Rekursi i Prokurorisë për Bashën, më 29 prill
TIRANË- Edhe pse Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë pak ditë më parë shpalli pavlefshmërinë absolute të provave materiale të dosjes së Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, dhe ish-vartësit të tij Andi Toma, një trup tjetër penale i kësaj gjykate do të shqyrtojë paraditen e 29 prillit, rekursin e Prokurorisë së Përgjithshme të pavlefshmërisë së fletë-thirrjes dhe vendimit të marrjes si të pandehur të deputetit pa imunitet Basha.
Ky vendim, i firmosur fillimisht nga gjyqtarja Fatmira Hajdari dhe më pas më 15 dhjetor 2008 edhe nga treshja gjykuese e Gjykatës së Apelit më 2 shkurt 2009, ka marrë formën e prerë duke shpallur të pavlefshme fletë-thirrjen e Prokurorisë së Përgjithshme dërguar kryediplomatit Basha për njohjen me aktet hetimore dhe vendimin e cilësimit të tij si i pandehur dhe marrjes në pyetje me këtë cilësi.
Vendim ky që ndikoi edhe në shpalljen e pavlefshmërisë absolute të dosjes hetimore pak ditë më parë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i kryesuar nga gjyqtari Spiro Spiro.
Ndërkohë, pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Andi Çeliku, pas shtyrjes së gjyqit mesditën e 8 prillit për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të mbrojtësit ligjor të ministrit Basha, avokat Zef Nikaj ka caktuar datën 29 prill ora 11:00 si dita kur do të shqyrtohet rekursi i Prokurorisë së Përgjithshme.
Nëse togat e zeza vendosin ta rrëzojnë vendimin e dhënë nga gjyqtarja Fatmira Hajdari dhe më pas nga Gjykata e Apelit, Lulëzim Basha e Andi Toma do të cilësohen si të pandehur, por, për akuzën kjo ka shumë pak mundësi të ndodhë.
Ndërkaq, burimet zyrtare të institucionit të akuzës, theksojnë se po me këtë datë prokuroria do të paraqesë kërkesën për rishikimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, i cili e deklaroi të pavlefshëm hetimin e skandalit të ndërtimit të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash si pjesë e autostradës Durrës-Kukës.
Gjithashtu, burimet e akuzës konfirmuan se këtë datë do të paraqitet një shkresë e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH-së) që vetëm pak ditë më parë i është drejtuar qeverisë për rritjen e paligjshme të pagesave që po bëhen ndaj kompanisë "Bechtel-Enka" .