E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoferi i ambasadës: Janë 30 persona në trafik

02/12/2004  TIRANË – Me sa duket, ligji antimafia, apo statusi i të penduarit ka shërbyer mirë, ka funksionuar këtë herë. Ilir Ajazi, shofer në familjen e ambasadorit grek në Tiranë, zbardh për Prokurorinë të gjithë skemën e funksionimit të rrjetit të heroinës nga Tirana për në Athinë. Ai tregon gjithashtu edhe shumën e parave që merrte, pasi çonte në destinacion pakon e madhe. I jep Prokurorisë të dhëna që kanë lidhje me grupin e madh të trafikut të drogës dhe shpreson se drejtësia do të vërë dorën në zemër për të. Për herë të parë kemi të bëjmë me një të penduar të drejtësisë shqiptare.

I penduari

Bëhet fjalë për një person, i cili për më shumë se një vit e gjysmë ka qenë në shërbim të trafikantëve. Ka marrë para prej tyre. Për një kile drogë të çuar në destinacion merrte jo pak, por 1 mijë dollarë. Nuk ka mohuar asgjë, madje i ka treguar organit të Prokurorisë emrat e 30 personave, të cilët janë të implikuar në rrjetin e madh të trafikut të lëndëve narkotike me shtetin fqinj. Nuk dihet me saktësi nëse në këtë numër të madh personash, të cilët, tashmë janë të skeduar nga policia dhe organi i Prokurorisë ka urdhërarreste të prera, e mes tyre ka të implikuar punonjës të ambasadës greke. Ajo çka Ajazi ka saktësuar në mënyrë të përsëritur, është fakti se për një vit e gjysmë ka dërguar në Athinë heroinë me mjetin e ambasadës. Gjatë kësaj kohe nuk ishte kontrolluar dhe pikën kufitare të Kakavijës dhe ka kaluar qetësisht. Ajazi i ka treguar gjykatës se të parët që e kanë njohur dhe i kanë ofruar të bënte punën e korrierit ishin të pandehurit, Krenar Çako dhe Valter Foto. Ndërkohë në telefonin e tij janë gjendur shumë emra, të cilët bënin pritjen e mallit, e që tani janë persona në hetim.

Siguria

Nga burimet e brendshme në gjykatë mësohet se i pandehuri Ilir Ajazi është dërguar në ambientet e Komisariatit numër tre Tiranë, në rrugën "Mine Peza". Burimet bëjnë të ditur se i pandehuri është marrë në mbrojtje, pasi është treguar i penduar dhe ka nxjerrë emrat e 30 bashkëpunëtorëve në trafikun e drogës. Frika e eliminimit e ka mbyllur këtë të pandehur. Urdhri për t'u mbajtur nën ruajtje është dhënë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila për herë të parë ka në dorë një informator të sigurtë, që ka bërë korrierin e drogës për një vit e gjysmë.

Policia dhe arrestimi

Ilir Ajazi është penduar që në momentin e parë të arrestimit nga policia. Para gjykatës është shprehur se policia e ka trajtuar shumë mirë dhe se kishte besim te drejtësia. Nuk ka patur shumë nevojë për avokat, pasi është bindur në gjithçka dhe ka treguar pa u shtrënguar. Madje, gjykata e ka pyetur të pandehurin 54-vjeçar, Ilir Ajazi, nëse familja e tij kishte marrë dijeni që në momentet e para të arrestimit. Por, Ajazi është përgjigjur se policia ka vepruar konform rregullave dhe nuk ka bërë asnjë shkelje me të. Në hundën e Ajazit është vërejtur edhe një plagë, e cila mendohet se mund të ishte shkaktuar nga goditjet e policisë gjatë arrestimit, por i pandehuri ka mohuar një fakt të tillë, duke thënë se është goditur te makina, në momentin e ndalimit në Kakavijë.

