E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtruesi në kërkim, “i lirë” në Maqedoni

 

TIRNAE – Zbulohet itinerari i mashtruesit Indrit Aliu i arrestuar në Athinë dy ditë më parë pas disa muajsh në kërkim ndërkombëtar. Pasi përfitoi rreth 4 milionë euro nga dhjetë biznesmenë nga Tirana, 23-vjeçari nga Vlora, pasditen e 16 marsit të këtij viti shfrytëzoi momentin kur nuk punonte sistemi TIMS në kufi për të kaluar i qetë në doganën e Qafë Thanës, me destinacion të deklaruar Turqinë. Por për rreth një muaj ai do endej mes Shkupit dhe Tetovës së Maqedonisë, derisa më pas do kalonte në Turqi për të qëndruar i fshehur në Stamboll për dy muaj të tjerë. Pas kësaj ai është rikthyer sërish në Tetovë, ku ka jetuar në rrethinat e këtij qyteti deri dy muaj më parë kur kaloi kufirin ilegalisht për në Greqi. Gjatë kësaj kohe Aliu ka qëndruar i fshehur në kryeqytetin grek dhe disa qytete të tjera, duke përdorur gjenealitetet e biznesmenit Sokol Shehu. Burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se zbulimi i Aliut është bërë nga përgjimi i telefonatave të tij me familjarët, të cilëve u kërkonte caktimin e një avokati për ta përfaqësuar gjatë mbylljes së hetimit dhe më pas në gjykim. Pas lokalizimit të vendndodhjes së tij, policia shqiptare ka njoftuar atë helene, e cila në bazë të urdhër-arrestit e ka vënë në pranga, mbrëmjen e së enjtes. Burime pranë hetimit të çështjes në ngarkim të tij pohojnë se nuk do të dërgojnë në Greqi kërkesë të re për ekstradimin e tij, pasi në kërkesën e urdhër-arrestit, bazuar mbi vendimin gjyqësor të vendosjes së masës së sigurisë, është shënuar se Aliu duhet të arrestohet për llogari të autoriteteve shqiptare të drejtësisë. Pra, e thënë ndryshe, kjo përmban kërkesën për ekstradimin e tij dhe nxjerrjen para drejtësisë shqiptare. Tashmë, në fillim të javës së ardhshme pritet që autoritetet shqiptare të përcjellin në Greqi dokumentacionin e duhur për ekstradimin e tij.       fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›