Firma, Prokuroria: Mediu priti për 6 muaj Delijorgjin
Trazhgim Sokolaj
Në thelbin e akuzave që Prokuroria ka ngritur ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, sipas dosjes së dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, renditen katër urdhra të firmosur nga vetë ai. Baza dokumentare prej nga buron akuza e ngritur nga Prokuroria në adresë të Fatmir Mediut, janë katër urdhrat me numra: 550, 1208, 1300 dhe 2044, të gjithë të firmosur gjatë vitit 2007 në lidhje me demontimin e municioneve dhe Gërdecin. Sipas kërkesës për gjykim, e cila përmban 28 të pandehur përfshi kompaninë “Albademil” si person juridik, thuhet se abuzimet e zyrtarëve filluan që me përzgjedhjen e kompanive që do të kryenin demontimin. “Përzgjedhja e kompanisë amerikane SAC inc, nga i pandehuri Fatmir Mediu dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë veprimtari kriminale, ka qenë e paracaktuar për t’u përdorur si fasadë për publikun dhe për institucionet e tjera, me qëllim krijimin e perceptimit të rremë se do të realizohej një proces transparent, ligjor dhe që do të garantonte çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve brenda standardeve për sigurinë publike, që zakonisht e ofrojnë shoqëritë e huaja në këtë fushë, ndërkohë që provohet se në fakt është konsideruar domosdoshmëri dhe janë marrë të gjithë masat që ky proces të realizohej nga person juridik i pandehur, shoqëria “Albademil” shpk, e përfaqësuar nga i pandehuri Mihal Delijorgji”, thuhet në kërkesën për gjykim të prokurorisë. Kjo e fundit e akuzon Mediun se ka përjashtuar ndërmarrjet me profil ushtarak si ajo në Poliçan, Gramsh dhe Mjekës të Elbasanit, nga realizimi i procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve. Ky veprim i Mediut, sipas akuzës, është kryer me relacionin dërguar Këshillit të Ministrave (KM) bashkëlidhur projekt vendimit të KM të iniciuar dhe firmosur nga i pandehuri Fatmir MEDIU dhe të përgatitur nga bashkëpunëtorët e tij në këtë veprimtari kriminale, të shqyrtuar në mbledhjen e KM mbajtur në datë 17 shkurt 2007. Ministri ka arsyetuar se këto ndërmarrje mund të trajtojnë municione të kalibrave të mëdhenj, por nuk trajtojnë municione të kalibrave të vegjël, ndërkohë që hetimet kanë provuar se këto ndërmarrje me profil ushtarak janë diskriminuar, duke u përjashtuar nga përfshirja në këtë proces edhe për municionet e kalibrave të mëdhenj, të cilat i pandehuri Mediu ka urdhëruar t’i shiten për çmontim dhe çmilitarizim shoqërive SAC inc dhe “Albademil” shpk, megjithëse këto kompani nuk kishin teknologji, kapacitete apo përvojë për të trajtuar municione/shtimje të kalibrave të mëdhenj. “Inicimi dhe miratimi i procesit administrativ përfshi dhe projektvendimin e Këshillit të Ministrave, për të normuar shitjen e municioneve për çmontim dhe çmilitarizim shoqërisë SAC inc, por që në fakt ky projekt do të realizohej nga shoqëria “Albademil” shpk., të iniciuar dhe firmosur nga i pandehuri Fatmir Mediu dhe të përgatitur nga bashkëpunëtorët e tij në këtë veprimtari kriminale, është argumentuar se ky proces nuk do të kishte faturë financiare për buxhetin e shtetit, por do të sillte vetëm të ardhura ekonomike për shtetin, ndërkohë që hetimet kanë provuar se ky proces është planifikuar, urdhëruar dhe realizuar në interes të përfitimeve të padrejta materiale për shoqëritë SAC inc dhe “Albademil” shpk., proces, i cili në fakt i ka shkaktuar shtetit dëmtime materiale të rëndësishme në vlerë 1 323 600 354 lekë”, thuhet më tej në akuzën e prokurorisë. Sipas saj, në faj janë edhe gjeneralët e ushtrisë, që nga Shefi i Shtabit duke vazhduar më pas me drejtuesit e komandave, Zija Baja dhe Shpëtim Spahiu dhe deri tek anëtarët e komisioneve të vlerësimit të Municioneve. Dy janë linjat në të cilat prokuroria e ka konceptuar akuzën e ngritur ndaj Mediut. E para bën fjalë për favorizimin e kompanisë amerikane SAC, pas të cilës në të vërtetë fshihej Delijorgji dhe kompania e tij “Albademil”. Favorizimi është bërë me anë të urdhrave dhe nënshkrimit të kontratave, përkrahjes në konkurrim dhe veprimeve të kryera në cilësinë e ministrit. Ndërsa linja e dytë është dëmi i shkaktuar shtetit dhe qytetarëve nga ky favorizim. Së pari, sipas prokurorisë, shitja e municioneve për demontim është bërë nën vlerën e tyre të lejuar nga Mediu dhe të vendosur bashkëpunëtorët, duke shkaktuar kështu një dëm deri në 8 milionë USD vetëm nga nënvlerësimi i fishekëve. Dëmi ka vazhduar më pas me 900 mijë euro të shpenzuara nga ushtria me mjete dhe karburant, për të furnizuar Gërdecin me municion për llogari të kompanive private që vepronin aty. Favorizimi ka vazhduar me lënien e dorës së lirë dhe mungesës së kontrollit ndërsa katër të akuzuarit për vrasje, Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Sokol Gjeçi, sipas prokurorisë jo vetëm që nuk kanë marrë masa, por i kanë shkelur ato.
