Kreshnik Spahiu dje zgjodhi të bëjë karagjozin, më parë nuk i kishte kursyer falënderimet për Alibeajn
Shkresat që denoncojnë abuzimin dhe gënjeshtrat e zëvendëskryetarit të KLD-së
TIRANE - Kreshnik Spahiu gënjeu dje, kur tha se projektligjin “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, e kishte gjetur falë zotësive të tij, në njohjen dhe përdorimin e internetit. Bashkë me këtë gënjeshtër, ai shkoi edhe më tej, kur tentoi të bëjë show inteligjencë, me demonstrimit të aftësive të njohjes dhe përdorimit të internetit dhe paaftësive për të lexuar e kuptuar shkresat zyrtare për të njëjtin argument.
Megjithëse kreshnik Spahiu, sipas pretendimeve të tij kishte zgjedhur për të gjetur këtë projektligj “navigimin” në internet, këtë mundësi, më herët, ia kishte dhënë Ministria e Drejtësisë, kur me shkresën Nr. 6808 prot., datë 25. 09. 2008, i është dërguar për mendim projektligji “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”.
“Duke qenë se kjo nismë ligjore është mjaft e rëndësishme në kuadrin e reformave të ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë në sistemin e drejtësisë, komentet dhe sugjerimet tuaja do të ishin të mirëpritura dhe të dobishme për konsolidimin e mendimit përfundimtar mbi këtë nismë, si dhe njëkohësisht rritjes së transparencës me grupet e interesit. Për këtë arsye ju lutemi që komentet dhe sugjerimet tuaja të paraqiten pranë ministrisë së Drejtësisë brenda datës 29, 09. 2008”, thuhet në shkresën që shoqëronte projektligjin “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative” dhe që personalisht Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, i kishte nisur KLD-së.
Në datën 29. 09. 2008, kur KLD-ja duhet të kthente komentet dhe sugjerimet e kërkuara prej Ministrisë së Drejtësisë, personalisht Kreshnik Spahiu, zëvendëskryetari i KLD-së, me një frazë elokuente, ku nuk mungonte edhe xhentilesa, falënderon Ministrin e Drejtësisë Enkelejd Alibeajn, “për mundësinë e përfshirjes mbi këtë projektligj”.
Më poshtë, duke u vetëpërjashtuar nga komentet dhe sugjerimet për dhënien e mendimeve për projektligjin “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, Kreshnik Spahiu bën të ditur edhe arsyen “madhore” sipas tij një udhëtim jashtë shtetit, që “pengoi” (mos)reagimin në kohë.
“Nuk ka qenë e mundur të kontaktohen për mbajtjen e një qëndrimi lidhur me projektligjin përpara datës 29. 09. 2008, për shkak të një vizite zyrtare jashtë shtetit”, justifikohet Spahiu, në shkresën dërguar Alibeajt.
Justifikimi i djeshëm, i vetëm në llojin e tij nga Kreshnik Spahiu, është i vetmi nga përfaqësuesit e 13 institucionet e tjerë, që nuk i mjaftonte koha sepse ishte jashtë shtetit, të cilave Ministria e Drejtësisë, ju kishte dërguar projektligjin, “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, bashkë edhe me kërkesën për komente dhe sugjerime.