E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Jo ndihmë për lëmoshe, por ndihmë për punësim

PS-ja ka prezantuar skemën e re për shtresat në nevojë. Rama, premtime edhe ish-ushtarakëve.

Kryetari i PS-së, për të dytën herë brenda një viti, është rikthyer në fshatin problematik të Lazaratit

Socialistët premtojnë se, pas 28 qershorit do t'i japin fund skemës së ndihmës ekonomike si një mjet lëmoshe, dhe se të gjithë ata persona që sot gënjehen nga shteti me shuma qesharake, do të kenë mundësi që, nëpërmjet projekteve të veçanta, të mund të punësohet për të rritur të ardhurat e tyre.

Ky është premtimi i radhës i bërë nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në vijim të turit të tij të prezantimit të programit qeverisës, në një seri takimesh të zhvilluara në Lezhë dhe Lazarat të Gjirokastrës.

Duke u ndalur pikërisht tek fusha e çështjeve sociale, si një prej 7 shtyllave të programit, kryesocialisti ka bërë të ditur disa nga zgjidhjet që do të tentojë të vërë në jetë Partia Socialiste në qeverisjen e saj, duke filluar me krijimin Fondit të Integrimit Social, që do të kontribuojë formimin profesional, çka më pas synohet të sjellë edhe rritjen e punësimit të këtyre njerëzve, që sot përfitojnë ndihmë ekonomike.


Skema


Sipas tij, shuma që sot qeveria jep për këto shtresa si ndihmë ekonomike, është aq e vogël, sa nuk shërben për asgjë, pasi e koncepton këtë situatë si një gjendje të vazhdueshme, pa tentuar të japë asnjë zgjidhje për integrimin e këtyre njerëzve në aktivitete për më shumë fitime.

"Ka familje që kanë më shumë se 10 vjet që jetojnë në papunësi, vetëm me ndihmë ekonomike. Tentativat e pakta për ta kthyer asistencën sociale në skemë aktive, kanë dështuar. Ne do ta rikonceptojmë programin e Ndihmës Ekonomike. Shqiptarët nuk do të marrin më ndihmë në formë lëmoshe, po ndihmë për punësim.


Në vend të programit të Ndihmës Ekonomike, do të krijojmë Fondin e Integrimit Social", - u shpreh Rama gjatë takimit në Lezhë. Kështu, në bazë të kësaj skeme të re për përfituesit e ndihmës ekonomike, shteti do të ofrojë shërbimin e formimit profesional, i cili do të funksionojë brenda vitit 2010.

Me anë të këtij shërbimi, PS-ja pretendon që të rrisë dhe numrin e të punësuarve dhe pakësimin e numrit të atyre personave që sot, në pamundësi punësimi, kanë varur shpresat tek ndihma ekonomike që shteti jep si lëmoshë.

"Këto shërbime do të rrisin punësimin. Edhe pse niveli i varfërisë është 2 dollarë në ditë, programet e ndihmës ekonomike nuk u japin shqiptarëve të varfër më shumë se 40 cent në ditë.

Qeveria nuk arrin, pra, të zbusë as varfërinë ekstreme", - tha më tej Rama. Ky nuk është thjeshtë një propozim elektoral, pasi duket se ekspertët e PS-së kanë bërë dhe llogaritë për efektin që do të sjellë ky ndryshim në katër vitet e ardhshme.

Kështu, me programin e Integrimit Social, socialistët do të mundësojnë që familjet e varfra, brenda vitit 2010, të përfitojnë 50 % më shumë sesa përfitojnë sot në bazë të skemës së ndihmës ekonomike, ndërsa në vitin e dytë të qeverisjes, përfitimi i ndihmës do të dyfishohet dhe, për të arritur që, në fund të mandatit të parë, përfitimi i ndihmës ekonomike do të jetë 4 herë më i madh.

"Programi i ri qeverisës i socialistëve do të përgjysmojë numrin e familjeve që sot janë të varfra, duke nxitur punësimin e tyre", - tha Rama.


Ushtarakët


Ndërkohë, turi i kryesocialistit Edi Rama, ka patur dje si "stacion" të tijin edhe një takim me përfaqësues të ish-ushtarakëve në Tiranë, ku, natyrisht, në qendër të diskutimeve ka qenë problematika që shoqëron këtë kategori dhe sidomos në çështjen e pensioneve suplementare.

Kështu, shefi i selisë rozë, pasi ka evidentuar demagogjinë e Kryeministrit Berisha lidhur me premtimet e pambajtura, u ka konfirmuar ushtarakëve se qeveria që do të dalë pas 28 qershorit, do të përmbushë të gjitha detyrimet që burojnë nga ligji dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me pensionet suplementare. "Unë jam këtu për t'ju thënë se ne nuk e diskutojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me grupin tuaj të interesit.

Të drejtat që burojnë nga ligji dhe janë konfirmuar dhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ne i njohim si detyrimet e qeverisë sonë, që do të dalë me votën e 28 qershorit", - tha Rama.

Gjithashtu, Rama u ka konfirmuar ish-ushtarakëve që, PS-ja, vlerëson se kontributi i këtyre njerëzve nuk ka mbaruar, por se ata do të kenë rolin e tyre në reformat e mëtejshme që do të shoqërojnë forcat e armatosura gjatë katër viteve të ardhshme.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›