E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të jemi edhe më shumë

Futbollistët kosovarë e kanë vërshuar kampionatin suedez këtë vit. Mesfushori i Helsingborgut, Ardian Gashi thotë se në të ardhmen do të ketë edhe më shumë kosovarë në Suedi. Ai mendon se kjo do të ndodhë, sepse në Kosovë mund të gjenden lojtarë të mirë, me çmim të arsyeshëm. Nga Express më 02 maj 2011 në ora 12:11

Kampionati suedez është bërë shënjestër e futbollistëve kosovarë. Vetëm gjatë dimrit, në Allsvenskan u transferuan katër lojtarë nga Kosova. Bëhet fjalë për Valdet Ramën, Kushtrim Lushtakun (Orebro), Liridon Lecin e Alban Dragushën (Kalmar), por shumë shpejt, elitës së futbollit suedez pritet t’i bashkohet edhe Shqipëron Skeraj, i cili pritet të nënshkruajë me Djurgardenin.

Mirëpo, zbarkimi i lojtarëve të këtushëm në vendin skandinav nuk e ka ndërmend të ndalet. Për këtë është i sigurt mesfushori i Helsingborgut, Ardian Gashi, i cili është njëri prej lojtarëve kosovarë që ka arritur suksese në futbollin suedez duke fituar Kupën e Suedisë, sezonin që shkoi.

Mesfushori gjakovar është i bindur se në të ardhmen futbollin suedez do ta vërshojnë edhe lojtarë të tjerë nga Kosova. “Do të ketë gjithnjë e më shumë lojtarë nga Kosova, në futbollin suedez”, është i bindur 29-vjeçari.

Në kampionatin suedez luajnë rreth 14 futbollistë shqiptarë, ndërsa Skeraj mund të jetë i 15-ti. Mediat suedeze i krahasojnë ata me futbollistët brazilianë, të cilët në të kaluarën ishin pjesë e klubeve suedeze në numër të madh.

“Mund të themi ashtu. Ndoshta për shkak se në Kosovë është tregu më i lirë në Evropë. Atje ke mundësi të marrësh lojtarë të mirë, me pak para”, shton motori i lojës së Helsingborgut për uebfaqen suedeze, aftonbladet.se.

Lojtarët shqiptarë që luajnë në Suedi janë kryesisht lojtarë ofanzivë, njëjtë si ata brazilianë.

“Janë lojtarë që e duan topin, dëshirojnë të driblojnë dhe ta zbavitin publikun me diçka të veçantë. Mendoj se ka të bëjë me kulturën. Në Suedi je i dobishëm nëse luan me skuadrën, kolektivisht. Kurse, në Kosovë, një gjë të tillë duhet ta bësh i vetëm. Nuk mund të presësh që dikush tjetër të të ndihmojë. Ky fakt përcillet edhe në futboll. Shumica e personave janë individualistë”, vazhdoi Gashi.

Lojtarët shqiptarë që luajnë në Suedi kanë histori të ndryshme. Disa prej tyre kanë migruar drejt Skandinavisë në kohën e luftës në Kosovë, ndërsa disa të tjerë kanë shkuar për të luajtur atje me ndërmjetësimin e përzgjedhësit të Kosovës në futboll, Albert Bunjaku, i cili ka kontakte me klubet suedeze.

Përpos që luajnë në Suedi, lojtarët shqiptarë po ashtu arrijnë edhe suksese. Sezonin që shkoi, Agon Mehmeti e Dardan Rexhepi me Malmon u shpall kampion i Suedisë, kurse Ardian Gashi e fitoi Kupën e Suedisë.

Aktualisht, në elitën e futbollit suedez luajnë Ardian Gashi (Helsingborg), Anel Raskaj, Kujtim Bala (Halmstad), Etrit Berisha, Alban Dragusha, Liridon Leci (Kalmar), Dardan Rexhepi, Agon Mehmeti (Malmo), Astrit Ajdarevic, Shpëtim Hasani (Norrkoping), Fisnik Shala (Trelleberg), Kushtrim Lushtaku, Valdet Rama (Orebro), Gëzim Istrefi (Gais) etj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›