Një në gjashtë fëmijë prapambetje në rritje
Një në gjashtë fëmijë në vendin tonë paraqet prapambetje gjatë rritjes. Shpesh ata mbeten të shkurtër, krahasuar me moshën e tyre. Rreth 7 % rezultojne nën peshë ose mbi peshë, duke u krahasuar me gjatësinë. Sakaq 17% e fëmijëve janë anemikë. Këto janë një pjesë e të dhënave të studimit të parë demografik shëndetësor në vendin tonë. Raporti paraprak i prezantuar jep shifra në lidhje me treguesit e lindshmërisë në vend, kujdesin shëndetësor, përdorimin e metodave të planifikimit familjar, vdekshmërinë foshnjore, mbulesës së vaksinimit të popullësisë, si dhe parandalimin e infeksionit të HIV/AIDS. Ajo çka bie në sy është se shqiptarët vijojnë ende të mbeten tradicionalë në metodat e planifikimit familjar. Vetëm 4% e meshkujve përdorin prezervativin ndërsa në plot 58% të rasteve metoda më e shpeshtë për të mos mbetur shtatzënë është “tërheqja”. Pilulat kontraceptive i përdorin 2% e femrave ndërsa sterilizimin 3% e tyre. Vdekshmëria foshnjore në studimin e fundit mbetet në nivele të larta, kjo ndonëse ka një përgjysmim të saj 15 vitet e fundit. Sërish në vendin tonë humbin jetën 18 foshnje për 1000 lindje. Gjithaq nga të dhënat rezulton se 1 në 5 femra të grupmoshës 15-49 vjeç është anemike. Ministria e Shëndetësisë dhe INSTAT prezantuan dje studimin, i cili mbështetet nga USAID, UNICEF, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullësinë dhe OBSH. Kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha se këto të dhëna kaq të rëndësishme do të orientojnë sistemin shëndetësor në shumë hallka të tij. Gjithçka, duke filluar nga menaxhimi më i mirë i fondeve e deri te shpërndarja e personelit shëndetësor, aty ku është më e nevojshme. “Bëhet fjalë për një studim-shtrirje shumë të lartë në nivel kombëtar. Ai na shkëput përgjithmonë nga empirizmi, qoftë në shpërndarjen e investimeve, qoftë në shpërndarjen e burimeve njerëzore dhe shërbimeve shëndetësore dhe na fut në rrugën e planifikimit të tyre”, tha Vasili. Sipas tij, kjo bazë indikatorësh do të shërbejë dhe si pika e referimit për të krahasuar efikasitetin e punës dhe impaktin në shëndet në të ardhmen. “Natyrshëm nëpërmjet këtyre rezultateve ne ofrojmë dhe një bazë shkencore dhe të besueshme për debatin politik/publik/mediatik në shoqërinë demokratike shqiptare në fushën social-shëndetësore”, tha Vasili. Në këtë studim, i cili është kryer për një periudhë 6-mujore, u intervistuan rreth 9 mijë familje shqiptare. Në bazë të të dhënave ka rezultuar se mbulesa vaksinale në vend, mbetet në masën 95 %. Mesatarisht një grua në Shqipëri do të lindë 1,6 fëmijë në jetën e saj. Të dhënat përfundimtare të studimit demografik do të publikohen në janar të vitit 2010.