Rënia e një dinastie

“Pse princi i mirë nuk është aq sa duhet i mirë?”, shtroi para pak kohësh pyetjen një gazetë në Indi. Pyetja ju parashtrua Rahul Ghandit. Kjo pyetje po preokupon shumë indianë, për të cilët për një kohë të gjatë është vetëkuptuar që një Ghandi të kryesonte shtetin. Princi Rahul deri me tani ka mishëruar vazhdimësinë e këtij ligji.
Funksioni i kryeministrit dukej se ishte i sigurt, pasi që nëna e tij, Sonia Ghandi, që nga viti 2005 ka pushtetin më të madh në dorë, si kryesuese e Partisë së Kongresit në pushtet.
Ishte vetëm çështje kohe se kur Rahul Ghandi do të merrte përsipër kryesimin. Por befas, gjërat rrodhën ndryshe.
“Askush nuk e di se kush është tani Zot në shtëpinë e Partisë së Kongresit”, thotë autori Jatin Gandhi (nuk ka lidhje farefisnore me familjen Ghandi), e cila së fundi ka shkruar një libër për Rahul Ghandin. Ai për këtë vakuum në strukturat udhëheqëse e fajëson Rahulin.
Rahul Gandhi së fundi përjetoi se si me një fushatë zgjedhore të udhëhequr me gjysmë zemre në provincë mund të humbën votat në kryeqytet. “Edhe përkundër faktit se ai kryesoi fushatën në shtetin Uttar Pradesh, ai atje nuk ishte madje as kryetar i partisë. Rezultati: një humbje e dhimbshme zgjedhore, nga e cila Rahuli ende nuk është këndellur”, thotë autori Ghandi.
Në anën tjetër, Rahul ka të gjitha tiparet e nevojshme, për vazhdimin e dinastisë së familjes së tij. Ai është i ri, karizmatik dhe atraktiv. Në jetën private ai konsiderohet si aventurist dhe i pëlqejnë sportet ekstreme. Si çdo djalë i një familje me renome në Indi, edhe ai ka studiuar në Britani dhe SHBA. Në Indi u kthye në vitin 2004, për të trashëguar nënën e tij. Politika e ka ndjekur atë që nga djepi: stërgjyshi i tij, Javaharlal Nehru ishte kryeministri i parë i Indisë.
Gjyshja e tij e vrarë, Indira Ghandi, u votua dy herë për kryeministre të vendit. I ati i tij, Rajiv Ghandi ishte gjithashtu kryeministër. Ai gjithashtu u vra nga një atentator, në vitin 1991. or familja nuk u dorëzua. Nëna italiane e Ghandit, Sonia Ghandi, fitoi zgjedhjet në vitet 2005 dhe 2009, por hoqi dorë nga funksioni i kryeministres, duke ja lëshuar rrugën kryeministrit aktual të Indisë, Manmohan Singh. Shumë ishin të mendimit se në këtë mënyrë ajo synoi t’ia lehtësojë rrugën djalit të saj.
Por fitorja e Ghandit në Uttar Pradesh qysh herët është dukur në horizont. Nga kolegët e tij partiak Rahul konsiderohet si naiv dhe i komplikuar. Problemi i tij ishte: ai thjeshtë nuk deshi të ndjekë rrugën e familjes. Ai deshi të bindë njerëzit me idetë e tij personale dhe paralajmëroi synime të larta, siç ishte eliminimi i parimit të dinastisë brenda partisë së tij. Pra eliminimin e një sistemi, të cilit duhet ti falënderohet për pushtetin që ka.
Gjatë fushatës së tij, ai nuk i kushtoi rëndësi faktit se sa shumë vota mund të joshë mbiemri i një familje të njohur. Dhe për këtë arsye edhe humbi zgjedhjet. Së fundi, një Komision i partisë publikoi një raport, në të cilin për humbjen e pësuar në Uttar Pradesh u fajësua strategjia zgjedhore e Rahul Ghandit.
Megjithatë, duhet thënë se strategjia e tij nuk ishte edhe gjithaq e keqe: Ghandi i shpalli luftë korrupsionit dhe u angazhua për të pastrehët, premtoi se do të angazhohej për një Indi të re, moderne dhe më të mirë. Por populli, afër të cilit deshi të jetë, nuk votoi për të.
“Njerëzit e dinin fare mirë se ai pas fushatës do të zhdukej sërish”, thotë autori Ghandi. Prandaj sot duket se është afruar realizimi i ëndrrës së Rahul Ghandit për t’i dhënë fund sistemit të dinastive brenda partisë, duke filluar pikërisht me familjen e tij.
Nëna e Rahulit është e sëmurë dhe paraqitjet e saj publike janë të rralla, motra e tij i është përkushtuar jetës familjare, edhe pse vlerësohet se ajo është një talente e lindur për tu marrë me politikë. Ai vetë është kritikuar nga partia e tij.
“Nganjëherë shefe është Sonia, e nganjëherë Rahul. Për këtë arsye, nganjëherë madje as kryeministri nuk është në gjendje të merr vendimet e duhura”, thotë autori Ghandi.
Sikur edhe shumë vëzhgues tjerë, ai ende nuk ka guxim që të flet publikisht për fundin e dinastisë Ghandi. Por nuk ka asnjë dyshim: fundi po shihet në horizont. (Die Zeit)