E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekordmeni i Boca Juniors

Sulmuesi me eksperiencë, Martin Palermo, e ka shfrytëzuar fitoren me rezultat 4:0 ndaj Arsenal de Sarandi të hënën, për t’u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve në ekipin e Boca Juniors, me 220 gola.

Përfaqësuesi argjentinas e ka kaluar legjendarin, Roberto Cherro, i cili e mbante rekordin që nga viti 1930. Palermo e futi topin në rrjetë pas nëntë minutash, kur e mori një top nga mesfushori Juan Riquelme. Palermo e ka shijuar çdo gol të shënuar me ekipin argjentinas, por thotë se ai i së hënës ishte njëri prej më të veçantëve për të.

“E prisja qe një kohë të gjatë ndeshjen e së hënës dhe shpresoja që të shënoja. Po e shijoj me të vërtetë këtë moment, pasi e kam thyer rekordin. Ky gol nuk ishte i rëndësishëm vetëm për mua, por edhe për ekipin dhe për fansat”, tha 36 vjeçari.

“Tash jam i relaksuar, pas kësaj arritjeje. Po mundohem ta ndaj gëzimin me fansat dhe me familjen time. Jam i sigurt se do ta shijoj këtë rekord gjithmonë, edhe kur të pensionohem”, tha në fund Palermo, që kishte një eksperiencë edhe në Spanjë, me ekipet Villarreal, Real Betis dhe Alaves, prej nga u transferua në Boca Juniors në vitin 2004.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›