Kuvendi i PD-së, shtohen polemikat për ndarjen e posteve
Ndryshimet në Statutin e PD-së pritet të përbëjë thelbin e debatit në Kuvendin e 12 dhjetorit të Partisë Demokratike. Një muaj larg mbajtjes së këtij Kuvendi, çështja e ndarjes së posteve drejtuese në parti nga postet ministrore e ka ndarë më dysh selinë blu. Madje më dysh është ndarë edhe Kryesia Qendrore e PD-së. Disa prej anëtarëve të Kryesisë janë shprehur pro ndryshimeve në Statut dhe ndarjes së posteve drejtuese, ndërsa vetë drejtuesit e PD-së janë shprehur kundër kësaj ideje. Një tjetër anëtar i Kryesisë së PD-së, Edi Paloka, është shprehur dje në mbështetje të ndarjes së posteve, duke kërkuar që sekretarët të mos mbajnë edhe poste në Ekzekutiv. Sipas anëtarit të Kryesisë së PD-së, Edi Paloka, ndarja e posteve do të forconte strukturat partiake tashmë që PD-ja ka hyrë në mandatin e dytë qeverisës. Përveç Palokës, në mbështetje të kësaj ideje janë shprehur anëtarë të tjerë të Kryesisë, si Fatos Beja, Aldo Bumçi, Aleksandër Biberaj, Omer Stringa e Besnik Mustafaj. Ndërsa pak ditë më parë, kundër ndarjes së posteve në parti është shprehur nënkryetari Astrit Patozi. Ai është shprehur se ndarja e posteve në PD mund të miratohet vetëm për Sekretariatin, ndërsa lidershipi i partisë nuk do të ndryshojë. Sipas tij, lidershipi është ai që menaxhon fushatën elektorale dhe ndikon në rezultatin pozitiv ose negativ në zgjedhje. Për këtë arsye, kur partia fiton zgjedhjet, i takon lidershipit që të qeverisë vendin dhe të marrë poste qeveritare, krahas atyre partiake. “Parimi politik është që lidershipi i partisë vendos për qeverinë, dhe jo e kundërta. Për shkak se një parti, kur vjen në pushtet, drejtuesit e saj zënë vend në qeveri dhe jo e anasjella”, - shprehet Patozi.
Kuvendi
Kuvendi i radhës i PD-së, që do të mblidhet në datën 12 dhjetor, do të ketë rreth 1 mijë delegatë, gjë që përbën dhe numrin më të madh të delegatëve që ka pasur ndonjëherë një kongres partiak. Gjysma e delegatëve do të vijnë si të përzgjedhur për shkak të numrit të anëtarësisë, d.m.th., një seksion, i cili ka më shumë anëtarë, ka të drejtë për më shumë delegatë sesa një seksion më i vogël. Ndërsa 500 delegatët e tjerë do të vijnë si rezultat i votave të marra. Aty ku partia ka marrë më tepër vota do të ketë më tepër delegatë. Partia Demokratike do të ndërmarrë ndryshimet e domosdoshme në Statut për t’u përshtatur me Kodin e ri Elektoral dhe me kalimin në sistemin proporcional-rajonal. Baza e Kodit të ri Elektoral është ndarja administrative territoriale e Shqipërisë, ndaj dhe struktura e partisë do të përshtatet me këtë.
Ideja
Ideja e ndarjes së posteve ministrore nga ato partiake ka filluar të qarkullojë në Partinë Demokratike fill pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007. Deputetë të ndryshëm të PD-së deklaruan se shkak për humbjen në zgjedhje ishte mungesa e një organizimi të mirë të partisë. Sipas tyre, shkak për këtë u bë fakti që sekretarët e partisë ishin angazhuar më shumë me postin ministror, sesa me funksionin partiak. Deputetë të ndryshëm hodhën idenë e ndarjes së posteve ministrore nga ato partiake me qëllimin e funksionimit të partisë edhe gjatë viteve kur partia është në maxhorancë dhe drejton vendin. Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se miratimi i ndarjes së posteve do t’i shërbente shumë partisë për shkak se do të kënaqeshin “orekset” e figurave të ndryshme të PD-së që kanë ambicie për pushtet. Kështu, kryeministri Berisha, përveç disa deputetëve kryesorë që u jep portofola ministrorë, kënaq edhe deputetë të tjerë, të cilët i angazhon me poste në parti.
Ndërsa disa anëtarë të tjerë të PD-së mendojnë të kundërtën. Sipas tyre, është e rëndësishme që partinë ta drejtojnë figurat me peshë dhe që kanë eksperiencë pune. Por të tillë figura janë angazhuar në poste të rëndësishme qeveritare dhe në Kuvend, ndaj mbetet që kjo çështje të jetë objekt diskutimi në mbledhjen e strukturave të partisë.
Beja: “Monopolizimi i posteve sjell dobësimin e PD-së”
“Mënyrat ekstreme nuk janë asnjëherë të mira, pasi nëse drejtuesit e partisë do të vendosen të gjithë në pushtet, atëherë në parti nuk do të mbetet askush dhe kjo do të sjellë humbjen e forcës së PD-së. Një parti në qeverisje ndien gjithmonë nevojën e mbështetjes nga strukturat për çdo ligj që bën qeveria”, - është shprehur Beja, duke shtuar se “vetëm në këtë mënyrë partia mund të konsultohet dhe të furnizohet gjithmonë me ide të reja”.
Gjithashtu, sipas tij, “mbajtja e dy posteve të rëndësishme, në qeveri dhe në parti, është e kufizuar edhe për shkak të mungesës së kohës fizike për të ushtruar me përgjegjësi të dyja funksionet”.
Bumçi: “PD-ja duhet të funksionojë edhe kur është në qeverisje”
Kryetari i demokratëve të Tiranës, Aldo Bumçi, është shprehur se duhet të vendoset një traditë në PD, që parashikon largimin nga postet drejtuese në parti të personave që marrin portofola ministrorë në qeveri. “Kur fiton zgjedhjet është normale që figurat kryesore, njerëzit që kanë mbajtur peshën e kësaj partie në opozitë, të kalojnë në qeverisje. Ne periudhën 2005-2009, pjesa kryesore e vëmendjes ishte te qeveria dhe partia u la në një farë mënyre në heshtje. Mendoj që duhet ta tejkalojmë këtë fazë, të krijojmë një traditë. Në fund duhet të kemi një parti që të jetë aktive, të mbajë kontaktet me njerëzit, për këtë arsye partia ekziston. Strukturat të mblidhen, të jetë funksionale, pra duhet të ketë një vëmendje më të madhe në parti dhe kjo nuk mund të bëhet nëse postet janë në njësuara”, - tha Bumçi.
Biberaj: “Është i nevojshëm demokratizimi i partisë”
Gjatë një prononcimi për mediat, Biberaj theksoi domosdoshmërinë e demokratizimit të kësaj partie nëpërmjet një reformimi të thellë të saj. “Procesi i reformimit të PD-së duhet të fillojë të realizohet nëpërmjet analizave të hapura e realiste dhe debateve demokratike që duhet të zhvillohen nga baza e partisë deri në lidershipin e saj, nëpërmjet decentralizimit dhe ndarjes së mandateve, si dhe zgjedhjeve demokratike, duke u bazuar në konkurrencën e lirë dhe të ndershme, në konkurrencën e vlerave dhe të kontributeve, e alternativave dhe të programeve, konkurrencë që mund të realizohet nëpërmjet zbatimit të parimit ‘një anëtar, një vot뒔, - është shprehur ish-deputeti i PD-së.
12 Nentor 2009