E Diel, 1 Nëntor 2026

Rëndohet shëndeti i minatorëve në Pogradec, mjekohen në spital

Pogradec- Në ditën e tetë të grevës së urisë, gjendja shëndetësore e minatorëve të Pogradecit është rënduar shumë. Ata janë dërguar në spital, ku kanë marrë ndihmë mjekësore dhe më pas i janë rikthyer sërish grevës.

Grevistët kanë akuzuar qeverinë për indiferencën që po tregon në plotësimin e kërkesave të tyre.

Bexhet Mimini, një nga grevistët, me fytyrë të zbehtë dhe një zë të mekur tregon se është 63-vjeç dhe ka punuar në minierë plot 33 vjet minator nëntoke. “Marr pension 6500 lekë të reja ky pension nuk më del as mua të ha bukë thatë, e as bëhet fjalë për familjet dhe të tjera detyrime që kam”- thotë ai.

Salltën Kaftirani, një tjetër grevist ka punuar 18 vjet minator nëntoke dhe me rrogën e minatorit ka rritur 7 fëmijë. Të njëjtin hall ndajnë të gjithë bashkë, të mbledhur me të njëjtin interes në këtë grevë, atë ekonomik.

“Le të vdesim për të drejtat tona, ndryshe, me paratë që marrim ne nuk mbijetojmë dot. Qeveria nuk po e vë ujin në zjarr për ne dhe ky është një turp shumë i madh për të. Vonesa e qeverisë është rrënimi ynë”- thonë ata.

Minatorët pranojnë absurditetet në ndarjen e pensioneve. Sipas tyre një minator i ri që ka punuar 10 vjet në minierë merr 17 mijë lek të reja në muaj, ndërsa një minator i vjetër që ka punuar mbi 30 vjet minator merr 6500 lek të reja. “Ka 20 ligje e rregulla për minatorët nuk kemi ende status”- ankohen ata.

Sot, në ambientin e grevës kanë shkuar për vizitë kreu i të përndjekurve politik ëtë rrethit dhe më pas edhe kreu i bashkisë, Artan Shkëmbi dhe drejtueist e portive të spektrit të majtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›