E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekordi i maratones thuajse u thye ne Frankfurt te Gjermanise

Një tjetër rekord i maratonës thuajse u vendos dhe sërish në Gjermani. Keniani Uilson Kipsang fitoi garën e Frankfurtit me kohën 2 orë, 3 minuta e 42 sekonda, duke mbetur vetëm 4 sekonda larg rekordit të vendosur në shtator po të këtij viti nga Patrik Makau në Berlin.

Kipsang dhe 5 vrapues të tjerë ishin brenda arritjes së rekordit të ri, ndërsa ishin shkëputur në mesin e garës, veçse ritmi ra fare pak duke mos bërë të mundur dhënien e një kohe më të ulët.
Kur kishin mbetur 7 km deri në përfundim, Kipsang u shkëput nga vrapuesit e tjerë duke fituar në mënyrë të shkëlqyer këtë garë të vështirë.

I dyti doli patrioti i tij 29-vjeçar, Levi Matebo me kohën 2 orë, 5 minuta e 16 sekonda, ndërsa i treti ishte po një kenian, Matebor me 9 sekonda më shumë sesa vendi i dytë.

Për femra, maratonën e Frankfurtit e fitoi etiopiania Mamitu Daska me kohën 2 orë, 21 minuta e 59 sekonda, duke përmirësuar rekordin personal me mëshumë se dy minuta.

Në vend të dytë doli një tjetër përfaqësuese e Kenias, Anjez Kiprop, me kohën 2 orë 23 minuta e 54 sekonda, ndërsa e treta doli Flomena Kepçirçir, gjithashtu e Kenias, me kohën 2 orë 24 minuta e 21 sekonda.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›