Fakte nga dosja “Gërdeci”
Më 5 korrik 2006, duke iu drejtuar të pandehurit Fatmir MEDIU, , i pandehuri Ylli PINARI e ka vënë në dijeni për interesin e kompanisë SAC inc., për blerjen e municioneve me gëzhojë tunxhi për çmontimin dhe çmilitarizimin e tyre
Për këtë kërkesë, në periudhën korrik-dhjetor 2006, i pandehuri Fatmir MEDIU nuk ka shfaqur asnjë interesim apo qëndrim aktiv, deri në përfshirjen e të pandehurit Mihal DELIJORGJI në këtë aferë
Në fillim të dhjetorit 2006, i pandehuri Ylli PINARI i ka sugjeruar Patric HENRY III domosdoshmërinë e kryerjes së procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve në Shqipëri dhe përfshirjen në këtë proces të së pandehurit Mihal DELIJORGJI, si dhe e ka orientuar për të realizuar një
takim të drejtpërdrejtë me të pandehurin Fatmir MEDIU, ish-ministër i Mbrojtjes, meqenëse deri në atë kohë kërkesat e tij nuk ishin vënë në lëvizje nga ky i fundit.
Patric HENRY III, në periudhën 18-21 dhjetor 2006, ka ardhur dhe qëndruar në Tiranë. Nën ndikimin dhe ndërmjetësimin e të pandehurit Ylli PINARI është njohur dhe është lidhur me të pandehurin Mihal DELIJORGJI, me të cilin ka rënë dakord për përqindjet e aksioneve dhe fitimeve në këtë proces, si dhe ka formalizuar krijimin e shoqërisë “Albademil” shpk, me bashkortakë: Mihal DELIJORGJI me 67 për qind të aksioneve dhe Patric HENRY III me 33 për qind të aksioneve.
Së pari, ishte krijuar shoqëria “Albademil” shpk, për të hyrë në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes, për realizimin e procesin të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve.
Së dyti, në kontekstin e plotësimit të kërkesave ligjore, shoqëria SAC shpk., kërkonte të pajisej me tre lloje licencash:
• Licencë për depozitim municioni;
• Licencë për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve;
• Licencë për eksportimin e produkteve të dala nga demontimi.
Së treti, është përcaktuar detyrimi për Ministrinë e Mbrojtjes, të mbulojë shpenzimet e transportit të municioneve për në ambientin industrial të shoqërisë ALBADEMIL shpk.
Së katërti, kërkohej që të pranoheshin çmimet e municioneve për kalibrat e vegjël, të cilët ishin paravendosur me marrëveshje dhe të shkruara në këtë kërkesë nga i pandehuri Ylli PINARI.
Së pesti, kërkohej që ambienti industrial i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve të ndërtohej në një zonë ushtarake afër Tiranës, duke sugjeruar për këtë Bërzhitën.
