Rama: Balliu e lidh më shumë Berishën me Gërdecin
Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kreu i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka akuzuar dje në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministrin Sali Berisha se me korrupsionin e qeverisjes së tij vrau një vit më parë në Gërdec 26 njerëz të pafajshëm.
Gjatë një takimi të zhvilluar me ish-ushtarakët, kreu i selisë rozë ka vlerësuar se mohimi dhe anashkalimi nga politika i rolit të ushtarakut, si dhe korupsioni qeveritar solli si pasojë edhe ngjarjen e rëndë të Gërdecit, e cila për të është dhe ngjarja më e rëndë pas ngjarjeve të vitit 1997.
"Ai shpërthim vrau 26 njerëz të pafajshëm, shkatërroi materialisht dhe moralisht një popullsi të tërë civile, por goditi në themel dinjitetin e FA. Nëpërkëmbja e ushtarakëve shqiptarë, u shpreh qartë sidomos në ngjarjen e Gërdecit, ku politika e vjetër e Sali Berishës dhe korrupsioni shtetëror vranë 26 vetë, e shkatërruan materialisht dhe moralisht një popullsi të tërë civile", - tha Rama.
Ndërkohë, ai është ndalur edhe tek faktet më të fundit të publikuara në media që implikojnë në këtë ngjarje të rëndë botuesin e gazetës "55" Fahri Balliun, i njohur si një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Sali Berisha, fakte që sipas Ramës në vetvete nuk janë gjë tjetër veçse një tregues i qartë i kapjes së qeverisë nga korrupsioni.
Madje ai i ka lidhur këto zhvillime që po shoqërojnë dosjen "Gërdeci" me lumin e akuzave që mazhoranca dhe kryeministri i saj kanë drejtuar ditët e fundit kundrejt Bashkisë së Tiranës.
"Faktet që po dalin përditë nga kanali i korrupsionit që lidh kryeministrin me Gërdecin, nuk mbulohen dot me baltën e shpifjeve që gatuhet në kryeministri dhe mbush çdo ditë ekranet dhe gazetat. Përfshirja e këshilltarit politik e shpirtëror të Sali Berishës, në ndërtimin e fabrikës së Gërdecit, nuk mbulohet dot me baltën e shpifjeve për Bashkinë e Tiranës", - deklaroi Rama gjatë këtij takimi.
Për këtë arsye, shefi i selisë rozë i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha që t'iu tregojë familjeve të viktimave, të vërtetën që lidh atë vetë dhe njerëzit e tij më të afërt me masakrën e Gërdecit.