovicës edhe sezonin e ardhshëm apo jo. Ai e ka ndërmend të ulet dhe të bisedojë me kryesinë. Nëse ‘Xehetarët’ do t’i kenë kushtet e njëjta edhe sezonin e ardhshëm dhe nëse kanë grup të njëjtë të basketbollistëve, ai paralajmëron se vështirë që mund të mbetet në krye të këtij ekipi.

Përpos Mitrovicës, nga qyteti buzë lumit Ibër në BKT Superligë marrin pjesë edhe dy skuadra të tjera, Trepça dhe Bambi. Në mos më i keqi, ky ishte njëri prej sezoneve më të këqija që e kalon një skuadër e basketbollit, në Kosovën e pasluftës.

Vakitë e Mitrovicës

Trajneri Eroll Pepiqi ka treguar se gjatë sezonit përveç rezultateve negative është përballur me raste të ndryshme dhe të pazakonta. Njëri prej tyre ishte më interesanti.
“Nuk kemi pasur lojtarë të mjaftueshëm, sa që ka pasur raste kur kemi shkuar t’i mbledhim nëpër shkolla, pasi që një pjesë e mirë e tyre ishin ende në shkollë të mesme”, përfundoi ai.

BKT Superliga – xhiroja e 28-të

Rezultatet
Mitrovica – Bambi66:94
Peja – Kosova107:80
Trepça – K. EuroSport88:84
Bashkimi – S. Prishtina

TabelaNdPi
1. Sigal Prishtina 2752
2. Peja2850
3. Bambi2749
4. Trepça2741
5. Kolegji EuroSport2838
6. Kosova2836
7. Bashkimi2735
8. Mitrovica2827

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›