Duro: “Besa është për titull”
Besa gjatë tetë javëve të para të Kampionatit të 71-të Kombëtar të futbollit është shfaqur si një pretendente e denjë për titull, duke qenë rivalja më e madhe e Dinamos në luftën për kurorën e kampiones së edicionit 2009-2010. Me 18 pikë në 8 javë kampionat, dhe për me tepër pa pësuar asnjë humbje dhe me vetëm një gol të pësuar në 720 minuta, kavajasit nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro kanë profilizuar një skuadër kompakte nga porta e deri te vija e parë. Shpëtim Duro, ish-ndihmësi i trajnerit të Kombëtares shqiptare, Oto Bariç, pa dyshim që ka një pjesë të meritave në këtë fillimsezoni të suksesshëm. “Jam i kënaqur nga skuadra ime deri tani. Ekipi ka dhënë maksimumin e tij. E vlerësoj lojën e bërë. Barazimi ndaj Apolonisë nuk mund të konsiderohet kurrsesi si një dështim i madh, pasi si Apolonia ashtu dhe Dinamo janë skuadra të mira e të forta”, - tha Duro për mediat. Në fakt, Besa edhe pse ndodhet në vendin e dytë me 18 pikë, është skuadra e shtatë e Superligës për nga numri i golave të shënuar, vetëm 7 të tillë, pra më pak se një gol për ndeshje. “Shpërdorojmë shumë raste përpara portës. Gjithsesi, problem mbetet edhe gjendja e terrenit të stadiumit, pasi në transfertë shprehemi më mirë, luajmë më mirë me topa të gjatë” – tha Duro. Ish-trajneri i Partizanit bën edhe disa vlerësime të shpejta për lojtarët, duke theksuar se përveç portierit Shehi, kapitenit Mancaku e sulmuesit Daniel Xhafaj, është shumë i kënaqur nga rendimenti i Artion Poçit, Endri Vrapit dhe të riut të talentuar Sokol Cikalleshi.
Ndeshja e radhës për Besën është ajo kundër Kastriotit në Krujë (të dielën, ora 13:00). Duro thotë: “Mendoj se në Krujë do të zhvillohet një ndeshje e bukur pasi dhe terreni është i mirë”.
Përsa i përket titullit kampion, çka do të ishte i pari në historinë e Besës, Duro tha: “Besa nuk duhet paragjykuar aspak pse ka një fanellë më të lehtë se Dinamo apo Tirana, mund të them pa mëdyshje se Besa është e denjë për titull. Në luftë për titull unë shikoj edhe Tiranën, pavarësisht momentit që po kalon, po kështu dhe Dinamon e Apoloninë”. Trajneri i Besës nuk e përjashtoi mundësinë edhe të ndërhyrjes në merkaton e janarit për të bërë ndonjë korrigjim të mundshëm dhe të evidentuar gjatë kësaj periudhe.
Gramozi, në Ersekë guxojnë fitoren me Dinamon
Gramozi e kam marrë shumë seriozisht sfidën me Dinamon, kryesuesen absolute të Kategorisë Superiore. Skuadra kolonjare e drejtuar nga tekniku i njohur Agim Canaj, pas barazimit të bardhë me Kastriotin në javën e 8-të, ka vazhduar përgatitjet e radhës duke sfiduar edhe kohën me reshje në qytetin e Ersekës. Canaj është shprehur qartë se ndeshja me Dinamon është shumë e vështirë, por fakti që ai i njeh shumë mirë atë ekip, - madje Canaj ka qenë pjesë e suksesit të titullit të 17-të Dinamos, pavarësisht se ishte Ilir Daja ai që e përfundoi kampionatin – do të thotë shumë në synimin e një rezultati pozitivë nga transferua e kryeqytetit. Lojtarët e Gramozit, të cilët më 21 dhjetor do të përballen në “Qemal Stafa” në një miqësore historike me Realin e Madridit të organizuar nga “Taçi Oil International”, janë mobilizuar për t’u dhuruar sportdashësve të zjarrtë kolonjarë një fitore historike me Dinamon, parë dhe faktin se me Tiranën humbën në shtëpi 1-0. Gramozi ka grumbulluar shtatë pikë në tetë takimet e para. Dinamo ka koleksionuar 20 pikë në tetë ndeshje dhe ka një rekord prej 100 për qind të pikëve në shtëpi.