Të pandehurit Ylli PINARI, Sokol NGJEÇI, Mihal DELIJORGJI, Dritan MINXOLLI dhe personi juridik, shoqëria ALBADEMIL shpk, me dashje kanë organizuar dhe realizuar procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve, duke shpërfillur: çdo rregull e standard sigurie; natyrën e burimit të rrezikut veçanërisht të shtuar, që përbënte zhvillimi i këtij procesi; si dhe me arrogancë, paralajmërimet për rrezikun e real të pranishëm që përbënte realizimi i këtij procesi në mungesë totale të kushteve të sigurisë, duke shkaktuar pasoja për jetën dhe shëndetin e shtetasve dhe pasurinë private e publikes
Ta pandehurit kanë marrë vendimin nr.1, datë 10. 04. 2007 të këtij komisioni, me të cilin kanë përcaktuar çmimet e municioneve me gëzhojë tunxhi sipas kalibrave: 7.62 mm – 0,00448 $USA/copa, 12.7mm - 0,02571 $USA/copa dhe 14.5 mm-0,03245 $USA/copa
Gjithashtu, të pandehurit nuk kanë përfshirë në çmimin e shitjes së municioneve të këtyre kalibrave shpenzimet e transportit, duke përmbushur ofertën/kërkesën e shoqërisë amerikane SAC inc, me qëllim realizimin e përfitimeve të padrejta materiale të shoqërisë ALBADEMIL shpk, nëpërmjet kësaj shoqërie të huaj
Urdhërimi për lidhjen e kontratës me shoqërinë SAC inc., pa pasur asnjë dokument që të vërtetonte: përvojën dhe llojin e teknologjisë së kësaj shoqërie dhe të shoqërisë ALBADEMIL shpk., në fushën e armatim municioneve dhe të çmontimit e çmilitarizimit të tyre, si dhe përvojën në këtë fushë të shoqërisë shqiptare për kryerjen e këtij procesi.
Urdhërimi për të realizuar procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit në “Ish-brigadës së Tankeve” në Gërdec, pa u bërë më parë licencimi i këtij vendi, ku do të shkarkoheshin dhe magazinoheshin municione, ku do të kryhej procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të tyre dhe ku do të depozitoheshin nënproduktet e rrezikshme të dala nga ky proces është kryer pa u verifikuar dhe vlerësuar nga strukturat e specializuara të Shtabit të Përgjithshëm të FA.
“Gërdeci dëmtoi interesat e shtetit”
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Përgjithshme i akuzon të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit se me shpërthimin e 15 marsit 2008 kanë dëmtuar rëndë qytetarët dhe interesat e shtetit.
Sipas dosjes së Prokurorisë, ngjarja e ndodhur më datë 15 mars 2008 në ambientet e “ish-Brigadës së Tankeve” në Gërdec, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve shoqëria “ALBADEMIL” sh.p.k, për nga përmasat dhe shtrirja e saj; për nga pasojat tejet të rënda njerëzore, materiale, sociale dhe psikologjike; për nga dëmtimi i interesave materiale dhe jomateriale të shtetit, si dhe për nga cenimi i një sërë marrëdhëniesh të tjera shoqërore të mbrojtura posaçërisht me ligj, konsiderohet një nga ngjarjet më tragjike të viteve të fundit, e cila krijoi një situatë tejet të rëndë humane, sociale, ekonomike, psikologjike, ekologjike, si dhe cenoi rëndë sigurinë në gjithë rajonin dhe më gjerë. Gjatë hetimeve të saj, Prokuroria ka llogaritur edhe sasinë e municioneve, barutit dhe predhave që kanë shpërthyer ditën e tragjedisë. Në dosje thuhet se “shpërthimet masive në këtë ngjarje, të lëndëve plasëse dhe djegëse: barut 1067.855 tonë, djegore të tipeve të ndryshme 286.476 copë dhe predha municionesh/shtimjesh 4365.335 tonë, me mbushje tritol (TNT) 795.609 tonë, të depozituar në këtë ambient–rajon, afër qendrave të banuara, objekteve sociale, bizneseve, rrugëve nacionale, stacionit hekurudhor Vorë, aeroportit “Nënë Tereza” Rinas etj., kanë shkaktuar: vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 27 të tjerëve, plagosjen e lehtë të 109 shtetasve, dëmtime të parëndësishme të 67 personave dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra mjekësore. Prokuroria thekson më tej në fashikullin e saj se tragjedia ka shkatërruar dhe dëmtuar pasuritë në vlerë 2.243.843.616 lekë (2.2 miliardë), që përfaqëson pasuri të shtetasve në vlerë 2.141.343.616 lekë, si më poshtë: 14 banesa, orendi të tyre, ferma bujqësore e blegtorale; si dhe pasuri shtetërore-publike në vlerë 102.500.000 lekë, si: objekte sociale dhe orendi të tyre.
