E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria e të paaftëve në fushatë për zhdukjen e talenteveNga Prof. As. Jorgo MandiliRefleksione rreth dy artikujve të gazetarëve të mirënjohur, M. Nano dhe B. Hoxha I - Shtrati i Prokustit apo “turra e druve”? Prokusti u shkurtonte këmbët my

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ushtria e të paaftëve në fushatë për zhdukjen e talenteveNga Prof. As. Jorgo Mandili

Refleksione rreth dy artikujve të gazetarëve të mirënjohur, M. Nano dhe B. Hoxha

I - Shtrati i Prokustit apo “turra e druve”?

Prokusti u shkurtonte këmbët mysafirëve, që i kishin ato më të gjata se shtrati i tij.

Mesazhi: Njeriut që i kapërcen nivelet mediokre intelektuale të disa drejtuesve nëpër dikastere, të cilët kanë në dorë përkohësisht të vendosin se çfarë mund të bëjnë me postet që mund t’i kenë marrë me çdo rrugë, por jo me meritokraci, i “shkurtohet” gjuha, zhvleftësohet, injorohet dhe menjëherë i ngjitet damka e kokëfortit, mendjemadhit, arrogantit etj.

Provoni të jeni të guximshëm, të kritikoni një ide të një qeveritari apo deputeti apo të zbatoni një ligj të miratuar në parlament (siç është ligji i Arsimit të Lartë, neni 14 dhe neni 33), përpiquni të jeni i pavarur, kreativ dhe menjëherë do të përballeni me arrogancën dhe agresivitetin e imponimit të të menduarit “standard”.

Prova që bëri Profesor Shaska, që të imponohej me idetë, konceptet e me vizionin e vet, e përballi atë me mërira, zemërime e tërbime të të gjithë atyre që u janë cenuar interesat apo “sedra e sëmurë” e, akoma më tepër, “dinjiteti zyrtar”.

E, për këto arsye ata janë mobilizuar me të gjithë potencialin e tyre shtetëror e kanunor, patriarkal, nepotik, klientelist për ta shpallur atë “heretik”. Dhe që nga ky moment tashmë vendi i tij nuk është me te shtrati i Prokustit (do të ishte gjysma e së keqes, shkurtimi i këmbëve), por në “turrën e druve”!

II - A është atdheu edhe i imi?

Në një pasazh tek “Edipi mbret”, kur një prej tiranëve po dërdëlliste duke pretenduar se kishte në dorë çelësat e fatit të secilit, një prej personazheve i kthehet i nervozuar:

“Ore, zotëri, atdheu është edhe imi”.

Ka ardhur koha të pyesim: A është Atdheu i të gjithë shqiptarëve?

Shumë prej nesh e dinë përgjigjen, por nuk e dimë se sa i kuptojnë këto mesazhe kulturore e filozofike ata që na drejtojnë.

“Mentaliteti i mjaft pushtetarëve është, se për aq sa ata kanë mandatin, kanë iluzionin se kanë gjithçka në dorë”, - thekson gazetari Bashkim Hoxha. “Ata, -vazhdon ai, - janë gjithkush: ata dinë se çfarë mendon Obama, dinë se ku ka naftë, dinë se çfarë është e mirë e se çfarë është e keqe, se ne vetëm duhet të bindemi, t’i dëgjojmë gojëhapur dhe t’i duartrokasim.”

Vetëm një gjë nuk e “dinë”: që ka ligje, ka institucione akademike të pavarura, ka senat, po ka edhe njerëz me mendim të lirë.

Koha ka ardhur që të pranojmë se rruga drejt përparimit është të menduarit i lirë dhe të vepruarit sipas ligjeve dhe jo të pranimit absolut të të “vërtetave zyrtare” apo urdhrave institucionalë që bien ndesh me këto ligje. Vetëm në këtë mënyrë e ndiejmë veten që jetojmë në demokraci.

A mund ta ndjesh veten rehat, kur “mentalitetet superiore” të njerëzve mesatarë të injorojnë e të etiketojnë si të pabindur?

