E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rektori i Vlorës: “Ja pse nuk e jap dorëheqjen”

Autori i Lajmit: red.
Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, Tanush Shaska, pranon se gjatë këtyre ditëve, i ka shkuar disa herë në mendje për të dhënë dorëheqjen nga detyra e tij, por në fund ka vendosur për jo. “Kjo për vetë faktin se akuzat dhe shpifjet në adresën time kanë qenë mjaft banale, të ashpra, dhe të padrejta”, - ka argumentuar Shaska. Më tej ai ka pohuar se ndërkohë, ka marrë me dhjetëra e-maile nga e gjithë bota, të cilët e kanë nxitur të mos tërhiqet në atë që ka nisur për ta çuar përpara. Në këtë pikë, Shaska deklaron se ka vendosur që “atë betejë të nisur gjashtë muaj më parë, ta çojmë deri në fund”, duke siguruar: “Unë do të jem rektori juaj deri në fund të mandatit”. Përfundimisht dje, rektori i Universitetit të Vlorës ka thënë për mediat se ka vendosur të mos e japë dorëheqjen, pavarësisht faktit se e ka menduar një gjë të tillë nisur nga polemikat e fundit mbi emrin e institucionit të lartë arsimor, “Ismail Qemali”. Ai ka shpjeguar edhe arsyet pse ai propozoi ndryshimin e emrit. “Duke u nisur thjesht nga arsye akademike dhe duke mos pasur parasysh anët e tjera historike dhe shoqërore, i propozova senatit ndryshimin e emrit nga Universiteti "Ismail Qemali" i Vlorës në Universiteti i Vlorës. Kjo duket se është kthyer në një problem kryesor të mediave, ditët e fundit, dhe ka shkaktuar mjaft reagime nga opinioni publik mbarëkombëtar”, - pohon rektori Shaska në deklaratën që i ka dërguar dhe stafit akademik të universitetit që ai drejton. Në këtë pikë, ai deklaron se “dua t u kërkoj të falur bashkëqytetarëve të mi dhe gjithë atyre shqiptarëve që janë ofenduar nga ky propozim”, duke sqaruar: “Ismail Qemali është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë dhe idhulli im për patriotizmin dhe kontributin e tij për Vlorën dhe të gjithë Shqipërinë”. Rektori siguron se “në asnjë rast, as unë dhe asnjë anëtar i senatit nuk ka pasur si synim të cenojë figurën e Ismail Qemalit”. Rektori gjithashtu i kërkon ndjesë familjes së Ismail Qemalit “për çdo shqetësim që mund të ketë shkaktuar ky propozim”, duke evidentuar këtu dhe faktin se “familjet tona kanë pasur lidhje të hershme që janë ruajtur deri vonë”. Rektori thekson se për vetë faktin se “patriotizmi dhe dashuria për Shqipërinë kanë qenë të vetmet konstante në jetën time plot rrëmujë”, ai është “vrarë thellë në zemër, që shumë njerëz kanë vënë në dyshim patriotizmin tim dhe qëllimet e mia të këtij propozimi”. Duke ilustruar këtë ndjenjë, Shaska evidenton se “ishte dashuria për Vlorën dhe Shqipërinë ajo që më ka shtyrë të lë gruan dhe katër fëmijë në SHBA dhe të kthehem në Shqipëri për të bërë diçka konkrete për Vlorën dhe universitetin e saj”. Rektori Shaska tregon se “planet e mia për Vlorën dhe universitetin janë tepër ambicioze dhe disa prej tyre kanë filluar të realizohen” dhe shton: “Ne synojmë pikat më të larta të shkencës botërore për universitetin tonë”. Rektori Shaska pranon më tej se, gjatë këtyre ditëve, “më ka shkuar disa herë mendja për të dhënë dorëheqjen”, duke argumentuar: “Kjo për vetë faktin se akuzat dhe shpifjet në adresën time kanë qenë mjaft banale, të ashpra dhe të padrejta”. Shaska pohon se ndërkohë, ka marrë me dhjetëra e-maile nga e gjithë bota, të cilët e kanë nxitur që “të mos tërhiqem dhe që atë që kemi nisur, ta çojmë përpara”.
Ky lajm është publikuar: 02/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›