E Shtunë, 31 Tetor 2026

Renea në Lazarat, shoqërohen 8 persona

Autori i Lajmit: red.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë nisur një operacion të koduar “Siguria e jetës”. Si rezultat i këtij operacioni u shoqëruan tetë persona nga fshati Lazarat, të cilët kanë kundërshtuar forcat e policisë gjatë kontrollit të automjeteve në postblloqet e ngritura. Ndërkohë janë bllokuar katër mjete të mëdha transporti, të cilat shërbenin për transport uji, bote uji nga fshati Lazarat, të cilat ishin pa dokumentacionin ligjor. Sipas të njëjtave burime, në operacion u bllokuan edhe 16 automjete, të cilat qarkullonin pa dokumentacion. Ato janë transportuar në pikën e bllokimit në Dragot të rrethit Tepelenë. Mësohet se janë shoqëruar 14 mjete, të cilat lëviznin me xhama të zinj. Këtyre mjeteve u janë hequr xhamat e zinj dhe janë ndëshkuar me masë administrative sipas Kodit Rrugor. Mësohet se janë vendosur 144 masa administrative me vlerë 121.000 lekë.
Gjithashtu, u janë hequr 3 leje drejtimi pronarëve të automjeteve, pasi automjetet i drejtonin fëmijët nën moshë dhe të papajisur me dëshmi aftësie. Janë transportuar për në pikën e bllokimit në Dragot rreth 80 mjete të cilat ishin të bllokuara në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër gjatë viteve dhe muajve të kaluar. Policia tha zyrtarisht se do të vazhdojë transportimi i tyre deri në boshatisjen e plotë të ambienteve të Drejtorisë së Policisë Gjirokastër.
Ky lajm është publikuar: 04/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›