Replika LSI-PS për protestën
Ashtu siç dihet, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të protestojnë të ndara më 15 mars, ditën që përkujton 1-vjetorin e parë të tragjedisë së Gërdecit. Por sikur të mos mjaftonte kjo ndarje, PS dhe partitë aleate të saj kanë shkëmbyer akuza me Lëvizjen Socialiste për Integrim. I pyetur nga gazetarët pas takimit për protestën e LSI-së, kreu i PS-së, Edi Rama, tha: “Vija që ndan të shkuarën me të ardhmen, që ndan koalicionin e së shkuarës me bashkimin e ri për të ardhmen, është e qartë për të gjithë çdo ditë e më shumë”. Ndërkohë kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, e quajti protestën e LSI-së si antimiting të LSI-së, ndërsa Erion Veliaj i G99-s tha: “E duam shumë Shqipërinë që ta lëmë në dorë të Sali Berishës dhe Ilir Metës që të përsëritet sërish Gërdeci. Zoti Meta është tashmë anëtar i kabinetit të qeverisë “Berisha””. Por i menjëhershëm dhe i ashpër ka qenë reagimi i LSI-së. Nënkryetari dhe deputeti i LSI-së Dritan Prifti tha se është koalicioni i Ramës dhe vetë kreu i PS-së ai që e mbajti Berishën në pushtet kur ndodhi Gërdeci. “Ishte Edi Rama ai që i rrahu shpatullat Sali Berishës ditën e tragjedisë së Gërdecit. Ishte Edi Rama ai që nuk lejonte partinë e tij të kërkonte dorëheqjen e Sali Berishës për Gërdecin. Ishte Edi Rama dhe PS-ja që nuk i dhanë firmat për Komisionin Hetimor Parlamentar për Gërdecin. Pra, realisht, ky koalicion hipokritësh do të dalë në një protestë për të treguar hipokrizinë e vet dhe asnjë gjë më shumë. Protesta që do të mbajë LSI-ja dhe të gjithë aleatët e saj të majtë, socialistë dhe progresistë, nuk ka moton “Mos harroni”, por ka moton që ka pasur që në ditën e parë pas tragjedisë së Gërdecit, “Berisha ik”, - tha Prifti.
10 Mars 2009