Gruaja 47 vjeçe mbytet në rezervuar pas vdekjes së nënës
Një 47-vjeçare është gjetur e mbytur në rezervuarin e fshatit Libonik. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës kur Vislet Hoxhalli është larguar nga banesa pa lënë adresë. Burimet e policisë kanë thënë se 47-vjeçarja ishte hedhur në rezervuar dhe të afërmit nuk kanë mundur ta gjejnë. Familjarët e kanë gjetur gruan të mbytur dhe më pas e kanë nxjerrë trupin nga rezervuari, por pa njoftuar policinë. Burimet policore bënë të ditur se njoftimi është bërë vetëm në orën 01:00 të mëngjesit të djeshëm, pasi të afërmit e Hoxhallit e kishin transportuar trupin e saj në banesë. Burimet policore thanë se ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës 20:00, një orë pasi gruaja ishte larguar nga shtëpia. Sipas deklarimeve të familjarëve, gruaja kishte rënë në depresion që pas vdekjes së nënës së saj. Policia pohoi se bëhej fjalë për vetëvrasje, pasi në trupin e gruas nuk kishte shenja dhune.