Rekordmenët e kopjimit, studentët shkruajnë leksionet në faqet e murit (FOTO)
—-Nga Kliti Topalli—-
Tiranë Ajo që ndodh ne fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, është padyshim e denjë për Rekordet Guinness. Metoda që kanë zgjedhur studentët atje për të kopjuar është unike në praktikën e studentëve që zgjedhin kopjen si mënyrë për të marrë notë kaluese në provime.
Ata kanë shkruar leksionet, me mikrogërma, në faqet e murit të sallës, në tavolina dhe mbështetëset e karrigeve, duke demonstruar një vullnet dhe durim të hekurt.
Sipas pedagogëve, ky është një fenomen mjaft shqetësues për degën e Letërsisë, Hisori-Gjeografisë dhe Gazetarisë, pasi muret në auditoret ku zhvillohet mësimi janë tërësisht të shkruara me materiale të ndryshme nga studentët. Siç shihet në foto, kudo ka shkrime si në mure, në banga e karrige, ndërsa nuk mungojnë dhe kopjimet e fundit teknologjike me telefona, etj.
Nga vëzhgimet e kryera nga platforma IDEA, janë vënë re që në të gjitha muret e klasave ku zhvillohen provime ka një numër të madh shkrimesh, ku mbizotërojnë ato nga dega e Historisë apo Letërsisë dhe sigurisht që nuk mungojnë kopjet dhe nga degët e tjera.
Ne kemi arritur të kontaktojmë një student që është pjesë e këtij fakulteti, i cili është midis atyre personave që për arsye të ndryshme shumë pjesë të leksioneve i shkruan në mure apo banga, në mënyrë që pastaj ti kopjojë gjatë orës së provimit. Ne nuk mund ta bëjmë dot publik emrin e tij, por më poshtë po shkëpusim një pjesë të intervistët që kemi zhvilluar me të.
Pse të duhet të kopjosh?
Unë personalisht përveç shkollës jam edhe në punë dhe mundësitë për të studiuar janë të pakta. Kjo më bën që të gjej një rrugëzgjidhje tjetër. Por duhet thënë që është një fenomen që nëse mësohesh me të përpiqesh që nëse të jepet mundësia të kopjosh gjithmonë në provime.
Mund të na i tregosh me pak fjalë si bëhet procesi i kopjimit?
Atëherë nese marrim një shembull, provimi do të jetë në orën 10:00. Unë vi në klasë që nga ora 09:40, pra kam kohë rreth 20 minuta që nga momenti që fillon provimi. Në këtë mënyrë, një pjesë të leksioneve, domethënë disa informcione që unë mendoj që do të bien në provime i shkruaj ty. Kjo pasi provimet tek ne janë teorike dhe ka shumllojshëmri informacioni. Pra ulem në krahun pas murit dhe duke shfytëzuar shkrimet e tjera në mur, shkruaj ato informacione që unë nuk i mbaj mend apo më duken të vështira. Në këtë mënyrë pedagogët nuk e kuptojnë nëse ka shkrime të reja.
Është e vështirë që më pas ti kopjosh ato informacione?
E vështirë në kuptimin që aty ka lloj lloj shkrimesh dhe harron ku i shkruan…
Jo do të thoja, pedagogët nuk ju tërheqin vëmendje?
Normalisht që ka raste kur profesori e vëre që po kopjon, por janë shumë të rralla. Nëse i ke shkruajtur informacionet është e lehtë ti lexosh, pasi kap momentet kur pedagogu nuk e ka mendjen tek ti dhe ai nuk arrin dot ta vërtetojë nëse ti ishe apo jo duke kopjuar sepse ka shumë shkrime.
Po mënyra të tjera kopjimi ti ke përdorur, apo persona të tjerë që ti njeh?
