E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reparacionet

Eshtë e vërtetë që diplomacia nuk duhet të udhëhiqet nga historia, por është po kaq e vërtetë që diplomacia nuk mund të neglizhojë çështjet, që asaj ia ka lënë trashëgim, historia. Praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare vazhdimisht sjell shembuj për të shkundur kujtesën e disa politikanëve, të cilët nuk arrijnë të kuptojnë raportin real mes diplomacisë dhe historisë. Shembullin më të freskët e kemi në rastin e marrëdhënieve të Greqisë dhe të Gjermanisë. Më 12 janar qeveria e kryeministrit Georgos Papandreu vendosi që të paraqitet si palë paditëse në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, GJND, duke iu bashkuar kërkesës së një grupi shtetasish grekë, që kanë hedhur në gjyq Gjermaninë për t'i kërkuar dëmshpërblim për familjarët e tyre, të vrarë nga forcat naziste në një fshat të Greqisë në vitin 1944.
Çështja bëhet interesante, jo për aktin gjyqësor, por për hapin diplomatik të pjesëmarrjes së shtetit grek si palë në GJND kundër Gjermanisë. Është hera e parë, që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të shqyrtojë një çështje dëmshpërblimi të një grupi individësh, të cilët ankohen ndaj një shteti tjetër. Por tashmë atë çështje po e merr përsipër vetë qeveria greke, dhe pjesëmarrja e shtetit grek e kthen atë nga çështje dëmshpërblimi individësh në një çështje reparacionesh në marrëdhëniet shtet me shtet.
Është e kuptueshme se një hap i tillë diplomatik i Greqisë prek marrëdhëniet mes dy vendeve. Kryeministri grek Papandreu, duke justifikuar vendimin e qeverisë së tij, deklaroi më 13 janar se "Unë e mora këtë vendim që Greqia të ndërhyjë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për këtë çështje specifike, se ne po i shërbejmë interesave të vendit dhe po i bëjmë respekt atyre, që u sakrifikuan për kombin tone". I menjëhershëm reagimi kundërshtues i qeverisë së Gjermanisë, e cila nëpërmjet ministrit të Jashtëm, Guido Vestervele, më 13 janar e kritikoi vendimin e qeverise greke për të dalë si palë paditëse në GJND dhe për të kërkuar reparacione lufte. Ministri i Jashtëm gjerman deklaroi se nuk e kupton vendimin e qeverisë greke, sepse është i pabazuar dhe mund të krijojë një precedent të rrezikshëm.
Në fakt, Gjermania mbështetet në argumentin e gjithë pranuar ligjor ndërkombëtar, që ka imunitet si shtet përballë kërkesave apo ankesave të individëve. Sepse në GJND mund të paraqesin kërkesa dhe padi vetëm shtetet, dhe për më tepër vetëm shtetet anëtare të OKB-së. Nuk mund të paraqesin padi individë apo grupe individësh, forca politike apo entitete të panjohura nga OKB-ja. Mirëpo vendimi i qeverisë greke i 12 janarit për të dalë si palë paditëse, e transformon këtë në një çështje raportesh shtet me shtet, dhe rihap dosjen e reparacioneve të luftës së Dytë Botërore, të cilën Gjermania e konsideron të mbyllur me Traktatin e vitit 1960, kurse Greqia e konsideron të hapur.
Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë, në mars të vitit 2006, ka vendosur që Gjermania nuk është e detyruar t'u paguajë kompensime individëve, të cilët kërkojnë dëmshpërblim, për krimet e luftës. Gjermania i ka paguar Greqisë 115 milionë marka për viktimat greke të nazizmit dhe natyrisht shpërndarja e këtyre kompensimeve ka qenë kompetencë e qeverisë greke. Mirëpo në Athinë kanë tjetër mendim dhe ky nuk ka të bëjë vetëm me rastin e familjarëve të viktimave të fshatit Distomo, të cilët po kërkojnë dëmshpërblim. Gjatë shpërthimit të krizës financiare të Greqisë vitin e kaluar, kur Gjermania po hezitonte të jepte miratimin për t'i dhënë Bashkimi Europian kredi Greqisë, që të kapërcente krizën, një anëtar i qeverisë greke, Teodoros Pangallos, sulmoi publikisht Gjermaninë, duke i kujtuar se kishte ende për të paguar për krimet e nazizmit në Greqi. Vetë kryeministri i Greqisë, Papandreu, në shkurt të vitit të kaluar, deklaroi se kërkesa e kompensimeve nga Gjermania për krimet e luftës është një çështje e hapur.
