Ren: Të zgjidhet kriza, integrimi kërkon konsensus
Shaban Sulçe
Zgjidhja e krizës politike, bojkoti i Kuvendit nga ana e opozitës si dhe reformat që duhet të realizojë qeveria shqiptare për tu integruar në Bashkimin Europian kanë qenë tre çështjet kryesore, që Ministri i Jashtëm Ilir Meta ka diskutuar dje ne Bruksel me komisionerin për zgjerimin Oli Ren. Pas takimit, Ren tha se politika shqiptare duhet të zgjidh krizën politike, pasi ajo pengon integrimin. Ai kritikoi bojkotin e Kuvendit nga ana e Partisë Socialiste, ndërkohë që theksoi se është i nevojshëm konsensusi politik për të arritur integrimin. ““Progresi drejt BE-së kërkon reforma të vështira dhe konsensus politik në prioritete kyçe. Kjo është thelbësore për çdo vend që të bëjë progres drejt BE-së. Në emër të forcimit të konsensusit politik i kam kërkuar zëvendëskryeministrit të gjejë një zgjidhje për bllokadën aktuale politike dhe për bojkotin e Parlamentit prej opozitës. Patjetër që ky është një shqetësim që e kam ngritur edhe me opozitën dhe i kam kërkuar asaj që t’i japë fund bojkotit parlamentar që nuk respekton standardet demokratike europiane. Debati demokratik duhet të ndodhë brenda Parlamentit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme gjatë kësaj periudhe që BE-ja është duke konsideruar kërkesën dhe kur Komisionit do t’i duhet së shpejti të fillojë punën për opinionin mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Një kriter politik thelbësor është stabiliteti demokratik dhe ky lloj bojkoti parlamentar nuk përputhet me pjekurinë demokratike apo me stabilitetin që kërkohet”, - tha Ren.
Progresi
Komisioneri për Zgjerimin, Oli Ren, vlerësoi objektivin e qeverisë së re, që është integrimi dhe rruga drejt Bashkimit Europian. Ai vlerësoi progresin që ka bërë Shqipëria në realizimin e reformave politike, vlerësoi procesin zgjedhor të 28 qershorit, ndërkohë që tha se qeveria shqiptare duhet të përmirësojë luftën kundër krimit të organizuar dhe të respektojë pavarësinë e sistemit gjyqësor. “Në mënyrë të veçantë kjo ka të bëjë me çështje që lidhen me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Siç e theksuam në paketën tonë të zgjerimit në tetor, Shqipëria ka bërë progres në shumë reforma politike. Zgjedhjet parlamentare të qershorit përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare, ndërkohë që përpjekje të mëtejshme nevojiten për të adresuar disa çështje që janë identifikuar. Implementimi i MSA-së, që hyri në fuqi këtë vit, po njeh progres të vazhdueshëm dhe efikas. Ende mbetet shumë për t’u bërë. Shqipëria duhet të bëjë progres, veçanërisht në fushën e rendit dhe të sigurisë, gjithashtu për të siguruar pavarësinë e Gjyqësorit. Gjithashtu, nënvizova rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve administrative dhe zbatuese të administratës publike shqiptare. E mirëpres faktin që qeveria shqiptare i konsideron këto çështje si prioritete për punën e saj në të ardhmen”, - tha Ren.
