Rama: Basha ndërton rrugica për elektorat, Bashkia: Jemi larg politikës
Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka forcuar qëndrimin e pak ditëve më parë duke thënë se sapo opozita të vijë në pushtet do ta anulojë planin rregullues të Tiranës, i firmosur të shtunën nga kryeministri.
Në një bashkëbisedim me gazetarët ai u shpreh se plani urbanistik për kryeqytetin ka qenë gati, por asnjë herë nuk u miratua nga Këshilli Rregullues i Territorit, ndërsa shtoi se plani aktual është i gjithi një projekt korruptiv dhe manipulativ.
Tirana, ndryshe nga propaganda e Berishës dhe kryetarit të Bashkisë që është falë KQZ-së dhe jo falë qytetarëve e ka pasur planin rregulles gati. Ka qëndruar në sirtar dhe nuk i është dhënë aprovimi në Këshillin e Rregullimit të territorit. Ka shërbyer edhe si platformë në fushatë. Nëse plani i ri do të ishte përmirësim i atij ekzistues nuk do kisha asnjë plan. Ai është batërdi korruptive dhe dritëshkurtësi në raport me qytetin. Për këtë arsye do anulohet,- tha Rama.
Më tej kryesocialisti deklaroi se restaurimi i rrugëve të kryeqytetit po bëhet për fushatë lektorale, ndërsa shtoi se kryebashkiaku Lulzim Basha nuk e mbajti premtimin për të ulur çmimin e bukës.
Dy vjet dhe asgjë. Vetëm në kutinë e televizorit anonçime dhe përralla. Tani inagurime dhe kudo janë vendosur tabela rrugësh dhe vetëm rrugë nuk bëhen. Ato sjanë as rrugë, por rugica. Nuk e di ku janë projektet e Tiranës dhe ku është çmimi i bukës, premtoi se do e ulte, ku është?- vijoi ai.
Pak minuta më pas reagoi edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Luzim Basha, i cili gjatë inagurimit të punimeve në çerdhen numër 35 i ka bërë thirrje kryesoclistit të mos sulmojë Bashkinë, ndërsa shtoi se asnjë prej veprave të kryera këto ditë nuk ka qëllime elektorale.
U them kandidatëve të PS në Tiranë të qetësohen. Të mos frikësohen nga investimet në Tiranë,- tha Basha.