E Shtunë, 31 Tetor 2026

Remzi Hoxha shpallet i vdekur 15 vjet pas zhdukjes

Dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në procesin penal ndaj tre ish-shikasve, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, të akuzuar për rrëmbimin, torturimin me pasojë zhdukjen e biznesmenit shqiptar, Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti vendimin e Gjykatës së Shkupit për shpalljen si të vdekur të Remzi Hoxhës.

Prokurori i çështjes, Xhevat Hana në seancën e djeshme gjyqësore kërkoi nga gjykata që këtë vendim ta bëjë pjesë të fashikullit të gjykimit. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës is të akuzuarit Sefgjini, Zef Nikaj tha se një vendim i tillë nuk ka asnjë vlerë për procesin, pasi bëhet fjalë për një çështje civile.

Pesëshja gjykuese e kryesuar nga Gurali Brahimllari u tërhoq në dhomën e këshillimit, për të dalë më vonë me vendimin e pranimit të kërkesës. “Gjykata vendosi t’u drejtohet me letërporosi autoriteteve maqedonase për të marrë vendimin për shpalljen si të vdekur të Remzi Hoxhës”, - u shpreh kryesuesi i seancës.

Familjarët e biznesmenit Hoxha i janë drejtuar Gjykatës së Shkupit për shpalljen si të vdekur të njeriut të tyre të dashur pas 15 vitesh, që prej ditës kur u rrëmbye në punishten e tij në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë me 21 tetor 1995.

Përmes këtij vendimi, prokuroria po përpiqet të mbështesë akuzat e ngritura ndaj tre ish-shikasve, Sefgjini, Kumbaro dhe Koldashi, për rrëmbimin, torturimin me pasojë vdekjen e biznesmenit shqiptar Remzi Hoxha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›