E Shtunë, 31 Tetor 2026

Renditja e universiteteve përfundon në korrik

03/02/2011  Kundërshtime nga Universiteti i Tiranës

Ekspertët e arsimit konfirmojnë se procesi i renditjes së institucioneve të arsimit të lartë, në varësi të programeve që ofrojnë, do të përfundojë deri në nisje të muajit korrik. Pas vlerësimit të të gjithë treguesve do të përcaktohen edhe institucionet që plotësojnë standardet për ushtrimin e këtij funksioni. Megjithatë, të dhënat raportojnë se ka edhe struktura të arsimit të lartë jo vetëm privat, por dhe publik që nuk e kanë mirëpritur këtë proces. Një ndër to është edhe Universiteti i Tiranës. Kundrejt kësaj situate ekspertët e Ministrisë së Arsimit shprehen se, sipas ligjit, nëse këto universitete nuk do të marrin pjesë në këtë proces, nuk penalizohen, por pritet të humbasin besueshmërinë te studentët për programet që ofrojnë."Procesi, sipas kontratës që kemi me kompaninë e renditjes, pritet të përfundojë në fund të muajit qershor dhe në fillim të muajit korrik. Një pjesë e universiteteve private do të seleksionohen, sepse jo të gjitha e përmbushin kushtin që është vendosur nga Ministria në bashkëpunim me kompaninë, e cila duhet të jetë minimalisht 3 vjet që këto institucione të jenë në treg. Është një tregues, nëse një universitet tregon rezerva ndaj renditjes pa i argumentuar këto, do të thotë se ky universitet jep një shkas për të ulur besueshmërinë mbi programet që ofrohen", - konfirmon kreu i zhvillimit të Arsimit privat në MASH Arian Shahini. Pak kohë më parë kreu i UT-së ka konfirmuar edhe qëndrimin e këtij institucioni kundër këtij vlerësimi, duke kërkuar fillimisht akreditimin dhe më pas renditjen e fakultete. Megjithatë, sipas Ministrisë së Arsimit këto procese nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe se po keqkuptohen stafet pedagogjike të universiteteve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›