E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: “Do të ngremë komision hetimor për Ramën dhe Berishën”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka denoncuar atë që, sipas saj, është afera e dytë korruptive Berisha–Rama. Sipas sekretarit të Pëgjithshëm të kësaj partie, Petrit Vasili, ligji i sportit, i miratuar mes kundërshtish në një prej seancave të fundit plenare, ka pasur si qëllim shkatërrimin e ambienteve të sportklub “Partizani”, për të ndërtuar aty pallate banimi, nën pronësinë e dhëndrit të Kryeministrit. Tonet e ulëta dhe kërkesat për bashkëpunim të pak ditëve më parë, do të zëvendësohen me 2 komisione hetimore për Kryebashkiakun dhe Kryeministrin, me kërkesë të LSI. Kjo parti ka zbuluar se në projektet e Bashkisë së Tiranës, për betonizimin e ambienteve të kryeqytetit, është dhe tjetërsimi i hapësirave poshtë digës së liqenit artificial, të klubit sportiv “Dinamo”, Kopshtit Botanik dhe Gardës së Republikës. Vasili, në një prononcim publik ka shpjeguar se “LSI denoncon publikisht një nga aferat më të rënda korruptive të ndodhura në Tiranë me autorë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Rama, dhe kryeministrin Berisha. Me vendimin nr: 136 datë 29.12.2007, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka dhënë lejen e ndërtimit për pallate banimi mbi klubin sportiv “Partizani”, ku përfitues është edhe dhëndri i kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi, dhe motra e tij. Ky vendim ka shkelur në mënyrë flagrante dy ligje: ligjin mbi urbanistikën dhe ligjin për sportin, duke asgjësuar ambientet e klubit sportiv “Partizani” për qëllime biznesi të familjarëve të Berishës. Po kështu, dje u njohëm me vendimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, për masakrimin e programuar të hapësirave poshtë digës së Liqenit Artificial duke përfshirë edhe klubin sportiv “Dinamo”, Kopshtin Botanik dhe Gardën e Republikës. Përmes strategjisë së betonizimit, sot Tirana është bërë tërësisht pre e pangopësisë korruptive dhe qytetarët e Tiranës ndihen më keq se kurrë në qytetin e tyre. Tirana është shndërruar në gjahun më të madh për afera gjigante korruptive dhe për pasurimin e vetëm të dy individëve dhe klaneve të tyre dhe këta janë Rama dhe Berisha. Kjo aferë është e pambulueshme dhe u bëjmë thirrje publike autorëve të saj të mos guxojnë të bëjnë asnjë tentativë për mbulimin e saj, sepse do të rëndonin akoma edhe më shumë pozicionin e tyre. Aferat e ndërtimeve Rama-Berisha janë në themel të aferave të Kushtetutës dhe të aferës së Kodit Zgjedhor. Janë këto afera që shpjegojne qartë mungesën e plotë të reagimit të Ramës ndaj Gërdecit dhe shkatërrimin konsensual të Kushtetutës nga Rama dhe Berisha. Ky skandal është kulmi i kapjes së shtetit nga Rama dhe Berisha, sepse arrijnë deri aty sa të shpërdorojnë edhe Parlamentin për të justifikuar dhe mbuluar veprimet e paligjshme dhe korruptive. Në funksion të këtij mbulimi ishte edhe konsensusi PS-PD në miratimin e ligjit për sportin pak ditë më parë. LSI do të kërkojë ngritjen urgjente të dy komisioneve hetimore: të një komisioni hetimor nga grupi i këshilltarëve të LSI në Bashkinë e Tiranës, si dhe një komision hetimor parlamentar. LSI do të jetë plotësisht në krah të sportistëve e sportdashësve të Partizanit, që lidhën jetën e tyre me të si dhe të qytetarëve të Tiranës, të cilët e ndiejnë veten e tyre të grabitur dhe dhunuar edhe në ndjenjat e tyre, edhe qytetin e tyre nga Rama dhe Berisha”, - ka përfunduar Vasili.
Ky lajm është publikuar: 02/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›