Sikundër shihet, në marrëdhëniet e tanishme mes dy shteteve, Greqisë dhe Gjermanisë, është krijuar një tension diplomatik dhe pavarësisht se si do të shkojë Odisea gjyqësore në GJND, fakti është se çështja e reparacioneve është një çështje e dosjes së marrëdhënieve greko-gjermane. Unë u ndala në këtë çështje, jo vetëm për të treguar se historia i ka lënë disa çështje pezull në marrëdhëniet mes shteteve, por edhe për të tërhequr vëmendjen se çështjet e pazgjidhura të lëna nga historia, janë pjesë reale e dosjeve të marrëdhënieve politike mes shteteve dhe duhet të zgjidhen në rrugë diplomatike, me mirëkuptim mes tyre. Unë u ndala në këtë dëshmi diplomatike të jehonës së historisë në marrëdhëniet diplomatike, edhe për të theksuar se nga praktika e përditshme e marrëdhënieve ndërkombëtare mund dhe duhen nxjerrë disa mësime për diplomacinë dhe për shtetin tonë. Mësimi i parë është se një shtet serioz i mbron dhe merr përsipër të mbrojë qytetarët e tij edhe në përballjet me organizata apo me shtete më të fuqishëm se ai. Greqia krijoi një precedent të ri, me mjaft interes, sepse tregoi se edhe kur një grup qytetarësh kërkojnë dëmshpërblim për viktimat dhe për pronat e tyre të shkatërruara nga një shtet tjetër, shteti i atyre qytetarëve mund të dalë dhe të marrë përsipër çështjen e qytetarëve të tij në instanca apo gjykata ndërkombëtare, ku nuk hyn dot qytetari apo një grup qytetarësh. Nëse në Shqipëri është e njohur se ka grupe qytetarësh, që kanë probleme të trashëguara nga historia me një shtet tjetër, dhe të cilët kërkojnë dëmshpërblim për familjarët e tyre të vrarë apo për pronat e sekuestruara nga një shtet i caktuar, është plotësisht e ligjshme dhe e moralshme që shteti shqiptar të marrë përsipër çështjen e tyre. Greqia dha një leksion shumë interesant për t'u ndjekur dhe krijoi një precedent juridik, politik dhe diplomatik. Greqinë nuk e nguroi fakti që përballë saj ka Gjermaninë, me të cilën janë të dy anëtarë të BE dhe të NATO-s, që jo vetëm është shteti më i fuqishëm në BE, por është në të njëjtën kohë kontribuuesja më e madhe si shtet në kredinë kolosale, që BE dhe FMN i kanë dhënë Greqisë. Kontributi, që Gjermania ka në operacionin e shpëtimit të Greqisë nga mbytja në detin e krizës financiare, është dhjetëra herë më i madh se sa shuma, që po kërkojnë familjarët e atij fshati për ngjarjen e vitit 1944. Natyrisht qeveria greke e pati parasysh këtë rrethanë dhe rëndësinë e Gjermanisë për të tashmen dhe për të ardhmen e Greqisë në BE, por duket se ajo gjykoi që mbrojtja e interesave të një grupi të shtetasve të saj e çon balancën tek ndërmarrja e hapit të Gjykatës. Kjo do të thotë se edhe Shqipëria nuk mundet dhe as duhet të tjerrë më hollë se shtetet e tjera, kur është fjala për të kërkuar dhe për të mbrojtur interesat e shtetasve dhe të vendit.
Shqipëria ka një çështje të pazgjidhur në dosjen e marrëdhënieve me Serbinë, që është ajo e reparacioneve për dëmet e shkaktuara nga minat që regjimi i Sllobodan Millosheviçit mbolli në territorin e Shqipërisë gjatë luftës së Serbisë kundër Kosovës. Nga ato mina janë shkaktuar dhjetëra viktima dhe dëme të pallogaritshme materiale. Nuk kam mendimin se ka bazë dhe justifikim heshtja e qeverive shqiptare, njëra pas tjetrës, që pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Serbisë në vitin 2001, nuk e kanë ngritur çështjen e reparacioneve. Shfaqet si një ndjenjë dhe një kompleks inferioriteti nga ana e udhëheqësve të politikës shqiptare, të majtë dhe të djathtë qofshin, të cilët inferioritetin e tyre e shesin për "konstruktivitet".
Në fakt, ajo që po ndodh në rastin e Greqisë është një mësim shumë i madh në disa drejtime. Është mësim për qytetarët e Shqipërisë së Veriut, të cilët kanë pësuar më së shumti nga minat e Serbisë në territorin e Shqipërisë. Qytetarët shqiptarë mund të ndjekin shembullin e qytetarëve grekë, të cilët në vitin 1997 dhe 2000 e hodhën çështjen në gjykatat vendase. Kur qeveritë vendase nuk e zbatuan vendimin e gjykatës greke, ata e hodhën çështjen në një gjykatë të Italisë. Dhe shteti grek, që kishte hezituar 14 vjet që të përkrahte çështjen e atij grupi qytetarësh, u detyrua më në fund të merrte përsipër çështjen në GJND.
Çështja e reparacioneve është një çështje e hapur, që duhet shtruar për zgjidhje, dhe është i papranueshëm sugjerimi se i ka kaluar koha. Mësimi tjetër, që del, është për reparacionet, që Kosova duhet të kërkojë për krimet e luftës, viktimat dhe dëmet e mëdha, që Serbia ka shkaktuar në Kosovë. Kosova ka avantazhin, që krimet e Serbisë i ka pranuar dhe i dënuar GJND dhe dokumentet kryesore të KS të OKB-së. Prishtina duhet të marrë nisma për këtë çështje dhe të koordinojë me Tiranën, nëse kjo e fundit e konsideron Kosovën pjesë e interesit të saj jetik dhe kombëtar. Zhvillimet në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Gjermanisë janë çështje e tyre dypalëshe, por jehona, mësimet dhe precedenti, që ato krijojnë, mund të shërbejnë si udhërrëfyese për diplomacinë dhe për shtetin shqiptar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›