E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stuhia shkakton dëme në disa objekte

Shkodër- Një stuhi e madhe ka përshkuar dje rrethin e Shkodrës. Shirat dhe erërat kanë dëmtuar një pjesë të kanalit ujëmbledhës së Shtodrit, rrugën dhe shkollën e fshatit Postribë. Për rindërtimin e këtyre objekteve duhen rreth 2 milion lekë.

Një nga veprat më të mëdha publike të zonës, Kanali i Shtobrit ka pësuar dëmtime. Gjatë natës së të premtes është rrëzuar një pjesë e murit të kanalit, me gjatësi rreth 4 metër linear. Ky është ujëmbledhësi më i madh i Shkodrës që në rast shpërthimi shkakton katastrofë. Sipas specialistëve, ai rrezikon përmbytjen e mbarë Shkodrës nëse shembjet janë të mëdha dhe të vazhdueshme. Gjithsesi vlen të theksohet se dëmi aktual është totalisht i riparueshëm dhe jo kërcënues.  

Përveç tij, në komunën e Postribës është shembur një faqe muri, e shkollës së fshatit Kullaj. Për pasojë nxënësit kanë mbetur pa mësim dhe do të sistemohen në një shkollë tjetër të afërt deri në rindërtimin e saj. Shembja e murit ka rrezikuar seriozisht edhe një banesë që ka qenë ngjitur me shkollën.

Stuhia e së premtes bllokoi edhe lëvizjen e njerëzve që banojnë në komunën Postribë. Gjatë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme si pasojë e rënies së dherave, rruga ka qenë totalisht e bllokuar. Banorët shprehën se  ujrat e rrëmbyeshëm kanë gërryer asfaltin e rrugës që lidh Postriben me fshatin e Mes-Myselimit. Po mbi këtë aks kanë rënë materiale inerte duke e bërë të pakalueshme për disa orë me radhë.  Sipas kryetarit të komunës Postribë, Faz Shabaj, dëmet janë mbi 2 milionë lek të reja, ndërsa është kërkuar dhe ndihma e prefekturës së Shkodrës që të ndihmojë me mjete për pastrimin e rrugës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›