E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkohet drejtoresha e Hipotekës

 

Trazhgim Sokolaj

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, shkarkoi dje drejtoreshën e Hipotekës së Tiranës, Dorina Stringa, për shkak të parregullsive dhe abuzimeve të shumta në detyrë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave shkarkimi erdhi pas ankesave të qytetarëve, të cilat u pasuan me një kontroll të Ministrisë së Drejtësisë në Hipotekën e kryeqytetit. Bashkë me ish-drejtoreshën e Hipotekës janë shkarkuar nga detyra edhe dhjetë punonjës të tjerë vartës të saj. Burime zyrtare nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive thanë dje se shkarkimet në Hipotekën e Tiranës erdhën për një kontrolli 2-mujor të ushtruar në këtë institucion, ku janë gjetur shkelje të shumta, abuzime dhe mangësi të dukshme në shërbimin ndaj qytetarëve. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, akt-kontrolli i ushtruar në Hipotekën e Tiranës për veprimtarinë e viteve 2007-2008 zbuloi një sërë shkeljesh dhe abuzimesh nga kryeregjistruesja Dorina Stringa. Pas evidentimit të abuzimeve, Ministria e Drejtësisë shkarkoi drejtoreshën e Hipotekës, ndërsa për dhjetë punonjës të tjerë të gjetur me shkelje, kryeregjistruesi Arben Qirjako ka urdhëruar shkarkimin nga detyra ditën e djeshme.
Abuzimet në Hipotekë
Vonesa, zvarritje, sorollatje e qytetarëve dhe mungesë korrektësie në veprimtarinë e Hipotekës në kundërshtim me normat administrative. Këto kanë qenë disa nga shkaqet e shkarkimit të drejtoreshës së Hipotekës së Tiranës. “Kontrolli ka zbuluar shkelje të shumta të procedurave administrative dhe vonesa të mëdha në shërbimin ndaj qytetarëve nga ana e Regjistrueses, Dorina Stringa dhe nga 10 punonjësit e tjerë”, thuhet në një deklaratë shtypi të Zyrës Qendrore të Hipotekës, nga e cila varej institucioni i drejtuar deri dje nga Dorina Stringa.
Denoncimi
Pak muaj më parë gazeta “Panorama” bëri publike rastet e disa qytetarëve që kishin rënë “viktima” të abuzimeve të Dorina Stringës në Hipotekën e Tiranës. Qytetarët në fjalë pasi nuk kishin gjetur zgjidhje në dyert e Hipotekës, iu drejtuan me një letër Ministrisë së Drejtësisë dhe kryeministrit të vendit. Denoncimet e qytetarëve u bënë shkak për nisjen e një kontrolli 2-mujor, i cili në fund zbuloi abuzimet e shumta në Hipotekën e kryeqytetit. Antoneta Hoxhallari, një pronare e rregullt e një trualli tek Ura e Limuthit, denoncoi publikisht se në Hipotekë i kishin kërkuar 10 mijë euro për regjistrimin e pronës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›