Një pjesë e madhe studentëve, për të mos thënë shumica kopjojnë. Disa shkruajnë në mure, një pjesë tjetër masive në baga, në duar etj. Teknologjia e fundit ka bërë që telefonat celuarë të kenë qartësi në fotogarfim dhe në këtë mënyrë studentët i fotografojnë shumicat e leksioneve dhe më pas i lexojnë nga celulari në orën e provimit. Ka nga ata që përdorin kufje dhe është dikush nga jashtë që i ndihmon. Pastaj fenomeni masiv është zvogëlimi i kopjeve tek qendra e fotokopjeve. Pra të gjitha leksionet nëpërmjet fotokopjeve dixhitale zvogëlohen në miniaturë dhe më pas studentët i kopjojnë në orën e provimit?
Po masa ndëshkimore nga pedagogët ka?
Sigurisht. Nuk mund të themi që nuk ka, pasi ka nga ata që nëse të shohin duke kopjuar të nxjerrin direkt nga jashtë, por ka edhe nga ata që të tërheqin vëmendjen dhe të paralajmërojnë.
Ty të duket e ndershme që të kopjosh, pasi në fund të fundit çdokush duhet të marrë atë që meriton?
Nuk do e quaja e ndershme, por do thoja që nuk ështe etike. Por besoj që kjo qëndron në aftësinë e gjithësecilit, nëse unë arrij të kopjoj atëherë është merita ime. Pedagogu nuk duhet ta lejojë këtë gjë.
Përgjegjësi i departamentit të Gazetarisë, Artan Fuga, shprehet se ky fenomen ndodh nga studentët e dobët dhe fajtor nuk janë pedagogët. Sipas tij gjithçka është në personalitetin e studentëve dhe shumica prej tyre nuk mendojnë për të ardhmen.
“Kjo është një dukuri e dhimbshme, sigurisht pedagogët bëjnë çmos që të ndalojnë kopjimin, por nganjëherë ka studentë që duhet të jesh i vëmendshëm se mos kopjojnë edhe me celular, edhe me biseda para e mbrapa, edhe me fletore, edhe me shkrime në duar, edhe në mure, etj. Por, kjo nuk është e përgjithshmja, janë studentë të dobët ata që e bëjnë këtë, kanë hyrë në një rrugë të gabuar, edhe nëse arrijnë të marrin një diplomë, karriera e tyre është e mbyllur sepse nuk kanë cilësinë e përgatitjes”,- shprehet Fuga.
Por sigurisht që ka edhe nga ata studentë cilësorë që nuk tentojnë të kopjojnë por kanë ardhur në fakultet për të përforcuar dijet e tyre dhe e dënojnë tërësisht këtë akt, duke bërë dhe fajtor sistemin aktual në vend, ku ende gjetja e një vendi pune nuk bëhet në bazë të cilësisë. Një ndër ta është edhe Arze Bunguri, studente e vitit të parë master në Marrëdhënie me Publik, e cila ka mbaruar Gazetari, dhe shprehet se ky fenomen nuk duhet të ndodhë.
Mendoj se fillimisht është faji i studentëve sigurish. Studentët, të gjithë duhet te ndërgjegjësohen per rolin qe ka universiteti. Universiteti nuk është shkollë e detyrueshme, ne shkojmë për të marrë dije, për tu aftësuar që më pas të konkurojmë në tregun e punës. Megjithate ndoshta këtu qëndron edhe problemi. Nuk ekziston konkurenca në tregun e punës, kështu që një pjesë e studentëve përpiqen të marrin diplomën në mënyra të ndryshme, sepse vendin e punës e kanë të sigurtë, nuk varet nga aftesitë e tyre,- shprehet ajo.
Sigurisht që procesi i kopjimit në provime është një fenomen që ndodh në shumë universitete, madje sipas studentëve janë një pjesë e madhe ata që përpiqen thjesht të marrin një diplomë pa menduar për aftësitë e tyre dhe shfrytëzojnë të gjitha mënyrat e mundshme për të dalë mirë në provime.
Kopjet e studentëve në faqet e murit
◄ Back
Next ►
Picture 1 of 21