“Jo akt i qëllimshëm”
Në dosjen penale të Prokurorisë për tragjedinë e Gërdecit, në asnjë rresht të saj nuk përmenden fakte që flasin për veprime të qëllimshme të personave që mund të kenë provokuar shpërthimin. Duke iu referuar edhe deklaratave të fundit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu, i cili nuk përjashtoi një akt të qëllimshëm në Gërdec, Prokuroria tha se nga hetimet e saj një version i tillë nuk qëndron. “Është provuar se origjina e shpërthimit ka qenë brenda fabrikës. Nga hetimet rezulton se në Gërdec, më 15 mars 2008, kanë ndodhur tre shpërthime. I pari, ai që mund të konsiderohet origjina e ngjarjes, ka ndodhur brenda fabrikës, në qendër të saj, ku po saldohej një nga karrocat e transportit të barutit. Saldimi ka dhënë shkëndija që kanë ndezur barutin aty pranë, duke shkaktuar shpërthimin e parë”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, nga akt-ekspertimi i vendit të ngjarjes dhe nga rrëfimet e dëshmitarëve, rezulton se shpërthimi i dytë i provokuar nga vatra e parë e zjarrit ka ndodhur rreth 15 minuta më pas, disa metra më tutje ku ndodhej një grumbull predhash e djegoresh të hedhura çrregullt, përsëri në ambientet e brendshme të punishtes. “Shpërthimi i tretë, ai që është fiksuar në imazhet filmike si një tymnajë gjigande që ngrihet në formën e kërpudhës, ka ndodhur rreth 22 minuta pas shpërthimit të parë dhe shtatë minuta pas të dytit. Ky shpërthim ka qenë në vetvete aktivizimi i kontenjerëve me barut që ndodheshin jashtë fabrikës, në anën e djathtë të hyrjes së saj. Kontenjerët e mbushur me barutin e dalë nga demontimi janë goditur nga predhat që kishte aktivizuar shpërthimi i dytë”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, ky version i provuar hedh poshtë mundësinë e një akti të qëllimshëm, i cili nëse do kishte ndodhur mund të ishte realizuar nga jashtë. Kjo për shkak se jashtë fabrikës ishin kontenjerët që shkaktuan shpërthimin e madh, por edhe për faktin se personat e jashtëm nuk mund të hynin lehtë në fabrikë. Pista e një akti të qëllimshëm në Gërdec, ka qenë një nga variantet e hetuara nga Prokuroria e Përgjithshme. Një fakt i tillë është pohuar nga Kryepro-kurorja Ina Rama disa ditë pas ngjarjes, ndërsa hetimet më pas arritën në përfundimin se ngjarja ndodhi si pasojë e shkeljes së rregullave të sigurisë.
shpërthimi në Gërdec
Municionet e djegura
1067.855 tonë barut
286.476 copë djegore
4365.335 tonë predha municionesh/shtimjesh
795.609 tonë mbushje tritol (TNT)
Dëmet materiale-njerëzore
26 persona të vdekur
27 të plagosur rëndë
109 të plagosur lehtë
76 me dëmtime të parëndësishme
67 me dëmtime të paklasifikuara
61 personave me mjekime
2.243.843.616 lekë (2.2 miliardë)
Vlera e pasurive të shkatërruara
Akuza: Shpërdorimi i detyrës nga Mediu, jo për shpërthimin
TIRANE – Prokuroria tha dje se nuk ka gjetur ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë mes ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu dhe shpërthimit të ndodhur në Gërdec. “Ministri i Mbrojtjes nuk ka qenë i informuar në mënyrë të detajuar për sasinë e municionit në Gërdec. Atij i raportohej formalisht për sasinë e municioneve që ushtria dërgonte aty, por në këto shifra nuk jepej sasia e barutit dhe materialeve të tjera që dilnin nga demontimi dhe grumbulloheshin aty”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, duke u nisur nga linja veprim-pasojë, ish-ministri Mediu akuzohet se me urdhrat e tij ka formuluar një kuadër ligjor-administrativ që u dha mundësi abuzimi katër të akuzuarve për vrasje masive, Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Sokol Gjeçi. Ish-ministri Mediu, sipas Prokurorisë, akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në lidhje me përcaktimet që ka bërë në urdhrat e tij, se transportimi i municioneve në Gërdec, për interesa të subjekteve private duhej të bëhej nga ushtria, të cilës i është shkaktuar 900 mijë euro dëm me shpenzime të papaguara. Po kështu, Prokuroria e akuzon ish-ministrin se ka shpërdoruar detyrën me anë të lejimit të caktimit të çmimeve nën vlerë për municionet që janë shitur për çmontim. Duke mbledhur dy kontratat, e para 600 mijë USD dhe e dyta 500 mijë USD, Prokuroria tha se SAC-Albademil me 1.1 milionë USD kanë marrë prej ushtrisë sasi municioni me vlerë reale 8 milionë USD. tr.so