E Shtunë, 31 Tetor 2026

Remi: Mbështes plotësisht sundimin e rendit dhe ligjit

Një ditë pas shpalljes së vendimit të gjykatës për Grupin e Llapit, ish komandanti i Zonës Operative të Llapit dhe zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet, Rrustem Mustafa – Remi, deklaroi se sundimi i rendit dhe ligjit në Kosovë duhet të zbatohen plotësisht.

Mustafa tha se megjithëse mund të ketë gabime – si në rastin e vendimit të djeshëm, megjithatë, sipas tij, rendi dhe ligji duhet të vendoset në Prishtinë dhe në tërë territorin e Kosovës.

“Më vjen mirë që EULEX-i dhe shtetet perëndimore po ushtrojnë rend dhe ligj duke ndihmuar vendin tonë në ndërtimin e sistemeve perëndimore.. Në jemi në fillim të ndërtimit të këtij sistemi, dhe gabime ndodhin, ashtu siç gaboi Gjykata në rastin tonë (Grupi i Llapit). Sidoqoftë, ky gabim do të përmirësohet në betejën e ardhshme në Gjykatën e Apelit”, u shpreh Korieri.info, ish Komandanti i UÇK-së për Zonën e Llapit, që përfshinte edhe rajonin e Prishtinës.

Mustafa thotë se të gjithë duhet të jemi të ndjeshëm ndaj sundimit të rendit dhe ligjit, që janë parakusht për ndërtimin e një shteti funksional dhe demokratik, që është synim edhe i popullit të Kosovës .

“Uroj të gjithë të jemi të ndjeshëm ndaj rendit dhe ligjit…Ne nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të ecim përpara”, u shpreh Rrustem Mustafa Remi.

Ndryshe një ditë më herët, një trup gjykues i përbërë prej gjyqtarëve të EULEX-it dhe të Kosovës ka shpallur fajtorë të tre të pandehurit e ‘Grupit të Llapit’, siç thuhet në vendim, për krime të luftës kundër popullatës civile.

Trupi gjykues, duke e marrë parasysh një dënim tjetër që ju ishte shqiptuar të pandehurve në tetor të vitit 2009 nga ana e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë dhe që ishte konfirmuar nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës në janar të vitit 2011, vendosi të dënojë Latif Gashin me 6 vjet burgim, Nazif Mehmetin, 3 vjet burgim dhe Rrustem Mustafën, 4 vjet burgim./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›