Meta
Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, pasi falënderoi komisionerin Ren për inkurajimin personal, por edhe të Komisionit, që po i japin Shqipërisë për t’u afruar me BE-në, tha se qeveria shqiptare ka vullnet maksimal për të përmbushur detyrat që kërkon integrimi. Meta tha se qeveria shqiptare po thellon edhe më tej procesin e reformave, po përmbush kërkesat që nevojiten për liberalizimin e vizave, ndërkohë që nga ana tjetër theksoi se qeveria shqiptare ka marrë shumë seriozisht rekomandimet që konstatohen në Progres-Raport. “Ne patëm një diskutim shumë konstruktiv dhe të hapur me komisionerin Ren dhe dua të shfrytëzoj rastin përpara mediave ta siguroj komisionerin përsëri dhe gjithë institucionet këtu në Bruksel se qeveria shqiptare do ta thellojë më tej procesin e reformave në vend, proces që do të kontribuojë për avancimin e marrëdhënieve tona me BE-në. E informova komisionerin Ren mbi punën që po bëjmë për të përmbushur në kohë të gjitha kërkesat e Udhërrëfyesit për procesin e liberalizimit të vizave, për të cilin presim një përgjigje pozitive brenda vitit që vjen. Në këtë kuadër vlerësojmë bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e Komisionit. Për sa i përket Progres-Raportit, e informova komisionerin që ne i kemi marrë rekomandimet e këtij raporti shumë seriozisht dhe se ato tashmë përbëjnë bazën e një plan-veprimi për punën e qeverisë gjatë muajve të ardhshëm. Ndërsa ne mirëpresim një vendim nga Këshilli të merret së shpejti, e informova komisionerin Ren se qeveria shqiptare është tepër e fokusuar në përgatitjet për t’iu përgjigjur Pyetësorit në kohën e duhur. Me këtë rast e sigurova komisionerin se qeveria shqiptare është e vendosur dhe ka mobilizuar kapacitetet më të mira të vendit për këtë proces”, - tha Meta. Ai shprehu vullnetin e qeverisë për të bashkëpunuar me opozitën, si dhe për të plotësuar kërkesat e saj, por pa prekur dhe pa ndërhyrë në pavarësinë e Gjyqësorit dhe vendimeve të gjykatës.
Rehn: Liberalizimi i vizave për shqiptarët brenda vitit 2010
Në këtë konferencë, komisioneri Ren tha se në rast se Shqipëria do të plotësojë kriteret e kërkuara, ajo do të përfitojë liberalizimin e vizave brenda vitit të ardhshëm. “Kushtet e mbetura për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën janë të rëndësishme, por në të njëjtën kohë janë, sigurisht, të arritshme. Në rastin e Shqipërisë, nëse qeveria e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera do të punojnë fort dhe do të sigurojnë plotësimin e kërkesave, atëherë Komisioni do të bëjë rekomandimin për lëvizjen pa viza në mesin e vitit 2010. Sigurisht që kjo varet nga Komisioni i ardhshëm, por unë do të ushtroj gjithë ndikimin tim si kandidat për komisioner për të siguruar që ky objektiv të arrihet sapo të jenë plotësuar kushtet”, - tha Ren.
Vendet anëtare të BE-së, po kërkesës së Shqipërisë
Komisioni Europian i ka hapur rrugë Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për të pranuar kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Vendimi pritet të miratohet nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, gjatë një takimi dyditor që nis të hënën. Kështu, me këtë vendim, komisioneri merr mandatin për të nisur përgatitjet e opinionit mbi gatishmërinë e Shqipërisë për këtë status, i cili vendoset në Këshillin e parë të Ministrave Europianë. Shqipëria aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Europian në muajin prill. Nëse i lejohet që të nisë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian, atëherë Shqipërisë do t’i kërkohet të çojë përpara reformat politike dhe ekonomike sipas standardeve europiane.
Ren për çështjen “Baze”
Komisioneri për Zgjerimin tha se qeveria shqiptare duhet të bëjë më shumë për të përmirësuar lirinë dhe mbrojtjen e medias. “Në këtë kuadër e inkurajova z. Meta dhe qeverinë që të bëjnë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të përmirësuar këto çështje dhe për të bërë reforma në këto drejtime, ashtu siç e inkurajova edhe për përmirësimin e lirisë dhe mbrojtjes së medias, që ende gjendet nën sulme të dhunshme, siç ishte rasti i fundit i z. Baze”, - tha ai. Lidhur me këtë çështje, zëvendëskryeministri Ilir Meta tha se qeveria shqiptare është e vendosur për të respektuar lirinë e mediave, ndërkohë që lidhur me çështjen “Baze”, ai tha se agresorët tashmë janë në gjendje arresti. “I garantova gjithashtu komisionerit Ren se qeveria është tepër e përkushtuar për të garantuar lirinë e mediave dhe e informova atë se të gjithë personat e përfshirë në incidentin e fundit fizik ndaj një gazetari të njohur në vend, z. Baze, janë nën masën e arrestit. Të gjitha institucionet në vend dhe vetë qeveria është distancuar seriozisht jo vetëm nga ky incident, por nga çdo lloj incidenti apo dhune që kërcënon standardet e lirisë së medias në vend”, - tha Meta.
12 Nentor 2009