Krijohet pastaj një realitet i trishtueshëm me “qëndrestarë mesatarë që durojnë të zitë e ullirit e për fatin e keq të tyre ndryshe mendojnë, ndryshe flasin, ndryshe veprojnë.”

“Duhet të protestojmë fuqishëm, - thekson B. Hoxha, - për t’u treguar vendin uzurpatorëve të kohës e hapësirës që u takon të gjithëve.”

Ka ardhur koha të qëndrojmë larg mjediseve të zhurmshme e mediokre e të zhytemi në mjedise të vërteta intelektuale. Këtyre uzurpatorëve të kohës e hapësirës së atdheut tim u kujtojmë vargjet e poetit e politikanit të njohur Ali Asllani: “Se koha është e maskarenjve, po Shqipëria e shqiptarëve.”

Një gjë duhet ta dinë mirë këta uzurpatorë: Të mos ushqehen me iluzionin se do të jenë të rrethuar si tani nga shumë njerëz, kur të lënë karriget. E, kur të kthehen në profesionet e tyre apo ndoshta duke luajtur tavëll, do të jenë të parespektuar nga qytetarët.

III - Përse është e pamundur?

Më se dy dekada pas rënies së sistemit komunist, duket se plagët e dogmatizmit, arrogancës, urdhrave institucionalë apo partiakë, ndërhyrjeve pushtetare etj., ende nuk janë tharë. Jo vetëm që nuk janë tharë, por janë bërë edhe një barrierë potenciale për të gjithë ata shqiptare të shkolluar në Botën e Mendimit të Lirë, që guxojnë apo kanë ambicien e pasionin e fortë intelektual për të ndryshuar pozitivisht diçka në Shqipëri.

Me të drejtë gazetari i mirënjohur M. Nano bën pyetje të tilla:

“Do të kishte vallë ai shqiptar atë fuqi që të sillte mes nesh një frymë të re reformuese?

Apo do të kapitullonte menjëherë, duke marrë vendimin për ta braktisur këtë vend njëherë e mirë i lemerisur, siç bëri F. Noli edhe shume rilindës të tjerë? Apo do të shqiptarizohej e të bëhej njësh me mentalitetin e me kulturën e këtushme?

A do t’i bënte vallë për vete njerëzit, në qoftë se ai do të ndërtonte një administratë apo staf me një logjikë meritokratike, në qoftë se ai nuk do t’i jepte askujt të drejtën për të pritur e për të kërkuar në këmbim vende pune apo favore që binin ndesh me ligjin apo me frymën e ndërtimit të një demokracie liberale, vetëm e vetëm se ka hedhur një votë për të apo është aktivist i partisë së tij?”

Me siguri një njeri i tillë do t’u “prishte rendin në shpirt e në mendje”, disa pushtetarëve dhe politikanëve, të cilët mendojnë se prej tyre varet gjithçka.

Jo vetëm këta. Idetë dhe logjika e një njeriu të tillë do t’u prishte qetësinë, status quo-në, vegjetimin intelektual edhe shumë të tjerëve të karakterizuar nga moto e kredo të shpëlara të llojit “Kush nuk bën për vete e për të vetët, nuk mund të bëjë për të tjerët”; “Më mirë një mik sesa një çiflig”; “Paraja e hedh ujin përpjetë”; “Dy duar për një kokë”; “Këtë punë e di ai i madhi”; “Ligji është si llastik, me demek e zgjat dhe e shkurton sa të duash”; “Nëse bie zjarri larg bythës sime, jam rehat që ç’ke me të” dhe më e goditura që thekson Mustafa Nano është “Vetë e kërkoi që u kruajt me qeverinë, tani le ta hajë.”

A njihni ndonjë njeri të tillë? Me siguri, edhe në qoftë se keni njohur, do ta keni parë të lemerisur duke ikur me vrap nga Shqipëria. Dhe pastaj me sarkazëm deklarojmë se na iku truri. Por nuk mjafton me kaq. Kur kujtohemi, për ironi u bëjmë thirrje të kthehen, se do të trajtohen edhe me “Brain Gain”. O Tempora, o Mores!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›