Renato Arapi, për 2 sezone te Shkumbini
Renato Arapi firmosi një kontratë 2-vjeçare me Shkumbinin. Prova e tij 10-ditore në Greqi te Panionos, sipas mediave greke, nuk e bindi trajnerin Mikael Store. Ish-mbrojtësi 23-vjeçar i Besës (32 ndeshje sezonin e kaluar) është tashmë nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa. Shkumbini i presidentit të ri Ylli Ndroqi, është një ndër skuadrat më aktive në merkato. Mbrojtësi është i njohur në kampionatin shqiptar, pasi ka një karrierë jo të paktë në Kategorinë Superiore. Në vitin 2002 ai debutoi në radhën e të rriturve të klubit Dinamo, ku qëndroi për tri sezone deri në 2005. Në këtë vit u transferua te Besa e Kavajës, në radhët e të cilës u aktivizua deri më 2008-n. Merkatoja e asaj vere e pa të impenjuar në radhët e danezëve të Silkeborgut për një sezon. Më 2009-n u rikthye sërish te Besa, me të cilën luajti 32 ndeshje në sezonin e kaluar. Arapi, që nga 2007-a është pjesë edhe e Kombëtares U-21 të Shqipërisë.
#