E Diel, 1 Nëntor 2026

Rekordi i nënkryetarit të KLD-së, kundërshton çdo projekt reforme në institucionin e tij

Komisioni i Ligjeve diskutoi dje projektligjin “Për Gjykatat Administrative”, me argumentime që u kundërshtuan me shkresa nga deputetët si dhe nga përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë

TIRANE - Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka konsumuar dje një tjetër provokim, jo vetëm të panevojshëm ndaj deputetëve të shumicës dhe Ministrisë së Drejtësisë, por mbi të gjitha ka dëshmuar një nivel të ulët serioziteti në raport me postin që mban, duke artikuluar akuza politike dhe dhënë shfaqje përpara deputetëve të opozitës. I pranishëm dje paradite në punimet e Komisionit Parlamentar të Ligjeve për të dhënë mendimet e KLD-së mbi projektligjin për krijimin e Gjykatës Administrative, Spahiu ka akuzuar Ministrinë e Drejtësisë për mungesë transparence lidhur me këtë draft duke u ankuar si për mungesën e kohës së mjaftueshëm për ta studiuar atë ashtu edhe pretendimin se projekti ishte marrë vetëm nga faqja e internetit e ministrisë dhe nuk ishte dërguar në rrugë institucionale.
Këto akuza kanë shkaktuar reagimin e ashpër të deputetit demokrat, Eris Hoxha, i cili demonstroi një faksimile në bazë të së cilës KLD kishte marrë në dorë projektligjin që në 1 tetor 2008, pra mbi dy muaj e gjysmë më parë.
Ndaj akuzave të Spahiut, ka reaguar edhe Drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhaferrllari, sipas së cilës në përputhje me ligjin KLD është njoftuar ashtu sikurse të gjitha institucionet e interesuar mbi këtë draft. “Ligji nr. 9000 në nenin 24 të tij parashikon procedurën e bashkërendimit në draftimin e akteve. Është detyrim ligjor i Ministrit të Drejtësisë, i detajuar në vendimin e Këshillit të Ministrave për të dërguar për vendim aktet e draftuara të të gjitha subjekteve të interesuara. Në materialet e depozituara në Komisioni e Ligjeve, kemi depozituar listat e subjekteve të interesuar të dërguara projektligjin për Gjykatat Administrative në të cilat ka qenë edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. I është dërguar për vendim, ka qenë ditë e mërkurë kur është dërguar ky vendim, numri i protokollit i shkresës është 6808, i është caktuar një afat i shpejtë për të dhënë një vendim, sikundër të gjithë subjekteve e tjera të interesuara. Ministria e Drejtësisë nuk ka kursyer asnjë vendim, madje ka bërë përpjekje për t’i reflektuar të gjitha vërejtjet edhe nga subjektet e tjera të interesuara”, u shpreh Drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhaferrllari.
Duke cituar përgjigjen refuzuese për të dhënë mendim nga ana e KLD-së, për këtë projektligj, Xhaferrllari deklaroi se “Përgjigja nga KLD ka qenë se nuk mund të japim vendimin tonë brenda këtij afati sepse jemi me shërbim jashtë shtetit”.
Projektligji “Për gjykatën administrative” i hartuar nga Ministria e Drejtësisë parashikon krijimin e një sistemi gjyqësor të gjykimit administrativ jashtë praktikave korruptive, me synim, mbrojtjen e individit dhe biznesit ndaj praktikave abuzive të administratës shtetërore. Ai është hartuar nga një grup ekspertësh të sistemit gjyqësor, në bashkëpunim me ekspertë francezë dhe gjermanë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›