E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja e provimeve për 9-vjeçaren

03/02/2011  Marrja e notave kaluese në gjuhën shqipe e matematikë i jep fund arsimit të detyruar

Testimet do të zhvillohen vetëm me shkrim, procesi i vlerësimit dhe përjashtimet

Detajohet e plotë rregullorja për provimet e lirimit për klasat e nënta, që do të zhvillohet në përfundim të vitit shkollor 2010–2011. Sikundër dihet tashmë, procesi i provimeve të lirimit do të ndjekë të njëjtën rrjedhë që zhvillohet në arsimin e mesëm nëpërmjet procesit të maturës shtetërore. Rregullorja zbardh të gjitha kushtet dhe procedurat që do të ndiqen për zhvillimin e dy provimeve, të cilat janë edhe kushti bazë që do të lejojë nxënësit e klasave të nënta të ndërmarrin hapin për vijimin e studimeve në arsimin e mesëm. Në këto kushte, për të shlyer detyrimet me arsimin bazë nxënësit duhet të vlerësohen me nota kaluese në dy provimet e lirimit, që do të zhvillohen me shkrim, në lëndët gjuhë-lexim dhe matematikë. Zhvillimi i këtyre provimeve do të kryhet nën masa të rrepta sigurie, sikundër do të ndodhë edhe me procesin e vlerësimit të testeve. Në rregullore konfirmohet se rezultatet do të shpallen 15 ditë pas dhënies së provimit. Nxënësi që nuk arrin të marrë njërin ose të dyja provimet, ka të drejtë t’i rijapë ato në sezonin e vjeshtës. Megjithatë, datat e zhvillimit të dy provimeve si për sezonin e parë, ashtu dhe për vjeshtën do të shpallen me udhëzim të veçantë nga kreu i dikasterit të Arsimit.

Rregullorja

Mbikëqyrja dhe realizimi i provimeve do të monitorohet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP). Organizimi i provimeve do të bëhet në të njëjtat procedura siç ndodh edhe me maturën. Kështu, provimet e lirimit zhvillohen në lëndët “Gjuhë amtare” dhe “Matematikë” dhe vërtetojnë mbarimin e shkollës 9-vjeçare. Deri më 15 mars pranë çdo drejtorie arsimore do të ngrihen komisionet e provimeve të lirimit, që do të mbikëqyrin ecurinë e zhvillimit për të gjithë zonën që mbulojnë. Këto komisione, mbi bazën e të dhënave të ardhura nga shkollat, hartojnë listën e regjistrimit të të gjithë nxënësve të territorit që do të hyjnë në këto provime. Secili nxënës do të ketë një numër rendor plotësisht të përcaktuar e të vetëm. Mbi bazën e kësaj liste komisioni për çdo mjedis provimi përcakton listën e nxënësve që do ta japin provimin aty, shoqëruar me numrin e tyre në listën e regjistrimit. Në shkolla komisionet do të ngrihen brenda datës 21 mars. Kryetar i këtij komisioni është drejtori i shkollës, anëtarët e tjerë janë mësues të shkollës. Ky komision është përgjegjës për njoftimin e nxënësve në lidhje me ambientet dhe dokumentet që do të kërkohen në ditët e provimit si dhe kontrollon ambientet ku do të zhvillohen provimet.

Vlerësimi

Materialet e provimit do të tërhiqen një ditë para datës së caktuar në mjediset e AKP-së nga dy persona të autorizuar. Skema e korrigjimit përcakton se vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë. Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse mbështetet në skemën standarde të vlerësimit të përcaktuar nga hartuesit, ku për çdo pikë të marrë përcaktohet edhe nota që i korrespondon. Korrigjimet e testeve do të bëhen nga mësues të shkollave të tjera, të përzgjedhur nga drejtoria arsimore. Këta të fundit do të përcaktojnë edhe mjediset ku do të bëhet korrigjimi. Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues, që firmosin në çdo test që korrigjojnë. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar.

Përjashtimi

Nxënësi që gjatë zhvillimit të provimit merr ose jep kopje, jo vetëm do të përjashtohet nga provimi, por humbet edhe të drejtën e dhënies së provimit për atë vit shkollor.

Ambientet ku do zhvillohen provimet

a) Mjedisi më i vogël i përshtatshëm për zhvillimin e provimeve të jetë i mjaftueshëm për të paktën 15 nxënës.

b) Largësia ndërmjet nxënësve të jetë jo më pak se 120 cm nga njëri-tjetri si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa.

c) Ditën e provimit në shkollë nuk zhvillohen aktivitete të tjera që ndërpresin provimin.

d) Mjediset të jenë të ajrosura, të pastruara dhe të ndriçuara.

e) Në mjediset ku zhvillohet provimi nuk duhet të ketë postera, tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim.

f) Nxënësit ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim.

g) Sipërfaqja që nxënësi ka në dispozicion për të shkruar është të paktën 40 cm x 60

cm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›