Rreziku i totalitarizmit pa Enver Hoxhën!
Dalja e enveristëve në Prishtinë ishte testim për opinionin e brendshëm dhe për zyrat diplomatike se deri ku mund të shkojnë ata që janë prapa çapaçulëve, ndërsa rrënjët e enverizmit janë në Tiranë.
1.
“Enver Hoxha është shtylla e kombit, ndërsa ju kosovarët e përdhosët shëmbëlltyrën e këtij kolosi në këto dhjetë vjetët e fundit”, - më thoshte në maj të vitit 2001, në verandën e hotel “Grandit” në Prishtinë, në prani të tre-katër kolegëve të tjerë, një analist i deklaruar nga Tirana, ndërsa për vete thoshte se ka qenë ushtarak në kohën e diktatorit.
“Enver Hoxha është fatkeqësia dhe turpi i kombit, është një episod tragjik që duhet ta harrojmë sa më shpejt që është e mundur ”, - ia prita, i cytur nga propaganda e tij e ulët dhe në shenjë mllefi për heshtjen e tre “kosovarëve” të tjerë të cilët e shihnin në gojë dhe nuk i kundërviheshin këtij shikisti e propaganduesi të diktatorit, ndërsa ai mburrej me arrogancë e imponim paralajmërues se është i afërt me qarqet më të larta politike të krahut të majtë në Kosovë dhe në Shqipëri. Bashkëbiseduesit e mi të heshtur duket se ia kishin frikën, sepse ai lavdërohej se të gjithë njerëzit e fortë këndej dhe andej kufirit i njeh personalisht. Gjirokastriti shikist, ashtu paraqitej, ishte vetëm një episod i llojit të vet, sepse në atë kohë në Kosovë patëm shumë individë e grupe të këtilla që vinin nga Tirana dhe si për inat, bënin propagandë të furishme për të ngjallur figurën dhe kujtimin për Enver Hoxhën në kohën kur shqiptarët e Kosovës kishin halle e probleme shumë më të mprehta e shumë më të rëndësishme: pavarësimin e Kosovës, shërimin e plagëve të luftës, përpjekjet për kultivimin e demokracisë, përpjekjen për qetësimin e gjakrave, sepse një frymë e mosdurimit e fërkimeve me xixa e kishte kapluar shoqërinë tonë. Për Enver Hoxhën, pjesës më të madhe të opinionit në Kosovë, as atëherë më 2001, as tash më 2008, nuk u shkonte mendja, pos për të keq: kishte bërë tmerre mbi kombin e vet, sa edhe serbët mbi popullatën shqiptare në Kosovë dhe në territoret e tjera etnike. Prandaj, shumë herë kanë pyetur me habi: “Si ka mundësi që një shqiptar të ishte aq mizor ndaj shqiptarëve?”
Dhe në vend të shërbimit që i dërgonin këta emisarë të na ndihmonin për të dalë sa më me pak pasoja nga lufta dhe për të avancuar çështjen e Kosovës, “shikistët”–ropagandues të Enver Hoxhës e kishin vërshuar Kosovën, duke cytur mosdurime të kohës së vitit 1945, thuajse pak kishim epigon të këtillë që po ashtu ishin edukuar nga këta shikistë nëpër banhofet e Perëndimit apo nëpër bodrumet e Tiranës dhe përpiqeshin të na e sillnin atë kohë. Pastaj këta njerëz dhe kjo frymë u zhdukën për një kohë, sikurse që po me zhdukjen e tyre ranë edhe fërkimet e egra mes partive politike dhe u pakësuan vrasjet politike.
2.