Burg pa afat për Çakon dhe Foton, bashkëpunëtorë të shoferit

TIRANË – Kanë mohuar gjithçka. Edhe pse emrat e tyre kanë qenë të parët që janë përmendur nga i pandehuri Ilir Ajazi, ata kanë kundërshtuar. Krenar Çako dhe Valter Foto, të mbrojtur para gjykatës nga dy avokatë, Klojda Dashi dhe Ferdinand Doja, nuk e kanë pranuar akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Ata janë shprehur se nuk kanë lidhje me Ilir Ajazin. Ndërsa, prokurori Altin Dumani dhe Ardian Braho, për të lënë në burg pa afat të pandehurit kanë patur provën kryesore, deklarimet e të arrestuarit, shok të tyre. Krenar Çako ka pranuar se ka njohje me të pandehurin Ajazi, por këtë fakt e ka justifikuar me lidhjen që kishte prej kohësh me një kushërirën e tij. Ndërkohë që për drogën ka mohuar gjithçka. Nga ana tjetër, i pandehuri Valter Foto është shprehur se nuk e njeh fare Ilirin dhe se me të nuk e ka lidhur puna. Foto e Çako kanë dëgjuar para gjykatës se në këtë trafik droge janë implikuar nga i pandehuri që punonte në ambasadën helene. Ajazi është shprehur se drogën e merrte në Tiranë nga të pandehurit e mësipërm, në këmbim të premtimit për pagesën e majme. Të dy dyshohet se e kanë zgjedhur punonjësin e shërbimit diplomatik si njeri të besuar në ambasadë. Përveç kësaj është edhe fakti tjetër se droga në të gjitha rastet lëvizte me makinën e ambasadës. Kjo e ka bërë më të lehtë kalimin në kufi. Duke qenë shofer i gruas së ambasadorit, Ajazi shkonte shpesh në Athinë. Ai në shumicën e rasteve e bënte rrugën edhe dy herë në muaj. Kjo për faktin se merrte dhe çonte gruan e titullarit. Të pandehurit pas dhënies së masës së arrestit janë dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë. Ndërkohë që, Prokuroria është gati të presë urdhërarrestet për persona të tjerë. Mendohet se një numër i madh bashkëpunëtorësh ndodhen në Greqi. Por nuk është lënë jashtë vëmendjes dhe Tirana, ku janë listuar disa adresa të dhëna nga "i penduari".

Alma Çuka

Prokuroria: Identifikuam

pritësit e drogës në Greqi

Dy shqiptarë dhe një shtetas grek, kanë qenë në pirtje të më shumë se 3 kileve drogë, e cila u kap në makinën e shoferit të ambasadës greke në Tiranë, Ilir Ajazi. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, tha se ka indetifikuar një pjesë të mirë të anëtarëve të rrjetit të rregullt të trafikut mes shqipërisë dhe Greqisë. Një pjesë e punës hetimore në këtë drejtim, ka qenë përgjimi i telefonave, nga i cili është mësuar jo pak, për personat që e prisnin drogën në Greqi. Por të dhënat e përgjimeve, janë plotësuar me dëshminë e Ilir Ajazit, i cili nuk ka nguruar të tregojë bashkëpunëtorët e tij jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve të saj. Duke u bazuar në këto dëshmi, hetuesit kanë prerë tre fletëarreste ndaj personave që e prisnin drogën tej kufirit grek dhe mësohet se edhe Prokuroria greke ka hapur dosje për rastin. Pjesë e kësaj dosje, është edhe hetimi në përfaqësinë diplomatike, shoferi i të cilës, u arrestua me më shumë se tre kile heroinë, mbrëmjen e katër netëve më parë. T.S

Dosja

Linja

Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri-Greqi

Të implikuar

30 persona

Në Greqi

3 të identifikuar

Provat materiale

-3 kg e 310 gramë heroinë e ndarë në 3 pako

-3 autovetura

-2 celularë

-1 pistoletë e tipit TT

Arrestuar

Ilir Ajazi, i vitlindjes 1950, lindur dhe banues në Tiranë. Pa precedentë të mëparshëm. Ajazi ka dëshmuar hd eka pranuar trafikun, duke ndihmuar hetimin.

Valter Foto, i vitlindjes 1955, lindur dhe banues në Tiranë. I dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Masë sigurie burg pa afat. Nuk ka pranr akuzën.

Krenar Çako, i vitlindjes 1964, lindur dhe banues në Tiranë. I dënuar më parë në Itali për trafik të lëndëve narkotike. Gjykata ka vendosur burg pa afat, s'ka pranuar akuzën e trafikut të heroinës.

19 kg heroinë në linjën e autobusave drejt Athinës

Vjet në muajin nëntor, policia e kryeqytetit arriti të zbulonte një sasi prej 17 kg heroine në bagazhin e një autobusi të linjës Tiranë-Athinë. Gjatë operacionit të rrufeshëm u arrestuan 3 persona. Nuredin Velçani, shoferi i autobusit së bashku me të birin si dhe Ilir Rama. Ndërsa djali i Velçanit u lirua për mungesë provash, dy të tjerët janë ende në qeli, në pritje të vendimit të togave të zeza. Burime policore u shprehën asokohe se nuk qe hera e parë që në Athinë dërgohej drogë me anë të linjës interurbane. Autobusi mbartte drogë, ndërsa një fuoristradë e drejtuar nga Rama i shoqëronte nga kryeqyteti shqiptar në atë helen. Por, asnjëherë nuk kishte ngjarë të kishte probleme. Në doganën e Kakavijës, ata kishin bashkëpunëtorët e tyre, që kujdeseshin për të mos u rënë ndesh miqve. Gjatë periudhës 1-vjetore, pas operacionit të mësipërm, policia nuk mundi të zbulonte ndonjë fije apo person që merrej me trafikun e lëndëve narkotike me destinacion Greqinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›