Plaku: “Skënderbeu, një mësim i mirë”
Dinamo hodhi një gjysmëhapi fals me barazimin 1-1 me Skënderbeun në Korçë, por që nuk i komprometoi aspak pozitat e kryesuesve të Superligës, pasi dhe dy rivalet e saj më të afërta, Besa e Apolonia ndanë nga një pikë në sfidën direkte midis tyre në Kavajë. Sulmuesi i njohur i Dinamos, Sebino Plaku (24 vjeç, 7 ndeshje, 1 gol këtë sezon) deklaroi për mediat se skuadra e tij humbi dy pikë në Korçë. “E morëm pak lehtë ndeshjen, nuk u mobilizuam siç duhet. Ai barazim në Korçë do të na shërbejë si mësim që të impenjohemi më edhe më shumë në ndeshjet e kampionatit”, - tha ish-sulmuesi i Partizanit dhe Apolonisë. Në sulmin e 17-herë kampioneve të Shqipërisë militojnë disa nga emrat më prestigjiozë të kampionatit shqiptar, përfshirë dhe golashënuesin më të mirë të këtij edicioni, Elis Bakaj (5 gola), por dhe Fatjon Sefa (2 gola). “Konkurrenca i bën mirë çdo skuadre. Kjo i shërben ekipit. Kush do ta meritojë do të luajë”. Dinamo do të përballet këtë fundjavë me Gramozin e Ersekës, në ndeshjen e parë historike midis tyre në një ndeshje të vlefshme për Kategorinë Superiore. “Është një ndeshje e radhës për Dinamon, por si ndaj të gjithë kundërshtarëve do kujdes dhe vlerësim maksimal”, - përfundoi Sebino Plaku, i cili ka luajtur edhe në Norvegji me skuadrën HamKam. Dinamo kryeson kampionatin me 20 pikë, duke regjistruar 6 fitore më tetë javë, më shumë se çdo skuadër tjetër e Superligës dhe me Gramozin e Ersekës e ndan një diferencë prej 13 pikësh.
Devolli: “Tirana për fitore në Shkodër”
Tirana fitoi 2-0 me Teutën në javën e 8-të, duke u rikthyer te fitorja pas pesë javësh, qysh nga ajo kundër Gramozit (0-1) në transfertë në javën e tretë, duke kompensuar në një farë mënyre dhe humbjen në derbi me Dinamon (2-1). Mesfushori potent Bledar Devolli, autori i golit të dytë në fitoren ndaj Teutës, deklaroi për mediat”: “Tirana tashmë e ka lënë pas momentin e vështirë psikologjik. Me kthimin e lojtarëve të dëmtuar kjo skuadër do te kthehet aty ke e ka vendin”. Tirana ka grumbulluar në tetë javët e parë vetëm 11 pikë, duke qenë për momentin 9 pikë larg Dinamos kryesuese. “Sigurisht jemi ende në luftën për titullin kampion. Ndeshja me Vllazninë do të jetë kthesa jonë e vërtetë. Do të shkojmë në Shkodër për fitore. Ndeshja Vllaznia-Tirana për ne është njëlloj si derbi kundër Dinamos. Nëse do të fitojmë në “Loro Boriçi”, atëherë Tirana nuk do të gabojë më”, - tha gjirokstriti i 24-herë kampionëve të Shqipërisë. Kundër Vllaznisë – takimi luhet ditën e premte, ora 17:00 – Tiranës do t’i mungojë mbrojtësi Tefik Osmani dhe sulmuesi Arbër Abilaliaj, ky i fundit, me tre gola të realizuar, është dhe golashënuesi më i mirë i rekordmenëve absolutë në Shqipëri. Mbrojtësi i fuqishëm Rrezart Dabulla vazhdon fazën e rikuperimit, ndërkohë që edhe golashënuesi më mirë i sezonit të kaluar, Migen Memelli, do të mungojë në sfidën kundër nënkampionëve të sezonit të kaluar.
Tirana dhe Vllaznia diskutuan titullin në edicionin 2008-2009 – Tirana fitoi në ndeshjen e fundit të kampionatit 2-1 – por këtë fillimsezoni të dyja nuk kanë pasur një ecuri mbresëlënëse.
Si Tirana ashtu dhe Vllaznia drejtohen nga trajnerët e dytë sezonalë, bardheblutë kryeqytetas pas largimit të kroatit Ilija Lonçareviç drejtohen nga Alban Tafaj, ndërsa kuqeblutë shkodranë pas shkarkimi të Hasan Likës kanë në bankinë Roland Luçin. Vllaznia është në emergjencë për pikë pasi, me 7 pikë në tetë javë ndodhet në zonën kritike, dhe një dështim tjetër i radhës do të përkeqësonte edhe me shumë situatën te klubi 9-herë kampion i vendit.
29 Tetor 2009