Shënimi i përvjetorit të lindjes së diktatorit Enver Hoxha nga një grup nostalgjikësh të dështuar në politikë dhe në jetë, të çimentuar me anakronizmin e vet stalinist të perënduar, nuk do të duhej të shqetësonte askënd, nuk jam i sigurt se është dashur të bëhet kaq shumë zhurmë, po të ishte fjala për grupe të dala kohe e të dala boje njëkohësisht. Mirëpo, ajo që bie në sy në pjesën më të madhe të mediave elektronike e të shkruara në Kosovë, me gjithë qëllimin e mirë të këtyre shkrimeve, është fakti se ata edhe një herë përpiqen të tregojnë se çfarë tmerresh ka bërë Hoxha dhe lukunia e tij pushtetore, se sa keq është të shënohet përvjetori i një krimineli. Mbase vetëm sa janë përsëritur disa gjëra tashmë të thëna e të sforcuara, ndërsa disa të tjera nuk do të shpalohen kurrë. Enveristëve dhe çapaçulëve të tillë kot që ua thua këto gjëra, sepse sikur të kishin mundësi, do ta ngjallnin dhe do ta ndihmonin në krime të reja. Ajo që të irriton, është arroganca e atyre që e shënuan këtë përvjetor, kësaj here jo në Ferizaj apo në ndonjë sallë të periferisë së provincës, por në Prishtinë, në qendrën e të rinjve të kryeqytetit të Kosovës, para dhjetëra institucioneve ndërkombëtare e ambasadave të huaja, sikur t’i kishte porositur Serbia. Edhe kjo do të quhej episod i pakëndshëm që duhet harruar sa më parë, sepse as këta çapaçulë nuk e kthejnë enverizmin, as nuk mund ta pengojnë pavarësinë. Enveri e ka kryeqytetin e vet dhe e ka strukturën e vet gjysmushtarake e gjysmëmafioze më shumë në Tiranë sesa në Prishtinë. Por është njëmendësia e trashëguar dhe e kultivuar, është fryma revolucionare që propagandohet çdo ditë në emër të gjendjes së rëndë sociale apo në emër të pavarësisë së pastër, me përpjekjet që Kosovën ta izolojnë dhe të larojnë si duan vetë disa grupime. Njëmendësia me prirje të totalitarizmit do të duhej të na shqetësonte, sepse janë pikërisht eksponentët e ditur apo të fshehur ata që i kanë zënë institucionet e shërbimet e ndryshme në Kosovë. Dhe për këtë fakt askush nuk ka guxim të thotë fjalën e vet, ndërsa i drejtohet një grupimi autsajderash, të cilët janë vetëm maja e ajsbergut, ata me të guximshmit, por edhe më budallenjtë njëkohësisht. Të tjerët rrinë dhe presin... Çfarë presin? Ditën e tyre, shpërqendrimin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj problemeve në Kosovë. Këto probleme nuk i gjen fatkeqësisht as në shtypin e Prishtinës, as në shtypin e Tiranës.
3.
Shqipëria është shteti i vetëm dhe i fundit që i bëri rezistencën më të madhe dënimit të krimeve të komunizmit dhe të Enver Hoxhës. U mblodhën parlamentarët me dhjetëra herë, shkroi shtypi i djathtë, po ashtu me qindra herë se duhet të gjykohet periudha më e errët e historisë së re të Shqipërisë dhe të krijohej një gjykim i shëndoshë për komunizmin më mizor në Evropën Lindore, por më kot. Edhe të huajt e mençur e thanë me dhjetëra herë se Shqipëria është dashur e para të fillojë nga lëvizjet për t’iu kundërvënë diktaturës më të egër në Evropë, ashtu sikurse është dashur që e para të dënojë krimet e komunizmit, por fatkeqësisht kjo gjë nuk u bë. Pati rezistenca të forta nga shoqëria shqiptare dhe nga subjektet politike të majta që ishin dhe janë tepër të forta. Enverizmit nuk iu prenë rrënjët në Tiranë, prandaj nuk është mirë të gjykohet në Prishtinë parodia e enverizmit, nëse nuk ka synime që kjo të dalë në sipërfaqe. A thua ishte rezistenca për dënimin e krimeve enveriste në Tiranë përpjekje për të rehabilituar enverizmin dhe për të ringjallur njëmendësinë, sikurse që nuk përjashtohet mundësia që edhe teatri politik i enveristëve në Prishtinë ishte testim i opinionit të brendshëm dhe i zyrave diplomatike se deri ku mund të shkojnë ata që ishin pas çapaçulëve që dolën publikisht dhe i ngritën grushtet lart! Ata që dolën me grushte në ekran, i dimë kush janë dhe do të ruhemi prej tyre, nëse kemi mundësi të ruhemi. Por a do të dimë të ruhemi nga ata që nuk dolën publikisht në Prishtinë dhe në Tiranë?
Zoti na ruajttë prej tyre!