E Diel, 1 Nëntor 2026

Rektorët: Ligji i ri për Arsimin e Lartë, antikushtetues

Universitetet refuzojnë ligjin e ri sepse nuk janë pjesë e vendimmarrjes


Konferenca e rektorëve ka kërkuar ndryshimin dhe përmirësimin e disa neneve të ligjit të arsimit të lartë, të cilat nuk janë marrë parasysh nga ministri i Arsimit. Kanë qenë vetë rektorët të cilët të mbledhur në konferencën e radhës kanë deklaruar hapur kundërshtimin e tyre

për disa nene të ligjit të ri për arsimin e lartë, dhe kryesisht nenin për DND, i cili ka ndryshuar me rregullat e reja për universitetet që paraqiten në ligjin e ri, si edhe vendimmarrjen në universitete e cila do të ketë ndërhyrje edhe nga vetë presidenti i vendit. Lidhur me këtë deklarata e rektorit Shezai Rrokaj është përqendruar pikërisht në lirshmërinë që Ministria e Arsimit i jep Institucioneve të jashtme siç është Presidenca, dhe heqjen e të drejtave të institucioneve përgjegjëse të vendimarrjes ku kjo e fundit nuk është më prioritet I Rektoratit apo Universiteteve, apo grupeve të interesit. Ndër të tjera ka qenë edhe kryetari I Konferencës së Rektorëve prof, Dhori Kule i cili ka deklaruar se Ministria e Arsimit është duke shkelur çdo etikë për ligjin e Arsimit të Lartë në të cilin disa nene janë antikushtetuese dhe duhet të rishikohen edhe njëherë nga grupet e interesit. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se disa nene të këtij ligji janë antikushtetuese ndaj është domosdoshmëri rishikimi i tij. Dekani i Fakultetit Filologjik, Shezai Rrokaj ka sqaruar ndryshimet që nuk janë në koherencë me rregullat e universiteteve si edhe me ecurinë e mbarëvajtjen e studimeve janë ato që kanë të bëjnë me autonominë e  Universiteteve e cila për shkak të neneve të paqarta e me probleme duket sikur do të cënohet.


Ankesa
Rektorati i Tiranës i ka bërë edhe një kërkesë kryeministrit Sali Berisha për rishikimin e propozimeve që profesorët i kanë bërë këtij ligji, propozime që nuk janë shqyrtuar nga ministri i Arsimit. Në ankesën e dërguar Kryeministrit rektorati ka sqaruar kundërshtimet në ligj, të cilat kanë të bëjnë me diplomat e nivelit të dytë, por edhe me përgjegjësitë që i jep ky ligj presidentit të vendit, për emërimet e drejtuesve në Universitete. Në lidhje me këtë të fundit nga ana e rektoratit të Universiteteve i është kërkuar Ministrisë së Arsimit për një ritakim në lidhje me nenet e kundërshtuara nga ta por edhe nga grupet e interesit. Por edhe pas disa sinjalizimesh MASH, nuk ka konfirmuar asnjë takim me palët e interesuara duke e anashkaluar shqetësimin dhe kundërshtimet e rektoratit e të studentëve për Ligjin e ri të Arsimit të Lartë. Prej disa vitesh disa nene të Ligjit të Arsimit të Lartë janë kontestuar nga profesorët, të cilët kërkojnë më shumë autonomi pasi sipas tyre kjo do të sjellë edhe një tjetër cilësi në universitete. Kështu në projektligjin e dorëzuar javën e shkuar në qeveri, për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë, sqarohet se profesorët të cilët japin mësim në shtet, janë të lirë të angazhohen me punë edhe në institucionet e tjera private të arsimit të lartë. Sipas projektligjit nga angazhimet e tepruara nuk lejohen të përfshihen dekanët e universiteteve apo edhe vetë rektori. Ndërkohë që leja për të kryer veprimtari për stafet akademike, në rastin më të thjeshtë duhet të aprovohen nga titullari. Por ndryshimet në legjislacion propozojnë që miratimi të mund të merret si nga rektori ashtu edhe nga ministri i arsimit.


Projektligji
Personeli akademik i punësuar me kohë të plotë në një institucion të arsimit të lartë, publik ose privat, ka të drejtë me miratimin e titullarit të njësisë kryesore dhe të institucionit të arsimit të lartë, të angazhohet si personel akademik i ftuar me kohë të pjesshme në një IAL tjetër, publik ose privat brenda dhe jashtë vendit, shkruhet në projektligj. Sipas projektligjit të ndryshuar, autoritetet drejtuese, rektor, dekan dhe ato të njësuar me to, nuk kanë të drejtë të angazhohen me kohë të plotë në veprimtari, mësimdhënie, kërkim apo në veprimtari të tjera, në institucionet e tjera të arsimit të lartë, publik ose privat, brenda ose jashtë vendit. Lejohen vetëm me kohë të pjesshme, pas miratimit, përkatësisht të ministrit të Arsimit dhe Shkencës ose rektorit.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›