Remzi Hoxha, kapet në Londër Ilir Kumbaro
Është vënë sot në pranga ish-oficeri i SHIK-ut Ilir Kumbaro, i cili është një ndër të akuzuarit për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Kumbaro i fshihej drejtësisë për vite me radhë duke u strehuar në qytetin britanik, Londër. Arrestimi i tij u bë sot në orët e para të mëngjesit për llogari të prokurorisë shqiptare.
Burimet konfirmojnë se prangosja e Kumbaros erdhi pas një kërkimi ndërkombëtar nga Interpoli. Ai është ruajtur dhe përgjuar për një kohë të gjatë deri në finalizmin e aksionit policor. Për të fshirë gjurmët, Kumbaro ka bërë disa herë manovra duke ndruashuar adresë nëpër lagjet e londineze.
Dosja “Remzi Hoxha”, ka në bankën e të akuzuarve 4 të pandehur të gjithë ish-punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar. Gjatë seancave të deritanishme gjyqësore kanë qenë vetëm Avni Koldashi dhe Arben Sefgjini. Ky i fundit aktualisht drejtor i Tatimeve. Kanë munguar në seanca gjyqësore Budjon Meçe, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe Ilir Kumbaro që ishte në arrati. Por tani pritet që edhe Kumbaro të jetë para trupit gjykues pas ektradimit nga Anglia. Ende nuk dihet se sa kohë mund të zgjasë ekstradimi i tij.
Të katër të pandehurit akuzohen për torturimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, në vitin 1995 nga SHIK-u.