E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurdët, atentat shqiptarëve, plagoset greku

Një shtetas grek ka mbetur i plagosur rëndë dje në mëngjes, pasi u qëllua aksidentalisht gjatë një përleshje me armë mes disa shqiptarësh e kurdësh në mes të rrugës, në një lagje të Athinës. Sipas agjencisë së lajmeve NOA, ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së diel, në 01.30, në rrugën "Aleksandras", nr. 69, pranë parkut të fëmijëve, te zona e njohur në Athinë si "Kipseli". Policia deklaroi se dy shtetas kurdë, hipur në një autoveturë, iu sulën një 25-vjeçari shqiptar, i cili gjendej mbi motoçikletë, gati për të lëvizur. "Dy kurdët e qëlluan të riun shqiptar me armë zjarri, pistoleta, por qitja u rezultoi e dështuar, sepse plumbat i mori një burrë që po kalonte rastësisht aty pranë, në trotuar, duke bërë që ai të plagosej", deklaroi policia. Viktima u dërgua në spitalin shtetëror të Athinës, ku u bë e ditur se 50-vjeçari kishte marrë plagë në pjesën e pasme të kofshës, por nuk ka rrezik për jetën e tij. Nga hetimet e kryera, doli se incidenti nisi në një lokal pranë vendngjarjes dhe sebep u bë një femër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›